
A je mirë?
ote: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.
Kam përshtypjen se pyetja “A je mirë?”, është ndër më të përdorurat në fjalorin tonë.
“A je mirë” për disa persona ndoshta mund të konsiderohet se e ka humbur kuptimin thelbësor. Kjo, për arsye se është përdorur në këndvështrime të ndryshme, qoftë satirike, ironike, kërcënuese, provokuese, e shumë pak empatike dhe ndërgjegjësuese. Natyrisht, shqiptimi i saj krijon atmosferën nga buron përgjigjja që na pëlqen më së shumti, me fjalët: “Mirë jam”.
Por, a është kjo gjithmonë përgjigje e sinqertë apo vetëm përgjigje tashmë e mësuar?
Ndërgjegjësimi- Të jesh i vëmendshëm për gjendjen tënde aktuale është esenciale pasi që të lejon ta observosh më thellë emocionin që po e ndjen, e potencialisht ta zbulosh se prej nga po rrjedhë ai emocion. Madje, edhe mund ta zbulosh se ndoshta mërzia që ti po pretendon që po e ndjen, mund të jetë një emocion tjetër i përfshirë, shembull: frika. Ndërgjegjësimi na bën të ndihemi më rehat me esencën e brendisë tonë.
Për vetveten dhe tjetrin
Marrëdhënia që kemi me veten është thelbësore për mirëqenien tonë, por edhe për krijimin e marrëdhënieve të shëndetshme me të tjerët.
A je mirë është thirrje e domosdoshme që të përkujdesesh për veten tënde në të gjitha sprovat e jetës, aty ku qëndron e bukura dhe e shëmtuara, aty ku flet e mira dhe e keqja, aty ku është suksesi dhe disfata, aty ku ngadhënjen lumturia mbi zhgënjimin, aty ku promovohet besimi për të arritur qëllimin.
Të jesh mirë do të thotë të mendosh në mënyrë pozitive, të ndjehesh i lumtur, të shprehesh e të flasësh bukur– për gjërat që të pëlqejnë dhe të cilat bëhen pronë e jotja si vlerë e përhershme shpirtërore.
Përmes këtij artikulli dëshiroj që pyetja “A je mirë”, fillimisht t’i parashtrohet vetvetes, sidomos kur mendon se vetvetja ndonjëherë i shpërfillë vendimet dhe pikëpamjet personale dhe rikrijon përfytyrimin tjetër për realitetin dhe botën që na rrethon.
Le të mos e lejojmë veten të ecim një hap tutje, pa u kujdesur së pari për mirëqenien tonë, derisa të marrim një vendim tjetër të duhur, i cili na pëlqen dhe na jep kurajo për të ndërtuar mendimin që na udhëheqë në një përballje të re.
Para se të gjithash, paragjykimet e ndryshme jo rrallë krijohen që në përshtypjen e parë, qoftë si dukje, por edhe si sjellje, si veprim, si qëndrim.
Parashtrimi i pyetjes “A je mirë”, të ndihmon ta afrosh tjetrin, edhe nëse aty janë të pranishme argumente të tensionuara, prandaj si pasojë duhet ta shpëtosh situatën e krijuar përmes komunikimit të drejtpërdrejt, të qartë dhe pozitiv.
Çdonjëri prej nesh kemi ndjenja dhe ngarkesa emocionale dhe kalojmë nëpër vështirësi të ndryshme, edhe pse ato nuk shihen drejtpërdrejt. Asgjë nuk është e lehtë për askënd, prandaj puno me veten tënde, foli mirë vetes tënde, kritikoje veten tënde por mos e bëj shprehi. Gjithmonë kemi hapësirë për të ndryshuar sjelljen tonë apo mënyrën e komunikimit dhe të veprimit.
Nëse je mirë me veten, beso që mund ta bësh ndryshimin e duhur në shoqëri.
“A je mirë” përfshin edhe “Qite n’letër” dhe “A jemi n’frekuencën e njëjtë?”
Qite n’letër—nëse të mundon diçka, nëse po e ndjen një ndryshim në sjelljen tënde. Aty konkretizohet fuqia e emocioneve dhe mendimeve dhe është më i lehtë pranimi i gjendjes së krijuar.
A jemi n’frekuencën e njëjtë—a po kuptohemi, a jemi në të njëjtën faqe? A po mendojmë njësoj?. Të gjitha këto pyetje na mundësojnë ta njohim dhe ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin dhe të bindemi se komunikimi është shumë i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërpersonale.
Këto pyetje e kanë përbrenda domethënien e tyre, se si mund ta pranojmë më qartë dhe më bindshëm botëkuptimin e tjetrit, në mënyrë që t’iu shmangemi paragjykimeve dhe të lirohemi nga fenomenet dhe dukuritë që nuk na sjellin dobi.
Shënim: Edhe atëherë kur të duket se është e pamjaftueshme të ndalesh dhe ta pyesësh veten “A je mirë”, tento t’ia parashtrosh vetes këtë pyetje. Ka mundësi që nuk do ta kesh menjëherë përgjigjen e gatshme, mirëpo e rëndësishme është që do të jesh i vëmendshëm që një stimul i jashtëm apo i brendshëm po e shkakton këtë mendim.
Kujtoja vetes se roli yt në këtë botë, para se të gjithash, është të kujdesesh për vetveten. Le të bëhet ky prioriteti yt jetësor.