
ote: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.
Kur kemi shumë gjëra për të thënë, njëra nga mënyrat më të mira për t’u shprehur është të shkruash.
T’i shkruash gëzimet dhe shqetësimet tua, t’i shkruash gjërat e mira për të cilat ti je falënderues, të përshkruash një situatë në të cilën gjendesh, rrjedhimisht të gjitha mendimet dhe emocionet tua.
Të shkruash kudo dhe kurdo—të pasqyrosh dhe të reflektosh në një bllok të vetëm, apo edhe përmes një poezie, përmes një teksti të një kënge, pra të shkruash në mënyrë që t’i zbulosh të gjitha ndjesitë e qëndrimet tua, të cilat më vonë mund t’i thuash edhe me zë të lartë. Frikën, gëzimin, rezistencën, dhimbjen, rebelimin, vuajtjen, lirinë, të gjitha këto, Grupi Jericho zgjodhi që t’i thotë dhe t’i prezantojë përmes teksteve muzikore.
Të shkruara në dialektin gegë dhe të përcjellura me një muzikë mes rock-ut, alternativës, elektronikës dhe muzikës tradicionale etnike shqiptare, vokalisti Petrit Çarkaxhiu, së bashku me Leonard Canhasi- Solo Guitar, Suad Jamini- Bass Guitar dhe Visar Rexha- Drums, filluan rrugëtimin e tyre në vitin 1997, të cilët përmes këngëve të tyre na prezantuan lashtësinë shqiptare që të gjithë e ëndërrojnë. Emocionet e vërteta tek këngët e grupit Jericho, i kanë përcjellur muzikëdashësit që nga periudha kur njerëzit në Kosovë ishin të ngopur me status quo-në e rezistencës paqësore dhe sesi pakënaqësia e tyre kishte filluar të shndërrohej në një rezistencë të armatosur.
Histori të vërteta e të imagjinuara, fjali të menduara e të pathëna deri atëherë, të gjitha u thanë e u pasqyruan përmes këngëve të Jerichos. Ajo çka e inspiroi grupin Jericho, ishin temat politiko-sociale dhe getoizimi i shqiptarëve, e cila këtij grupi i ngjasoi me shtypjen e afrikano-amerikanëve pasi përfaqësohej në këngët nga Public Enemy, një nga ndikimet kryesore muzikore për Jericho-n në atë kohë. Përveç Public Enemy, Jericho u ndikua edhe nga grupe si Anthrax, Beastie Boys, Rage Against the Machine, Nine Inch Nails dhe Biohazard.
Si nëpër çdo vështirësi që kalonte Kosova, provat dhe ushtrimet për grupin e sapo krijuar ishin mjaft të vështira, por asgjë nuk është e vështirë kur dëshira për t’i realizuar është më e madhe. Bendi filloi provat në një garazh në lagjen Dardania, ku idetë e tyre gjetën rrugën për t’u shndërruar në kryevepra. Këngët së pari u punuan në gjuhën angleze, ku qëllimi ishte që ngjarjet që simbolizuan historinë tonë të dëgjoheshin kudo. Ndërsa më vonë, vendi ku ushtroheshin të gjitha këngët, u bë edhe inspirimi për këngën e parë “Kjo është shtëpia ime”, e cila figurativisht përshkruante një shtëpi shqiptare. Interpretimi i kësaj kënge ishte edhe paraqitja e parë mediatike e Jericho-s në Programin e Vitit të Ri 1998, në Radio Televizionin e Prishtinës, i cili në atë kohë funksiononte në mërgim si pjesë e institucioneve paralele të Kosovës dhe kishte dy orë kohë në televizionin kombëtar të Shqipërisë, “RTSH”.
Po në atë kohë Jericho kishte pasur performancën e parë live në prill të vitit 1997. Ajo u mbajt si pjesë e lëvizjes së artit post-pesimist tek Boro Ramizi, Pallati aktual i Rinisë. Kompleksi i këngëve që Jericho interpretoi në atë koncert të parë, solli frymën e sloganeve të luftës dhe rebelimit – “This is my Home”, “Don’t F**k with Albanians,”, “Destiny”, “Stop the Violence”, “Fight for Freedom”, përmbledhje e ngjarjeve që pasuan atë vit në Kosovë. Menjëherë pas koncertit të parë, Jericho filloi të punonte për albumin e tij të parë. Këngët filluan të kenë një melodi më melankolike, një atmosferë të krijuar nga dhimbjet e luftës, traumat dhe paslufta, të cilat e paraqiten dhimbjen si të pashmangshme nga kujtesa, e cila duhej të paraqitej përmes këngës.
Një këngë e frymëzuar nga kjo gjendje është “Kur do të pushojë kjo këngë”, e realizuar në vitin 2005. Kënga portretizon pasojat e krimeve të luftës dhe një dhimbje të pafund të mallit për personat e zhdukur. Koha e pasluftës, e përcolli Kosovën me një liri kushtimisht të “kontrolluar”, e cila u përshkrua nga Jericho me këngën “Zgjohu”.
Koha e pasluftës përshkruhet me disa këngë zhgënjimi për një periudhë e cila nuk solli shumë perspektivë për të rinjtë e shoqërisë tonë, të cilës shumë shpejt iu kërkua të kalonte në një kulturë perëndimore. Një ndër këngët më të përfolura të Jerichos mbetet “Tomli i Nones”. Teksti është frymëzuar nga një poezi e Ali Podrimjes, njërit prej poetëve më të njohur të Kosovës. “Lindje apo Perëndim”, një këngë për një shoqëri që po kalon një krizë ekzistenciale dhe identiteti.
Këngët tjera të cilat sollën suksesin që gëzon sot grupi Jericho janë: Shkaba, Kanga jonë, Tomli i Nones, Albanian Rhapsody, Nëntor i ftohtë, Kur do t’pushojë kjo kangë, Zgjohu, Fundi, etj. Në vitin 2019, Jericho publikuan videoklipin “Ëndërr e prerë”, muzikën e së cilës këngë e ka realizuar vetë vokalisiti Petrit Çarkaxhiu, ndërsa vargjet janë të shkëputura nga poezia e Dritëro Agollit.
Si grup i famshëm, bendi mori pjesë edhe në shumë festivale, si Montreux- Zvicër Jazz Festival 2012, Bruxelles/Belgjikë- Balkan Trafik Festival 2013, Bratislava/Sllovaki- Majalsky Festival 2013, Istanbul/Turki- Mimar Sinan Güzel Sanat Festival 2011, Bogota/Kolumbi- Bogota International Theater Festival 2012, Ljubljana/Slloveni- Theater Festival – Kino Shishka 2012, London/Britani e Madhe- BBC Radio Concert- Tutus Bar 2002, Zürich/Zvicër- Jericho Concert- Labor Bar 2011.
Sot vokalisiti i grupit Jericho, Petrit Çarkaxhiu është prezantues i tri emisioneve në Paper Radio. Tri emisionet lidhen me profesionin e Çarkaxhiut dhe ofrojnë perspektiva të ndryshme për muzikë, udhëtime dhe arkitekturë.
Emisioni “Travelogue”, përshkruan artin dhe jetën mistike prapa objekteve të kultit, mbrëmjet e festivaleve e tavernave, përjetimet e udhëtimeve në vende të lashta. Ndërsa, “World Music”, sjellë muzikë që nuk dëgjojmë në radio të tjera, muzikë e përzier në mes të kulturave të ndryshme, muzikë latine, orientale, himne tibetiane, raga indiane dhe misterin e zërave të Bullgarisë. Në anën tjetër, “Vitruvius”, prezanton një këndvështrim tjetër të rrëfimit për arkitekturë botërore në një emision dokumentar, i cili përcjellë mbrëmjen tuaj për rrëfime të padëgjuara.
Vlen të potencohet se muzika e Jerichos, ndër vite ka frymëzuar të rinjtë për të vepruar dhe për të ngritur zërin për probleme të ndryshme sociale, të cilat e përbënin përditshmërinë tonë.