A friendly reminder: Shkarko aplikacionin PAPER FM në App Store dhe Google Play

Këngëtarët që ndryshuan muzikën përgjithmonë

N

ote: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Të gjithë mund të pajtohemi se muzika luan një rol të rëndësishëm në jetën tonë.

Muzika mund të rrisë disponimin e dikujt, të na emocionojë ose të na bëjë të ndihemi të qetë dhe të relaksuar. Muzika gjithashtu – dhe kjo është e rëndësishme – na lejon të ndjejmë pothuajse ose ndoshta të gjitha emocionet që përjetojmë në jetën tonë.

Muzika na bashkon me njëri-tjetrin dhe na motivon ta duam njëri-tjetrin. 

Po e filloj artikullin me pjesën e fundit të këngës “Giorgio by Moroder”, nga Daft Punk, grup i cili mendoj se e përkufizon mjaft mirë individualitetin e secilit në prezantimin e artit të tij, në këtë rast muzikën. 

“Once you free your mind about a concept of

Harmony and of music being correct

You can do whatever you want

So nobody told me what to do

And there was no preconception of what to do” 

Giorgio by Moroder | Song by Daft Punk

Artistët muzikorë kanë kapërcyer shumë barriera përmes këndimit, si racizmin, diskriminimin e paragjykimet e shumta. Por sot, ne do të flasim për këngëtarët që na inspirojnë çdo ditë, si në bazë të tingullit të tyre të veçantë, ashtu edhe me krijimet e tyre që mbetën të pavdekshme. 

Aretha Franklin, e njohur si “Queen of Spirit”

Të gjithë mund të pajtohemi që Aretha është dhuratë nga Zoti– për vokalin e saj të mrekullueshëm dhe për mënyrën e shprehjes së saj përmes këngës. Është aq organike në çdo tingull dhe në çdo fjalë që e përçon, literalisht të dhuron një ndjenjë qetësie dhe komforti. Është ajo artiste që e dëgjon të shtunën mbrëma dhe papritmas ndihesh mirë me vetveten. Një fakt që është me vlerë të potencohet është se përkufizimi i festimit të saj për gruan (You Make Me Feel Like A) Natural Woman vazhdon të frymëzojë këngëtaret femra edhe sot e kësaj dite. Lirisht mund të themi se ajo është arsyeja që femrat dëshirojnë të këndojnë. Aretha Franklin për të dëshmuar aftësinë e saj, ka pasur 112 këngë të listuara në listat e Billboard, ka fituar 18 çmime Grammy dhe është bërë një nga artistet muzikore më të shitura të të gjitha kohërave. Gjithashtu, ajo është femra e parë që futet në Rock & Roll Hall of Fame. 

Këngët që duhet t’i dëgjoni: (You Make Me Feel Like) A Natural Woman, Respect, I Say A Little Prayer

Bob Dylan, këngëtari i cili ndryshoi rregullat e përcaktuara të këndimit

Bob Dylan ishte dhe mbetet një figurë e rëndësishme në historinë e muzikës. Ai cilësohet si këngëtari që e ndryshoi këndimin e zakonshëm dhe rrjedhimisht, ai i ndryshoi edhe rregullat e përcaktuara dhe e krijoi artin e tij të veçantë. Nga himnet e protestës së viteve të ‘60ta që në fakt e bënë Bob Dylan një yll, e deri tek kryeveprat e tij të viteve të ‘90ta dhe më gjerë, asnjë kantautor tjetër bashkëkohor nuk ka prodhuar diçka të tillë kaq të thellë. Pra, këngë që ndihen të lashta por kanë mbetur jashtëzakonisht moderne. Në vitin 2016, Dylan u nderua me Çmimin Nobel në Letërsi “për krijimin e shprehjeve të reja poetike brenda traditës së këngëve amerikane”. 

Këngët që duhet t’i dëgjoni: Like A Rolling Stone, Visions of Johanna, Mr.Tambourine Man 

Stevie Wonder, i njohur për kauzat e tij për bamirësi

Zëri i Stevie Wonder është një mrekulli. Duke filluar nga artikulimi i tij i qartë, me një vibrato ndikuese dhe depërtuese, por pa e humbur asnjëherë zërin e tij unik, ai na prezanton muzikën e tij me shumë vetëbesim. Fakti që Wonder e kapërceu dëmtimin e shikimit për t’u bërë një gjeni muzikor është një nga triumfet më të mëdha mbi fatkeqësitë në historinë e pop-it. Kënga e “Fingertips ” ishte hiti nr.1 në Billboard Hot 100 në vitin 1963, në moshën 13-vjeçare, duke e bërë atë artistin më të ri që ka arritur ndonjëherë në krye të klasifikimit. 

Këngët që duhet t’i dëgjoni: Superstition, I Just Called To Say I Love You, Isn’t She Lovely

Michael Jackson, i njohur si “King of Pop” 

Michael Jackson shquhet si këngëtari, performuesi dhe literalisht ikona e popit! Që nga fëmijëria, këndimi i tij është për t’u admiruar. Një nga elementet e tij të stilit të këndimit është mënyra se si e përdorë zërin e tij si instrument. Ai konsiderohet si këngëtari më ritmik i të gjitha kohërave dhe një ndër figurat më të rëndësishme kulturore të shekullit 20-të. Ndikimi që Michael Jackson pati në botë është i jashtëzakonshëm dhe i pamohueshëm. Ai vendosi dhe theu rekorde, sfidoi kufijtë racor dhe revolucionarizoi industrinë e muzikës.

Këngët që duhet t’i dëgjoni: Billy Jean, Beat It, Don’t Stop ‘Til You Get Enough

Tina Turner, e njohur si “Rock’n’Roll Queen” 

E konsideruar si një grua e fuqishme dhe e patrembur, Tina Turner me zërin e saj kumbues realizoi shumë këngë, që sot e kësaj dite janë të pakrahasueshme dhe mjaft frymëzuese. Jam e bindur se nuk ka njeri që se di këngën “The Best’ të artistes Turner. Ajo na ka shërbyer në ditët më të zymta, por edhe në ato triumfuese. Një person që të motivon të jesh versioni më i mirë i vetes, është me të vërtetë një artist me vlerë. Duke shitur mbi 100 milionë disqe në mbarë botën, Turner është një nga artistët më të shitur të të gjitha kohërave. Ajo njihet si artistja e parë me ngjyrë dhe femra e parë që doli në kopertinën e Rolling Stone. Ndikimi i saj në zhvillimin e rock’n’roll është i theksuar dhe i vlerësuar.

Këngët që duhet t’i dëgjoni: The Best, Proud Mary, What’s Love Got To Do With It

LISTEN TO PAPER RADIO
91.1FM
LIVE
LISTEN TO PAPER RADIO 91.1FM
TOP