A friendly reminder: Shkarko aplikacionin PAPER FM në App Store dhe Google Play

Manifesta 14 në Prishtinë

N

ote: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

100 ditëshi për intervenimet artistike në kuadër të Manifesta-s Biennale tashmë ka filluar dhe ne jemi gati t’iu prezantojmë me ndryshimet artistike që do të përfshijnë kryeqytetin tonë, Prishtinën.

Për tre muaj me radhë në monumentet tona do të ketë ndërhyrje artistike dhe urbane, ekspozita, performanca dhe evente. Me temën kryesore të këtij edicioni, rikthimin e hapësirave publike te qytetarët, Manifesta zgjodhi pjesën e Ballkanit Perëndimor, pra Prishtinën që ta ketë nikoqire këtë vit, me kërkesë të komunës, e bërë disa vite më parë.

Për edicionin e 14-të Manifesta ka cak 25 hapësira publike, teksa do të ketë 103 artistë nga 30 shtete të botës që do të shfaqin angazhimin e tyre.

Manifesta nomade zhvendoset çdo dy vite në vende tjera dhe jep kontributin e saj aty ku vepron. Edhe në Prishtinë, pas tre muajve Manifesta përfundon misionin e saj si festival, teksa do të vazhdojë të kontribuojë në hapësirat që ajo zgjedhë për dy vite me radhë.

Por, çfarë ka bërë deri sot Manifesta në Prishtinë dhe si do të vazhdojë?

Kur obligimet e ndryshme na detyrojnë të jemi pjesë e një qyteti të ri vazhdimisht, si të sapo ardhur gjithmonë caktojmë një vend takim me personat që dëshirojmë t’i shohim. Prishtina gjithmonë e ka pasur Grand Hotelin si pikë referuese për të gjithë banorët e ri, studentët, punëtorët që kanë lënë një takim pas punës, apo edhe adoleshentët që kanë lënë takime pasdite me shokët.

Duke marrë parasysh këtë dhe faktin që Grandi ka qenë si portret i vetë Prishtinës, organizuesit e Manifesta-s kanë vendosur që shumica e ndërhyrjeve të fillojnë pikërisht nga ky ‘monument’, i cili pasqyron të gjitha emocionet e këtij qyteti e do të vazhdojë edhe me shumë të tjera si: Ish objekti i Gërmisë, Trekëndëshi, Rruga 2 Korriku, Galeria Kombëtare të Kosovës, Muzeu Kombëtar i Kosovës, Hamami i Madh, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Rilindja, Kino Rinia, Kino Armata, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Fakulteti i Arteve, Fakulteti Filozofik, Sheshi Zahir Pajaziti, etj.

Disa prej eventeve kanë qëndruar të hapura në ditët startuese me datë 22, 23 dhe 24 korrik dhe e kanë përmbyllur misionin e tyre me aq, teksa instalacionet tjera dhe veprat e artit do të vazhdojnë për tre muaj aq sa është edhe festivali.

Cila performancë la përshtypjen më të mirë?

“Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin”, fjali e vendosur në vend të shkronjave gjigande “Hotel Grand”, mund të themi se është performanca më kuptimplotë dhe më simbolikja sa i përket Manifesta-s. Kuruar nga Petrit Halilaj, kjo fjali u vendos si inspirim nga eseja e 12 vjeçares “Kur dielli të ikë, do ta pikturoj qiellin”, e cila shfaqë tensionin që një fëmijë e ndjen në një botë me të rritur dhe për ndjenjën se shoqëria po i fundos ëndrrat. Duke i ftuar të gjithë qytetarët që t’i ringjallin yjet e hotelit, duke e rikrijuar ata vetë nga një yll nga shtëpitë apo shkollat e tyre, në këtë mënyrë duke dhënë interpretimin që ata dëshirojnë.

Pas përfundimit të Manifesta 14, shkronjat do t’i kthehen Grand Hotelit. Yjet do të errësohen dhe do të shtrihen përsëri në kulm të hotelit, për të fjetur dhe për të pritur, si më parë.

Hamami i Madh

Hamami i Madh i Prishtinës ka marrë krejtësisht një pamje ndryshe pasi në të kanë ndërhyrë duart e artistes japoneze, Chiharu Shiota. Instalacioni artistik në kuadër të Manifesta-s të lë përshtypjen e një peme gjigande që ka lëshuar degët e saj. Projekti që përfshin tregime personale të personave të ndryshëm në Kosovë, janë thurur në një rrjetë që simbolizon ekzistencën e tyre në kujtesë. Instalacioni do të jetë i hapur deri në përfundimin e Manifesta-s.

Ish-objekti i Gërmisë

Duke u munduar që gjithmonë të ofrojë një mesazh me vlerë dhe peshë për qytetarët, Manifesta ka përcjellur mesazhin e saj në formën e duhur për ata që duan ta kuptojnë.

Instalacioni i radhës është nga artisti Alban Muja, i cili ka ndërtuar një shtëpi të vogël mbi ish-objektin e Gërmisë. I vendosur në mes të sheshit Ibrahim Rugova, aty ku kalimtarët nuk kanë të ndalur dhe ku kureshtja gjithmonë ekziston, ky objekt qëndron si glorifikim i mbindërtimeve. “Një mbindërtim mbi të gjitha këto mbindërtime”, saktë për të pasqyruar ngulfatjen që po e marrim dita ditës nga mbindërtimet, ndoshta ky projekt do të shërbejë si vetëdijësim për qytetarët që blejnë dhe ata që ndërtojnë. Shpresojmë që instalacioni të arrijë efektin e vetë deri në përfundimin e festivalit.

Trekëndëshi

“Asnjë fjalë, asnjë mendim, asnjë nevojë, asnjë hidhërim, asnjë gëzim, jo një vajzë, jo një djalë, asnjë dyshim, asnjë besim, as epsh, asnjë shpresë, as frikë, as buzëqeshje, asnjë lot, asnjë emër, asnjë fytyrë, jo një kohë, jo një vend, jo një gjë”, ky është përshkrimi për ndryshimin që ka marrë monumenti i Heronjve të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, i njohur si “Trekëndëshi”.

Sipas konceptit të artistit zviceran, Ugo Rondinone, në një kohë kur monumentet në të gjithë botën po trazohen dhe shpesh po përmbysen do të sjellë në dukje të plotë si strukturën, ashtu edhe debatin kritik, për të cilin qëndron në një nga sheshet publike më të vizituara të Prishtinës. Trekëndëshi është mbështjellë me ngjyra ylberi, ku këto ngjyra simbolizojnë shpresë, gëzim dhe fillime të reja.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës

Ndryshe nga konceptet tjera është ai i vendosur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, për të vënë në pah edhe punën e komuniteteve tjera në Kosovë, ku janë vendosur një seri portretesh të grave rome, të punuara nga Farije Mehmeti, një artiste nga Lipjani i Kosovës. Projekti që njihet si “Biblioteka e RomaMoMA”, është dinamik, nomad dhe ndërlidhet me kontekste të vendeve në të cilat udhëton. Kjo bibliotekë ka mbi 150 libra të letërsisë bashkëkohore rome dhe libra mbi trashëgiminë artistike dhe kulturore të këtij komuniteti.

Biblioteka Hivzi Sylejmani

Kur jemi tek bibliotekat, ajo e qytetit të Prishtinës “Hivzi Sylejmani”, është shndërruar në një hapësirë të përhershme ndërdisiplinore, duke kombinuar bashkëpunimin rajonal, planifikimin urban, ndërtimin e komunitetit, artin dhe kulturën bashkëkohore. Njëkohësisht hapësira e kësaj biblioteka është zgjedhur për të ushtruar funksionin e saj edhe për dy vite.

Të gjithë vizitorët rajonal që dëshirojnë të eksplorojnë hapësirat me rrëfime dhe instalacione nga Manifesta 14, vizita do të jetë pa pagesë, ndërsa për grupet ndërkombëtare vizita do të kushtojë 50 euro.

Netë muzikore, performanca dhe biseda do të jenë prezente gjatë gjithë verës në Prishtinë. Benefitet e Manifesta-s për Prishtinën do të jenë vizitorët e huaj të cilët do të rrisin mundësinë për turistë të ri në kryeqytet.

LISTEN TO PAPER RADIO
91.1FM
LIVE
LISTEN TO PAPER RADIO 91.1FM
TOP