
Një lidere, një nënë dhe një grua si Jacinda Ardern!
ote: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.
Komunikimi, vendimmarrja, qëndrueshmëria, përkushtimi dhe empatia janë pesë karakteristikat të cilat një lider i mirë duhet t’i posedojë. Menaxhimi dhe balancimi i këtyre vetive vjen kur ke përgjegjësi të mëdha, pushtet dhe status.
Klasifikimi i liderëve me këto karakteristika është i rrallë, madje me kohën energjia e tyre shterohet dhe shpesh janë të gatshëm të heqin dorë duke e konsideruar se kanë dhënë mjaftueshëm kontributin e tyre për shoqërinë.
“I vetmi fakt interesant që do të gjeni në këtë vendim janë gjashtë vjet të mbushura me sfida dhe krejt në fund unë jam njeri. Politikanët janë njerëz. Ne japim atë që mundemi për aq kohë sa mundemi dhe pastaj vjen koha kur heqim dorë, dhe kjo është koha ime. Koha për veten time”.
Kjo është deklarata që bëri ish-kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ditën kur dha dorëheqje nga posti i saj. E njohur si një nga lideret më të fuqishme në botë, ajo ishte gruaja më e re në moshë (vetëm 37 vjeç), që ishte në krye të një qeverie.
Vendimi i saj për t’u larguar nga pozita e kryeministres erdhi pas një mandati e gjysëm në lidership (6 vjet) dhe PO, teksa disa habiteshin kur ajo mori një vendim kaq të madh me qetësinë maksimale, pati të tillë që frazën “Nuk më ka mbetur asgjë për të dhuruar”, e mendonin si një moment që liderët në politikë asnjëherë nuk duhej ta mendonin, e jo më të vepronin mbi të. Sipas tyre, “self-preservation” (vetë-mbrojtja) duhej të vinte nga politikanët vetëm atëherë kur flokët të janë thinjur dhe nyjet e gishtërinjëve fillojnë të dridheshin.
Krejt të kundërtën e mendoi Jacinda Ardern. Ajo me pak fjalë na tha: “Jam duke përjetuar një “burn out”, kam bërë aq sa kam mundur, do të doja t’i rikthehem jetës time. Faleminderit shumë!”.
Dhe sigurisht se kur nuk e kuptojmë, e kemi në natyrë të kritikojmë. Këtë e kanë bërë edhe shumë media të cilat e akuzuan si dikë që po vraponte nga përgjegjësitë që kishte, si dikë që nuk po duronte presionin e aleatëve politikë etj. Madje pati nga ata që thanë “Shikoni, gratë nuk mund t’i arrijnë të gjitha”…
Ajo është lidere, nënë, por më e rëndësishmja ajo është grua. Ajo është një shembull për gratë në mbarë botën. Prania e saj udhëheqëse është një kujtesë e vazhdueshme për të gjithë ne se nuk ka asnjë kufizim për atë që një grua mund të arrijë.
Ajo është deklaruar si një feministe. Në një artikull, ajo thotë: “Nëse beson në barazi, duhet të jesh feministe. Nëse besoni se gratë dhe burrat që kryejnë të njëjtën punë duhet të marrin të njëjtën pagë, ju duhet të jeni feministe. Nëse besoni se vende si parlamenti apo qeverisja vendore duhet të pasqyrojnë njerëzit që përfaqësojnë dhe kjo do të thotë të kesh paraqitje të barabartë nga gratë, duhet të jesh feministe. Nëse besoni se gratë meritojnë të jenë të lira nga dhuna, të kenë siguri ekonomike dhe të kenë zgjedhje rreth roleve që marrin – qoftë kujdestare, punëtore apo të dyja, atëherë duhet të jeni feministe.”
Në këtë artikull, ne do të ndajmë me ju momentet kur Jacinda e dëshmoi se di të udhëheq më mirë se çdokush tjetër.
Ajo i tregoi botës dhe udhëheqësve botëror se si duhet menaxhuar situata me COVID-19
Teksa bota u përballë, gjatë vitit 2019-2020, me një situatë të panjohur si COVID-19, udhëheqja e Jacinda në tërë këtë situatë ishte përgjigjje për udhëheqësit botëror. Thirrjet e ashpra që ajo bëri për të mbrojtur shëndetin e vendit, bënë që Zelanda e Re të shmangte çdo rrezik nga pandemia, si vendi i parë në botë, dhe të rregullojë situatën ekonomike më shpejt se pothuajse çdo vend tjetër në botë.
Ajo promovoi unitetin dhe dhembshurinë pas sulmeve terroriste të 15 marsit në xhami
Më 15 mars 2019, një person i armatosur kishte vrarë 51 persona pasi hapi zjarr në dy xhami në qytetin Christchurch. Jacinda Ardern menjëherë e denoncoi të armatosurin dhe veprimet e tij, duke deklaruar në një konferencë shtypi: “Ju mund të na keni zgjedhur neve, por ne ju refuzojmë dhe ju dënojmë plotësisht”.
Jacinda gjithashtu rregulloi menjëherë ligjet e armëve në Zelandën e Re, duke ndaluar armët e stilit ushtarak vetëm gjashtë ditë pas sulmeve dhe duke hequr mbi 62,000 armë pa leje nga qarkullimi përmes skemës së blerjes së armëve. Në krye të kësaj, në maj të vitit 2019, Jacinda-s iu bashkua Presidenti i Francës – Emmanuel Macron për të udhëhequr “Thirrjen për Veprim të Christchurch”, me qëllimin për të eliminuar përmbajtjen terroriste dhe të dhunshme ekstremiste në internet.
Ajo bëri histori në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara
Jacinda bëri bujë në vitin 2018 duke u bërë liderja e parë botërore që solli foshnjën e saj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, vetëm pak muaj pasi lindi.
Ajo ishte kryeministrja e parë që marshoi në një paradë krenarie
Jacinda Ardern u bë kryeministrja e parë që marshoi në një paradë krenarie, kur mori pjesë në ngjarjen e 2018-ës.
Ajo luftoi për të ndaluar diferencën e pagave me bazë gjinore
Adresimi i pabarazisë në paga për gratë ishte diçka për të cilën Jacinda bëri fushatë përpara se të fitonte mandatin. Me miratimin e Projektligjit të Amendamentit të Pagave të Barabarta në korrik të vitit, 2020, ajo e përmbushi premtimin e fushatës Laburiste për barazi pagash.
Çka pas?
Në një intervistë për “New York Times” në vitin 2018, Jacinda kishte thënë se një nga kritikat që e hasë më së shpeshti është që ajo nuk është agresive sa duhet dhe fakti që krijon empati, e bënë të duket më e dobët.
“Unë refuzoj ta besoj këtë. Unë mund t’i bëjë që të dyja, të jem e fortë dhe empatike”, tha ajo.
Përpjekja e pamasë që duhet për t’u bërë një lider i zgjedhur botëror duhet të marrë një dozë serioze besimi te vetja, por duhet vetënjohje për të pranuar se rezervat tuaja të energjisë janë varfëruar dhe është koha për të hequr dorë. Për të mos lejuar që ambicia juaj e mëparshme të pengojë ambicien tuaj të re.
Ardern me sa duket dorëheqjen e sheh si fuqizuese!
Ne pajtohemi fuqishëm me deklaratën e Ardern, ku e thekson faktin se: “Narrativa kulturore është se ne duhet të ndiejmë turp ose dështim, por përfundimi aktiv i një kapitulli të jetës suaj dhe ecja përpara në një epokë të re mund ta bëjë zemrën tuaj të pompojë. Duhet të festohet fakti se keni imagjinatën për të parë veten duke ekzistuar diku tjetër, duke bërë diçka tjetër.”
Bota ka nevojë për më shumë liderë si Jacinda Ardern!