
Njohja dhe përballja ndaj emocioneve negative
ote: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.
Të gjendesh në një situatë të vështirë dhe ta përjetosh atë vetëm, nganjëherë është barrë e rëndë psikologjike pothuajse për secilin prej nesh.
Nëse një shok/shoqe apo një person i dashur i juaji e ka vënë në dyshim situatën në të cilën ju gjendeni apo është munduar të manipulojë me realitetin e gjendjes, duke e zvogëluar rëndësinë e asaj që ju po përjetoni, atëherë kjo është e patolerueshme.
Ti ndihesh i pavlerë, ndihesh sikur askush nuk po të sheh e nuk po të dëgjon dhe fillon ta vësh në peshore edhe atë emocion që ti po e ndjen realisht.
Por, a e dini se cili është skenari më i keq? Nëse ti manipulon vetë me realitetin tënd.
Të kuptosh se çfarë po kalon nuk është e lehtë, por të jesh i sinqertë me ato çfarë ti ndjen është hapi i parë drejt dashurisë ndaj vetes. Kohëzgjatja për të kaluar në procesin për ta kuptuar se çfarë po ndjejmë emocionalisht është një temë e cila nuk flitet shpesh.
Por, si duket “manipulimi” i realitetit në të cilin kalojmë dhe mundohemi ta fshehim?
Ne kemi renditur disa nga shenjat që ju mund të jeni duke “manipuluar” me realitetin tuaj.
Mospranimi i emocionit aktual
Kur ti po e përjeton një emocion të caktuar, tento të mos e anashkalosh atë për një kohë të gjatë. Kjo është gjendja nëpër të cilën ti po kalon, prandaj ky emocion vlen. T’ia fshehësh vetes që je i “zemëruar apo i mërzitur”, është sikur të thuash se i gjithë personaliteti yt njerëzor është gabim, vetëm pse ajo mund të perceptohet në një mënyrë apo tjetër nga të tjerët.
Injorimi i intuitës tënde
Nëse ti ndonjëherë ke pasur një intuitë të keqe për një situatë, ngjarje apo person dhe ti po e injoron këtë impuls vetëm pse po mendon se po tregohesh “mendjembyllur”, mos e bëj këtë, pasi mund të përfundosh duke e lënduar veten tënde. Në anën tjetër, dëgjoje intuitën – është në rregull t’i besosh vetvetes.
Arsyetimi i veprimeve të të tjerëve
Të gjithë kemi pasur dikë në jetën tonë që na ka lënduar vazhdimisht dhe ne i zvogëlojmë ato tek të tjerët duke i justifikuar veprimet e tyre, apo edhe duke pranuar sjelljen e tyre, kështu duke supozuar se problemi jemi në të vërtetë ne.
Minimizimi i mendimeve dhe ndjenjave tua
Kur ne themi për veten se jemi shumë të ndjeshëm ose sillemi si budalla kundrejt situatave të ndryshme, atëherë ne nuk po i lejojmë vetes tonë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe si rrjedhojë po ia mohojmë vetes të drejtën e eksperiencës.
Krahasimi i vazhdueshëm i vetes me të tjerët
Të gjithë e bëjmë këtë, sidomos kur tani rrjetet sociale kanë në dorë gjithçka. Ne duhet ta bëjmë shprehi të duam pjesët unike të vetes që na përkufizojnë neve, në vend që të urrejmë pjesët tona që janë të ndryshme nga dikush tjetër që është i admirueshëm në mënyra të ndryshme.
Dashuria ndaj vetes është një proces i vazhdueshëm, i cili ka gjithmonë nevojë për përmirësim dhe vëmendje. Të gjithë e përjetojmë një ditë, një javë apo edhe një muaj më të rënduar emocionalisht.
E rëndësishme është të mos e humbasim veten në pikëpyetjet tona, por të tentojmë t’i përgjigjemi atyre me kujdes dhe me durim. Pranoje se këto reagime emocionale janë normale dhe njerëzore dhe se duhet të jenë të pranishme në mënyrë që ta njohim një anë tjetër të vetes, por mos i lejo në asnjë mënyrë të të rrëmbejnë.