A friendly reminder: Shkarko aplikacionin PAPER FM në App Store dhe Google Play

Paper Gallery sjellë ekspozitën MM6 me motive shqiptare

N

ote: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Paper Gallery, më 12 gusht, mirëpriti ekspozitën “MM6” të kreatorit Etnik Shala, i cili për të mbajtur gjallë vlerat kombëtare, përmes dizajnit vendosi t’i tregojë botës lashtësinë shqiptare dhe në të njëjtën kohë ta ruajë si dëshmi e cila përfaqëson vlera.

Me të hyrë në hapësirën e Paper House, ju do të keni ndjenjën se derën ua ka hapur një “zanë e bardhë”- një fustan i bardhë i vendosur në hyrje, i tëri i mbështjellur me tyl, i cili menjëherë ia hapë rrugën imagjinatës tuaj për gjërat që do t’i shihni në vazhdim. Në krahun e majtë do të ndesheni me tri “mjellma” në veshje të tjera të zeza teksa janë vendosur mbi dy kukulla te kuqe, të gjitha të punuara me mjeshtëri deri në detajin e fundit. “Mjellma e plagosur” figurativisht përshfaqë historinë shqiptare, e izoluar dhe e mbërthyer nga hija e luftës.

Duke e cilësuar ekspozitën si një biografi personale të tij, Shala ka bërë grumbullimin e koleksioneve të cilat patën më së shumti sukses në Kosovë, nga Geisha, Wounded Swan, Kornizë Marubi, Brymë, Cage, Goblen Movement deri tek Etnografia.

Në qendrën e galerisë qëndron i vendosur koleksioni Bryma dhe Geisha. Tri veshje mbi materialin e bardhë i cili ngjason me mjegullën, teksa kostumet me ngjyra të hapura kryesisht gjelbër dhe rozë e hapur duken saktësisht sikur parajsë. Teksa vazhdon drejt korridorit të errët artistik të Paper House, rrugën do ta ndriçojë drita e vendosur mbi xhaketat e zeza të cilat krejtësisht janë të mbuluara nga kopsat e argjendit nga koleksioni “Cage”. Pasi kalon këtë korridor, ju do të shoqëroheni nga shkallët për të vazhduar tek bari, në të cilin teksa po shërbeheshin pije, ti përballesh me pamjen e koleksionit tjetër “Gobleni Movement”. Ndonëse sot gjërat tradicionale po tingëllojnë më jo-moderne, ishin goblenët dhe historia e xhubletave 4000 mijë vjeçare shqiptare, ato që morën vëmendjen. Goblenët janë zgjedhur të përfaqësohen vetëm nga korsetë, e mjaftueshme për të argumentuar një arkiv të bukur të historisë shqiptare.

Me pije në dorë vizitorët e shumtë po vazhdonin drejt sallës në xhama, ku po qëndronte koleksioni “Marubi” dhe “Etnikografia”, një ekzekutim artistik i modernes dhe tradicionales, fantastike për t’i veshur në eventet e mbrëmjes.

Paper House, atë natë kishte grumbulluar artdashës të kulturës nga fushat e ndryshme, teksa shkëlqimin ia kishte besuar Etnik Shalës.

Pavarësisht emocioneve që e kishin rrethuar atë natë, mes shkëlqimit dhe gëzimit që kishte në sy, përshkrimin e tij lidhur me ekspozitën, e tha me fjalë të thjeshta.

“Është kënaqësi e veçantë kur vlerësohesh nga njerëzit që dinë ta vlerësojnë artin, nuk më bëjnë shumë përshtypje mendimet e tjera, sepse shija është relative, sidomos në këto ditë kur komercialja na ka kapluar, por sot kam falënderime vetëm për njerëzit që na kanë vizituar”.

Të gjitha veshjet e vendosura në ekspozitë janë origjinale, të cilat mund të ribëhen përsëri, edhe pse Etniku nuk tha nëse këto kostume do të shiten, por mbase dëshira e madhe e njerëzve për t’i blerë mund t’ia ndryshojë mendimin.

Mes njerëzve që shijuan ekspozitën, fjalët që kuratorja Penesta Dika tha për Etnikun, na dhurojnë një këndvështrim tjetër për ekspozitën.

“Çdo detaj ishte i menduar nga artisti, nuk janë vetëm disa pjesë që kreatori i ka bërë spontanisht, por kanë një prapavijë shumë të fortë që kanë tema të veçanta. Etniku ka përdorur materiale që i përshtaten temës, krejt çka ka dashtë të thotë i ka thënë përmes dizajnit, e ka trajtuar të kaluarën dhe të tashmen me kombinimin më të mirë” .

Po të mos e thoshte askush, ne do ta cilësonim vetë si të tillë, mirëpo regjisorja Zana Hoxha e tha para nesh- një EKSPOZITË DRAMATIKE.

“Etniku të qëllon me artin e vete, e pata një udhëtim nëpër kohët e tij, e dallova pjekjen e tij artistike dhe identitetin e tij, në këtë rast Etniku ka përdorë një metodë të ndryshme, por në veçanti për mua si artiste, këto kostume, këto veshje janë shumë teatrale gjë që na mungon në teatër, kostume që i mbijetojnë kohës, secilën veshje do ta kisha përdorur në një nga shfaqjet e mia. Pashë një ndikim të Alexander McQueen, në veçanti tek veshjet me kopsa, sepse nga larg nuk duken që janë kopsa, por po të afrohesh e sheh si e ka shndërruar në një vepër artistike. Kjo është e veçanta e artistëve, shndërrojnë diçka që ndoshta fare nuk ka vlerë, në diçka që më vonë mund të kushtojë me milionë”.

Koordinatori i Paper Gallery, Vullnet Jakupi, ju fton në këtë ekspozitë, pasi është e para ekspozitë fashion në një galeri të artit, realizuar për herë të parë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

“Përveç pjesës artistike që përmban ekspozita, ajo gërsheton një edukim cilësor sa i përket traditës dhe prejardhjes sonë, e përkthyer në veshje”, shtoi Jakupi.

Ekspozita “MM6”, do të jetë e hapur deri më 12 shtator. 

Ne ju ftojmë të mahniteni në Paper House.

LISTEN TO PAPER RADIO
91.1FM
LIVE
LISTEN TO PAPER RADIO 91.1FM
TOP