
Paperview | Tina: “Nëse i gjykon njerëzit, nuk ke kohë t’i duash ata”
ote: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.
Tina (Valentina Imeraj) është moderatore e emisioneve “Early Birds”, “Guilty Pleasures” dhe “Top 40” në Paper Radio. Po ashtu, është menaxhere e projekteve në USAID, dhe një adhuruese e madhe e udhëtimeve dhe sportit.
Tina është një grua e fortë, e suksesshme në punën që bën dhe shumë e dashur me njerëzit.
Ajo beson se mirësia është një vlerë e shtuar e njeriut dhe se është e rëndësishme të shpërndajmë vetëm energji pozitive.
Zëri i saj i ëmbël – dhe në të njëjtën kohë – i fuqishëm, është ai që na zgjon nga e hëna në të premten, së bashku me Alban Makollin.
Tina thotë se “duke e njohur vetveten – paralelisht brendinë, shpirtin, karakterin, personalitetin dhe limitet e tua është vetë qetësia shpirtërore”.
Në këtë rubrikë të re, kushtuar moderatorëve të emisioneve në Paper Radio, ne e zhvilluam intervistën e dytë me Valentina Imerajn (apo ndryshe, Tinën), e cila na njoftoi me disa gjëra më personale të karakterit të saj.
Rreth rutinës tënde:
Tina: Një ditë e imja rutinore, që është shumë e ngarkuar, fillon qysh herët në mëngjes – këto kohë ende pa lindë dielli, dhe është goxha një ndjesi e mirë me qenë një ndër të parat në rrugë dhe me fillu ditën herët. A e di atë shprehjen: “Kush çohet herët, i ka dy nafaka?” – unë ende të dytën jam duke e lyp. D.m.th. zgjimi herët në mëngjes, me u bo gati për emision dhe jo çdo herë na fillon dita me disponim dhe mbarë, e nganjëherë nuk na shkon muhabeti mirë as me Albanin e Labin, por në momentin që hyjmë në mikrofon dhe ndezet ajo drita e kuqe – si me na prek me pullë – bukfalisht, siç është edhe drita e On Air-it – gjithçka ndryshon dhe ndjesia që ta ofron është si një balon, në të cilin ti jeton dhe nuk prek në tokë.
Dy orët e para të mëngjesit janë shumë me energji të mirë dhe pozitive, të cilën edhe e marrim nga dëgjuesi, edhe e përçojmë anasjelltas. Mandej, ka angazhime ditore të shumta, diku rreth dymbëdhjetë orë punë brenda ditës, por që edhe kjo më përmbush shumë në aspekt të arritjeve dhe të obligimeve. Pastaj një gym në orën gjashtë pasdite, ndërsa në darkë me i taku të shpisë, me lexu diçka dhe me u bo gati për të nesërmen – dush dhe gjumë. Kaq është nga e hëna deri tek e premtja.
Rreth udhëtimeve:
Tina: Pyetja më e lehtë! Nuk e njoh asnjë njeri që nuk ka qejf me udhëtu, por dikush e ka fatin më të madh, ose ka hapësirë apo mundësi me udhëtu. Unë kam pas fatin që vite më përpara kam punu në industri të aviacionit dhe më është mundësu me udhëtu nëpër vende të ndryshme, edhe me punë por edhe për qejf…biles duke punu si agjente ki benefite, si p.sh. bileta më të lira, bileta pa pare apo bileta pa taksa, dhe e shfrytëzon rastin dhe udhëton gjithandej. Mandej, kur erdhi puna me pagu biletën vet: Ouch!
Kryesisht preferoj me udhëtu nëpër vende të nxehta se jam person që jam rrit në Afrikë, kështu që verën e pëlqej shumë dhe kryesisht mundohem me arrit dhe me shfrytëzu rastin me vizitu vende të nxehta dhe vende që nuk i kam pa deri më sot – të cilat i kam në bucket-list. E kam vizitu Evropën kryesisht. Tash sapo isha për herë të parë në Amerikën Latine, në Karaibe – ishte shumë bukur. Disa nga vendet që më kanë lënë ndoshta përshtypje më shumë në Evropë, dihet këto vendet metropolitane siç janë Londra, Parisi, Berlini dhe Viena.
Por, diçka që më ka mbet gjithmonë në zemër dhe në kujtesë është Bruge dhe Ghent në Belgjikë. Janë vende që edhe nëse kisha shku prapë, nuk e kisha pas aspak problem.
Rreth dashurisë:
Tina: Nganjëherë veprojmë duke mos e ditë çfarë impakti e kemi tek njerëzit që na rrethojnë…. Unë shquhem për energji pozitive, se nisem gjithmonë me pozitivitet dhe nuk njihem që kam paragjykime ose krijoj paragjykime dhe këtë e besoj shumë. Kryesisht nisem me pozitivitet dhe ia lë kohës me dëshmu të njëjtën apo të kundërtën.
Secilit na ndodhë me u zhgënjy, me u lëndu – normalisht, prej njerëzve që ti i don, qoftë familja, i dashuri/e dashura dhe shoqëria e ngushtë. Ndërsa, nga njerëzit e tjerë ato që vijnë i marr me rezerva. Kështu që, koncepti për dashurinë është: “Duhesh me jap për me marrë” – këtë e besoj shumë dhe është e dyanshme. E njëanshme nuk funksionon, kështu që duhet me pas sinqeritet dhe qëllime të mira absolutisht.
Rreth librave:
Tina: Rezolutat e Vitit të Ri, çdo vit që i bëjmë, është leximi i librave, dhe është në rreshtin e parë të arritjeve çka don ti me i bo gjatë atij viti. Sa arrij me i përmbush ato është pikëpyetje, por blej libra, nuk lexoj në mënyrë digjitale se më pëlqen ajo ndjesia e shfletimit dhe aroma që e ka libri. E kam fillu vitin me një lexim të një libri, i cili ka qenë një libër goxha i madh në vëllim. Quhet “Educated” nga Tara Westover – një lloj biografie e saj – shumë libër i këndshëm.
Autori që më ka pëlqy më së shumti kohëve të fundit dhe që e kom lexu më shumë është Haruki Murakami. I kam lexu disa libra nga ai. Kryesisht pëlqej libra të lehtë, të cilët nuk më ngarkojnë shumë. Nëse e kam pas një ditë shumë të ngarkuar dhe stresuese, kur lexoj kam qejf me u lidh me libër dhe mos me m’kriju ankth dhe prandaj ky libri Educated, të cilin e rekomandoj ka qenë shumë shumë i këndshëm.
Rreth sportit:
Tina: Nuk e mendoj jetën pa aktivitet fizik, kështu e kam pas qysh kam qenë e vogël. Babi ka qenë ai që na ka angazhuar në sport, duke dalë në mahallë dhe e kujtoj kur kam qenë 7-8 vjeç kam lujt me të rriturit. Jam marr me ping-pong, kam lujt volejboll, mandej kam provu bicikleta, rollera – të gjitha këto. Nuk kam lujt profesionalisht, mirëpo ju kam bashku ekipeve në ping-pong dhe volejboll, pas luftës normalisht. Fatkeqësisht, nuk ka pasë kushte të trajnimit dhe stërvitjeve të duhura dhe në mungesë të kushteve të humb edhe motivimi…por gjithsesi asnjëherë nuk jam ndal duke lujt për qejf, duke bo sport për qejf dhe kam provu yoga, pilates, crossfit.
Vrapoj kryesisht. Diçka që ka qenë dhe ka vazhdu me mbet konsistente është vrapi, të cilin e bëj tash vikendeve, meqë ditëve të javës nuk kam mundësi. Po ashtu, bëj gym 4 herë në javë – është diçka që e largon stresin, të motivon, të relakson. Lodhesh fizikisht normalisht, por motivimi më i mirë vjen kur sheh rezultate të mirëmbajtjes të shëndetit mendor, e para, dhe normalisht fizikut. Kështu që, bëj gym goxha intensiv dhe vrap…jam goxha aktive në sport.
Rreth feminizmit:
Tina: Është temë goxha aktuale – ka qenë dhe është bërë më shumë – në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave. I dimë rrethanat pak a shumë në të cilat ndodhemi, ku jemi rrit në një shtet patriarkal, ku burri është ai që vendos, gruaja nuk ka pas ose nuk ka shumë të drejtë mbi jetën e saj, mbi mirëqenien e saj. Konsideroj që ti arrin me qenë dhe me pas fjalën mbi atë që ti ke të drejtë duke qenë e edukuar dhe duke u emancipuar… normalisht që atë ta jep dhe ta krijon familja në të cilën ti je rrit dhe kushtet që i ke për shkollim. Shumica prej nesh – krejt në Kosovë kanë qasje në arsim. Nuk e di një vend që një grua nuk ka qasje në arsimim.
Hapi i parë drejt emancipimit është arsimimi – me qenë e zonja e vetvetes për t’u bërë vokal për të drejtat e gruas. Ne e vendosim në pah feminizmin atëherë kur na mohohen të drejtat e lirisë dhe të shprehjes… dhe çka më pengon më së shumti në Kosovë është që këtë ta vendosin në pikëpyetje, ta vendosin në kontestim mirëqenien tënde, d.m.th. ne kemi arritë, secila prej nesh, të punojmë me mund, me zell për të qenë dikushi për vetveten së pari dhe mandej për familjen, për rrethin dhe për shoqërinë. Ato që shkollohen dhe e marrin punën seriozisht dhe punojnë për veten e vet nuk presin asgjë prej askujt. Se unë mundem me i bo të gjitha, ashtu siç mundet një mashkull.
Mandej, lidhja me dikë ose bashkëjetesa, ajo është si një lloj marrëveshje, një lloj partneriteti, një lloj interesi që të dy palët e shprehin për të ndarë diçka nga vetja e tyre dhe për një të ardhme të përbashkët. Gjithsesi, pikë së pari qëndrojmë vet, pastaj bëhemi bashkë me dikë.
Kështu që, për të qenë e edukuar dhe e zonja e vetes, dhe rrjedhimisht e emancipuar, duhet me luftu vet. Çdo femër duhet të jetë e zonja e vetvetes… e për t’u bërë e zonja e vetes duhet të shkollohen dhe të arsimohen.
Rreth pasionit:
Tina: Nëse nuk ke pasion, je një njeri i zbrazët ose nëse nuk ke ëndrra je një njeri i zbrazët. Pavarësisht a ke me arrit me i realizu ato apo jo, është mirë me ëndërru se ato të mbajnë gjallë, të japin një shpresë dhe ke arsye me u zgju çdo ditë. Pasionet e mia janë siç e përmenda sporti – që dihet prej shumë njerëzve që unë rrethohem, puna të cilën e bëj me shumë dashuri dhe për të cilën punojmë për të pasë një mirëqenie sa më të mirë dhe një aspekt stabil financiar.
Po ashtu, më pëlqen vallëzimi shumë, më pëlqen me gatu shumë gjithashtu, bëj eksperimente edhe pse në mungesë të kohës më bjen më lehtë edhe më lirë me shku me hongër te mami (lol), por edhe kur gatuaj në shtëpi, bëj eksperimente ose marr receta nga Azia apo Afrika… p.sh. kisha hongër tri herë në ditë avokado dhe pasta. Gjithashtu, e kam pasion me provu receta të ndryshme të ushqimit, ndërsa ato të ëmbëlsirave i kanë motrat e mija. Pasion e kam edhe volejbollin.
Artin mundohem gjithmonë me kuptu përmes pikturave dhe më pëlqen me koleksionu piktura…
Një recetë nga Tina:
Sallatë libaneze:
Kuskus (i fërgon pak)
Shumë magdanoz
Rrushë të thatë
Badema
Trangull
Kjo përndryshe është ndër sallatat e fundit. Ndërsa, për pastat me fruta deti vdes.
Rreth vizionit:
Tina: Me qenë e lumtur dhe e përmbushur nuk është e lehtë, pasi gjithmonë je në kërkim të lumturisë dhe të qetësisë shpirtërore. Kur arrin me qenë e përmbushur me atë që je dhe me qenë falënderuese dhe rrjedhimisht mos me pasë brenga, mund të them se është arritja më e madhe që e konsideroj për dikë. Me gjet qetësinë shpirtërore…se njerëzit kalojnë periudha të ndryshme, kanë dhimbje, humbin njerëzit, familjarët e tyre, d.m.th. kanë sfida dhe vështirësi dhe ato të mësojnë dhe të forcojnë.
Që thonë: “What doesn’t kill you, makes you stronger” definitivisht, dhe vjen një kohë që ti duhet me tejkalu atë dhe arrin qetësinë shpirtërore. Vizionin për të ardhmen dhe për veten time e shoh ndoshta me qenë edhe sa më shumë e përmbushur në punë. Gjithmonë konsideroj që mundem ende me bo diçka, nuk jam tu e jap 100% – këtë e shoh si vizion – me arritë 100% tim, me zbulu dhe me njoft veten më shumë.
Është pafundësi njohja e vetes tonë në krejt aspektet, e cila kontribuon domosdoshmërisht në rrethin dhe shoqërinë tonë.