
Perspektivat e Rozafës dhe Erletës për vitin 2022
ote: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team
Mendoj se është e bukur mënyra se si shfaqemi në këtë botë, të pambrojtur dhe me shpresën që të provojmë sërish, pavarësisht situatave që na kanë thyer.
Mendoj se është akoma më e bukur mënyra se si këmbëngulim mbi guximin për të kërkuar për veten tonë të vërtetë duke refuzuar për të qenë diçka tjetër përveç se shpresues në këtë botë. Madje, ekziston një nivel i cili kërkon kurajo për t’u shëruar edhe atëherë kur dhemb.
365 ditët e vitit 2022, kushedi sa kanë qenë të vështira, të lumtura apo të hidhura për ndonjërin nga ne, është mirë t’i marrim si një mësim për të reflektuar dhe ndryshuar ato mendime që nuk na kanë shërbyer, dhe prapë më 31 dhjetor ta mbledhim forcën që t’i memorizojmë vetëm gjërat e mira për të hyrë në një vit me shpresën se do të jemi më mirë në të gjitha aspektet.
Sot duam t’iu njoftojmë me disa nga gjërat që i mësuam nga ky vit, të gjitha të bazuara nga perspektiva jonë.
Njohja e vetvetes. Ta njohësh veten si një person i cili e di saktë çfarë do dhe të pranosh në jetën tënde persona që janë “emocionalisht të padisponueshëm” (emotionally unavailable), nganjëherë të vë në dyshim për gjendjen emocionale që po kalon. Këtë vit krijova pritshmëri pikërisht nga persona të cilët ishin duke kaluar krejtësisht diçka tjetër në jetë. Fatkeqësisht, kur njerëzit zgjedhin të prezantojnë para teje vetëm atë që ata dëshirojnë, lind kureshtja për të ditur akoma më shumë, e kur mungojnë informatat, kemi vetëm një verzion të mirë nga ta i cili na bënë të lumtur dhe na lejon t’i duam për atë që ne kemi krijuar në mendjen tonë.
Andaj:
– Mos krijo pritshmëri
– Mos i arsyeto veprimet e pasjellshme
– Mos i merr gjërat personale, pasi jo të gjithë njerëzit i kalojnë gjërat njësoj
– Mos prit që njerëzit të mendojnë si ti apo të sillen si ti
– Shfaqi emocionet tua
– Ti nuk ke nevojë të jesh ajo/ai, që ata kanë nevojë.
(Erleta’s POV)
Ta ngresh zërin. Ngjarjet dhe situatat që kanë ndodhur në vitin 2022 nuk mund t’i mohojmë assesi. Në vend të kësaj, ne duhet t’i pranojmë dhe të reagojmë kundrejt tyre. Këtë mund ta bëjmë përmes ngritjes së zërit, aty ku kemi hapësirë, por në disa raste edhe të dalim nga rehatia jonë dhe të bërtasim dhe t’i luftojmë ato pabarazi, padrejtësi e fatkeqësisht edhe dhunën (verbale, fizike, seksuale) që vazhdon të jetë prezente në vendin tonë.
Këto janë disa nga problematikat që shoqëria jonë përballet pothuajse çdo ditë, qoftë në familje, në shoqëri, në institucionet publike, në vendin e punës… e në çdo vend që frymojmë.
Pse ne “zgjedhim” të heshtim?
Shënim: Zgjedhja jonë për të mos folur prapë konsiderohet zgjedhje.
Për mendimin tim, ne zgjedhim të heshtim sepse:
Nuk është problemi ynë, i paraqitur si: “Për sa kohë që nuk më ndodhë mua, unë jam në rregull”.
Nuk na takon neve të përfshihemi, mendim i paraqitur si: “Pse t’i shkaktoj vetes kokëdhimbje dhe energji kur nuk po i ndodhë dikujt që unë e njoh”, apo verzioni më i keq “S’ka pse të më interesoj mua”.
Frika. Mendoj se ne si shoqëri nuk dimë mjaft mirë t’i kundërvihemi sulmit, apo më mirë të them nuk na është mësuar dhe lejuar të përballemi me frikërat tona?! Frika që ne pavetëdije e quajmë “S’më takon mua të përfshihem” rezulton të jetë një mekanizëm shumë i përdorshëm në shoqërinë tonë.
Problemet tona shoqërore janë rrënjësore dhe nuk ndryshojnë brenda natës. Por, si çdo gjë tjetër në jetë duhet t’i kushtojmë kohë dhe angazhim të përditshëm në mënyrë që të bëhet një ndryshim i dukshëm.
Si mund ta ndryshojmë këtë? Fillo me mentalitetin tënd.
– Njoftohu me x çështjen.
– Fol me dikë që ka njohuri më të gjera për x çështjen
– Mos “e mbroj” ose mos “e gjyko” rastin pa i ditur të dhënat e sakta
– Ndalo, proceso, e pastaj ndërtoje një mendim konstruktiv dhe të paanshëm
– Bëhu racional në ndërtimin e mendimit dhe jipe një mesazh kontribues dhe pozitiv.
(Rozafa’s POV)
Mirënjohja. Të jesh mirënjohës për familjen dhe shoqërinë shumëvjeçare. Që nga pandemia kam filluar të kem një ndjenjë që po bëjmë një jetë të shpejtë dhe po harrojmë t’i vlerësojmë personat që kemi në jetë. Ajo që me të vërtetë kemi nevojë janë njerëzit që na njohin dhe ata që tashmë na kanë pranuar siç jemi. Kam parë që në fund të ditës, ata që mbesin me mua dhe për mua janë personat që më duan pa kushte.
Andaj:
– Thoni më shpesh se i doni
– Ndani kohë nga përditshmëria juaj me ta
– Telefononi kur keni kohë
– Ndaje rutinën tuaj me ta (diçka që ju shqetëson, diçka që ju gëzon)
– Tregojuni që jeni me fat që i keni.
(Erleta’s POV)
Ta shijosh momentin. Kjo është një frazë që thuhet aq shpesh, saqë nganjëherë mund të duket se e ka humbur esencën. Mirëpo, të jetosh në të tashmen fillon me perceptimin tënd rreth vetes dhe botës që të rrethon. Rëndesat emocionale dhe mentale janë padyshim dy nga arsyet e faktit se ne jetojmë në të kaluarën apo në të ardhmen.
Dua t’i potencoj disa praktika që mund t’iu ndihmojnë ta fuqizoni këtë mendim dhe akt, duke iu paraprirë mendimeve negative, për të arritur më shpejtë në stabilizimin dhe jetësimin e të tashmes.
– Harroj obligimet dhe përgjegjësitë për një moment
– Medito
– Shpërqendroje veten kur po e kupton se po thellohesh shumë në një mendim/emocion
– Pyete veten tënde rreth shqetësimeve që po i ndjen
– Tento t’i kuptosh shkaktarët që po ndikojnë në gjendjen tënde
– Puno drejt vlerësimit ndaj vetes.
(Rozafa’s POV)
Prioritizimi i shëndetit. Këtë vit unë dhe mami kaluam në një gjendje shëndetësore dhe ju nënshtruam operacionit, gjë e cila më la të kuptoj që kur je keq atëherë e kujtojmë që ekziston diçka më madhështore, si lutjet ndaj Zotit. Madje nuk të kujtohen as njerëzit që i don më së shumti, por vetëm e kërkon ndjenjën që ishe rehat me trupin tënd dhe problemi më i madh në jetën tënde ishte si ta përfundoje ditën për të bërë një gjumë sa më të rehatshëm.
Nga ky vit shpresoj që edhe ju të keni marrë mësime nga gabimet e juaja apo nga situatat të cilat nuk kanë rezultuar ashtu si ju i keni menduar. Thjesht mos harroni se “You are loved” dhe në këtë botë asgjë nuk është më e rëndësishme sesa të jeni rehat me veten.
(Erleta’s POV)
Ta duash veten. Një mësim shumë i vlefshëm, që mundohem secilin vit ta aplikoj është dashuria ndaj vetvetes – ndaj tipareve të mija të personalitetit, të dukjes time fizike, ndaj opinioneve dhe qëndrimeve të mija – të cilat më përkufizojnë mua, në atë moment të caktuar të jetës.
Mendimi negativ dhe bullizues ndaj vetvetes nuk na çon askund, thjesht na demoralizon dhe nuk na lejon ta kuptojmë “të vërtetën” – atë të cilën ne luftojmë vazhdimisht për ta arritur.
Mendimi pozitiv dhe qasja empatike ndaj vetvetes na lejon ta njohim veten më thellë, t’i kuptojmë situatat në mënyrë të zgjuar dhe t’i anashkalojmë gjërat që nuk na shërbejnë më në jetë.
(Rozafa’s POV)