Live Stories from Prishtina

LIVE

31 Janar, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Kanë me tu kujtu fjalët që unë t’i kam thanë. Ka me çel pranvera e krejt lulet kanë me dalë, ke mu bo rahat natën gjumi ka me të marrë, se toka edhe qielli dhimbjen kanë me ta mbajtë, për premtimet që ua ke dhanë.

***

Çfarë e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?

***

“Kam njëfarë përshtypjeje që pikërisht pse ne po kujdesemi gjithnjë e më shumë për fëmijët dhe pikërisht pse e keni ndërmend të m’i besoni fëmijët tuaj për t’i rritur unë, jeni duke më thënë ‘Albin Baba’. Dhe unë e pranoj këtë sfidë,” tha Kurti në një nga tubimet e tij, në ditën e 20-të të fushatës, kur kanë mbetur edhe 10 ditë deri në zgjedhje. Për pak mendova se e kishte ndërruar gjuhën dhe se në ditën e fundit do të befasohesha për të mirë, por po ndodh e kundërta – po befasohem me vazhdimësinë e fjalimeve.

Çfarë spektakli pa shije! Sa përkon kjo thirrje me realitetin? Si mundet një politikan me 51 për qind të kërkojë të thirret baba? Dikur, me një paraqitje më karakteristike, dukej si njëfarë rock-star-i, por tani as argëtues e asgjë tjetër nuk po duket.

Albini më herët ka mbajtur fjalime – fjalime që elektrizonin sallën. “Ata kanë xhipa, ne kemi trotuare” ka qenë historike… por tani edhe të mburret me fjalët që thuhen?! Dhe për këtë dënohesh… Për shembull, dje Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur me 10 mijë euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për deklaratën e Donika Gërvallës, ministres së Jashtme, e cila Ramush Haradinajn, kandidatin për kryeministër të koalicionit “Kosova Fituese”, e quajti “Gjeneral të vetëshpallur”.

E lexova diku madje:

“Dënimet e shqiptuara nga PZAP mbase e tejkalojnë një çerek milioni euro.
Nuk kishte pasur vend më të mirë për t’i shpenzuar këto para sesa në bursa për, ta zëmë, 50 studentë për një vit.
Bile këto të ishin marrë me shkenca ekzakte, e jo me broçkulla.”

Tani, një krahasim i 10 ditëve të fundit të fushatës me ato të Ramazanit… Bash kisha dashur të dija, a ka agjëruar ndonjëherë kryeministri që e di sa e vështirë është?

***

Kur flasim për cep më cep, tubimi i djeshëm i PDK-së në Mitrovicë ishte prej qoshes në qoshe.

***

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, sot më 31 janar 2025, vjen me një koncert të veçantë. Ylli italian i flautit, Andrea Griminelli, do të vijë në Prishtinë për këtë koncert nën drejtimin e mjeshtrit Dario Salvi. Me flautisten e mirënjohur kosovare, Venera Mehmetagaj-Kajtazi, do të interpretojnë kohën e tretë të Koncertit për dy flaute nga Cimarosa. Në këtë mbrëmje, në shënim të 255-vjetorit të lindjes së Beethoven-it, orkestra do të interpretojë edhe Simfoninë e 8-të të gjeniut klasik, ndërsa gjithashtu do të ekzekutohet edhe premiera e veprës ‘Rush Hour 2’ nga kompozitori kosovar Lum Halabaku.

***

Në mes të fjalëve, politikës dhe muzikës, dita e djeshme në Kosovë u përmbyll me një kontrast të thellë – mes premtimeve të fushatës dhe melodive që mbeten të paharruara. Nga debatet e zjarrta në tubime deri te tingujt e flautit në skenën e Filharmonisë, gjithçka dëshmon se ky vend jeton në dy botë paralele: njëra e mbushur me fjalë e premtime, tjetra me art dhe përjetësi. Dhe ndoshta, diku në këtë mes, është edhe shpresa për një të nesërme më të mirë.