Dje n’Kosovë
8 Tetor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Kam mësuar shumë gjëra nga jeta, por mësimi më i thellë deri më tani është ky: gjithçka mund të ndryshojë sa e hapë e mbyllë syrin. Ndonjëherë për mirë, ndonjëherë për keq.
Momente që kurrë s’i ke imagjinuar mund të ndodhin, ndërsa planet që dikur i kishe si vizion mund të mos realizohen kurrë. Prandaj thonë se jeta është e paparashikueshme. Mund të duket e frikshme, por disi unë arrijë ta shoh bukurinë brenda asaj pasigurie. Ka gëzim dhe aventurë, por edhe trishtim e pengesa. Ka dashuri dhe qetësi, por edhe humbje e dhimbje.
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Në Kosovë dashuria për arsimin duket se shpërthen vetëm kur afrohen kutitë e votimit.
Qeveria në detyrë e Kosovës, pesë ditë para zgjedhjeve lokale, ka vendosur të ndajë 26 milionë euro për studentët – 20 milionë për mbështetje bazuar në distancën e studimeve dhe 6 milionë për një shtesë prej 100 eurosh për çdo student në fillim të vitit akademik.
Përveç kësaj, janë ndarë 1 milion euro për pako ushqimore për familjet në nevojë dhe fonde për subvencionimin e energjisë elektrike për familjet me të ardhura të ulëta.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e ka arsyetuar vendimin si vazhdimësi të premtimeve të qeverisë Kurti dhe mbështetje për studentët.
Megjithatë, opozita (PDK dhe LDK) e ka kritikuar vendimin, duke e quajtur “blerje të votës” dhe shfrytëzim të parave publike për përfitime elektorale.
Edhe shoqëria civile, përmes Institutit Demokratik të Kosovës, ka vlerësuar se ky veprim bie ndesh me kufizimet ligjore për qeveritë në detyrë dhe krijon avantazh të padrejtë zgjedhor.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka ndarë edhe 2.5 milionë euro për tekste mësimore, 150 mijë euro për projekte me OKB-në dhe 50 mijë euro për trashëgiminë kulturore.
***
Po duket se Prishtina paska nevojë për më pak “oligarkë” dhe më shumë statusa në Facebook për t’u bërë e jetueshme. Nashta biznismena me kredi deri ne fyt po, a oligark në Kosovë, në Prishtinë pajjjj s’po di çka me të thanë…
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ashpërsuar kritikat ndaj qeverisjes komunale të Përparim Ramës në Prishtinë, duke e akuzuar për ndikim të oligarkëve në zhvillimin e qytetit dhe mungesë vizioni.
Në një postim në Facebook, Kurti tha se Prishtina është bërë e vështirë për të jetuar, duke kërkuar votën për kandidatin e Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku, të cilin e cilësoi si “profesionist, i ndershëm dhe pa pazare politike”.
“Nuk mund të bëhesh e as të jesh kryetar i Prishtinës kur oligarkët ta përcaktojnë kahjen e zhvillimit të qytetit. Nuk kalojnë të tillët më në Prishtinë, e Prishtina nuk e lejon më këtë”, ka shkruar Kurti.
Ai premtoi se me Çekun dhe Vetëvendosjen, Prishtina do të qeveriset me dije, drejtësi dhe dashuri për qytetin, ndërsa u zotua për “ndryshim dhe fitore të madhe për kryeqytetin”.
***
Është ky vallëzim i vazhdueshëm mes të kundërtave që e bën çdo moment të jetës kaq të çmuar. Sepse jeta nuk është kurrë vetëm një gjë ose tjetra. Ajo është i gjithë spektri i përvojës, nga thellësitë më të errëta deri në lartësitë më të ndritshme.
Nuk mund të zgjedhim njërën duke refuzuar tjetrën. Të mbrohemi nga dhimbja do të thotë të mbyllim veten edhe ndaj gëzimit. Ashtu si yjet që nuk mund të shkëlqejnë pa errësirën, edhe ne duhet të ecim përmes saj dhe ndoshta, kur të vijë fundi, do të mund të themi: ja vlejti, sepse zgjodhëm të jetonim.