Dje n’Kosovë
29 Dhjetor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Të dashur lexues të Republikës,
Nëse dikush kishte dyshime se kush e ka pushtetin në këtë vend, kutitë e votimit e kanë ndalë atë zhurmë. Zgjedhjet e jashtëzakonshme të së dielës nuk sollën thjeshtë një fitues, ato prodhuan një verdikt që mezi mund të injorohet.
Lëvizja Vetëvendosje me një elegancë numerike, ka dalë forcë e parë me 49.3 për qind të votave, ose 429 mijë e 979 qytetarë që vendosën të flasin qartë.
Një rritje prej 7 për qind krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit, pa llogaritur ende diasporën, e cila lirisht mund të themi që janë meritorët e këtij rezultati, votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
Me një pjesëmarrje prej 44.59 për qind, populli votoi dhe këtë herë, nuk foli me gjysmë zëri.
Një realitet politik ku Lëvizja Vetëvendosje mund ta formoj e vetme qeverinë, me komunitetet joserbe, nënkupton pushtet i pakontestueshëm parlamentar.
Në renditje, PDK-ja zë vendin e dytë me 21,01 për qind ose 183 mijë e 258 vota, një rezultat pothuajse identik me zgjedhjet e shkurtit.
Ndërkaq, LDK-ja përjeton rënien më të madhe, duke u ndalur në 13,56 për qind ose 118 mijë e 490 vota, një tkurrje që nuk mund të mbulohet me fjalitë “do ta mbajmë një mbledhje”, AAK-ja kalon pragun me 5,68 për qind të cilët ja kanë borxh një darkë elektoratit të tyre besnik, ndërsa Nisma Socialdemokrate mbetet jashtë Kuvendit me vetëm 1,72 për qind.
Lista Serbe deklaron se ka siguruar të gjitha 10 ulëset e rezervuara, me pretendimin për 90 për qind të votave të komunitetit serb, ndërsa partia e Rashiqit merr mbi 11 për qind dhe mbetet me një deputet.
E kur flasim sa ka sa kanë pjesëmarrje me mandate në Kuvend;
Vetëvendosja siguron 56 mandate, PDK-ja ka 23, LDK-ja me 15, AAK-ja me 6. Një rritje prej tetë ulësesh për VV-në, humbje për PDK-në dhe një rënie e ndjeshme për LDK-në. Për krijimin e institucioneve duhen 61 vota dhe kjo shumicë tashmë duket më shumë çështje procedure sesa “pazari”.
Në teren, Vetëvendosja shtrihet gjerësisht, duke dalë forcë e parë në 24 komuna, përfshirë bastione tradicionale të opozitës. PDK-ja ka Drenasin dhe Skenderajn, AAK-ja Deçanin, ndërsa Mamushën KDPT-ja.
Çfarë ndodhë tash?
Albin Kurti, fituesi i padiskutueshëm, menjëherë me një qetësi maksimale për krijim të shpejtë institucionesh, bashkëpunim me opozitën dhe marrëveshje ndërkombëtare që kalojnë shifrën e 1 miliard eurove nga Plani i Rritjes i BE-së dhe Banka Botërore. Presidenti i ardhshëm? Një kapitull që kërkon dialog dhe së paku 80 deputetë në sallë edhe nëse votojnë kundër.
Ndërkohë, LDK-ja reflektorët i ka kthyer nga vetja. Lumir Abdixhiku merr përgjegjësi, nuk e përjashton dorëheqjen dhe flet për reflektim.
Zëra brenda partisë kërkojnë veprim, të tjerë u bëjnë thirrje votuesve të mbajnë kokën lart. AAK-ja shpreh gatishmëri për bashkëpunim, ndërsa PDK-ja, për momentin, zgjedh heshtjen, nashta mendon që ndërron ky rezultat.
Procesi zgjedhor përkundër disa parregullsive teknike dhe pesë rasteve penale të iniciuara, u zhvillua qetë dhe pa incidente serioze.
Policia, Prokuroria dhe monitoruesit ndërkombëtarë konfirmojnë një ditë votimi demokratike, me probleme të njohura: asistenca në votim, energjia elektrike dhe lokalizimi i vendvotimeve.
Edhe bota vështroi. Associated Press, Reuters, The Guardian dhe Washington Post i panë këto zgjedhje si përpjekje për t’i dhënë fund një ngërçi njëvjeçar politik.
Kështu, të dashur lexues, fituesi veç po dihet, a do të jetë kjo qeverisje po aq bindëse sa fitorja? Kjo mbetet për t’u parë. Por për sot, një gjë është e sigurt, populli foli, dhe politika tash duhet të dëgjoj.
