Dje n’Kosovë / foto: Nita Meqa
12 Maj, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues, siç thotë edhe një thënie: mirësia është një gjuhë që të shurdhët mund ta dëgjojnë dhe të verbërit mund ta shohin. Këtë gjuhë duhet ta njohin të gjithë ata që e shohin veten si njerëz. Aktet e sinqerta të mirësisë flasin vetë. Ato kalojnë përtej kufijve të gjuhës, kulturës apo aftësive fizike.
***
Çka ndodhi dje në Kosovë:
Nuk dua të jem si ajo karikaturë e ditës nga Jeton Mikullovci, ku kolltuku i ka zënë rrjeta të merimangës nga pritja për konstituimin e Kuvendit. Nuk dua të hasë në paqëndrueshmëri politike, kjo tashmë është pjesë e motit të këtyre ditëve, e as nuk e kam kërkuar fatin e Papa Benediktit XVI. Thjeshtë kam nevojë të di: a e brenë ndonjërin ndërgjegjja për përgjegjësinë që ka ndaj popullit?
Do të doja që ditët në vendin tim të mos karakterizoheshin nga kaq shumë vrasje dhe vetëvrasje, që kohët e fundit janë bërë lajm i përditshëm.
***
Në një nga ngjarjet që shokoi vendin për misterin që mbartë, ishte vrasja e policit Muharrem Lika, në prill të vitit 2025. Ai u qëllua për vdekje në hyrjen e banesës së tij.
Më vonë, autoritetet dolën me pohime se ngjarja kishte lidhje me ekstremistët radikalë, të njohur si “Rinia Islamiste e Kaçanikut”.
Dje, emisioni investigativ “Piranjat”, i transmetuar në Syri TV, publikoi një kronikë me titullin “Qyteti i Ekstremistëve”, duke hedhur dritë mbi detaje të reja rreth vrasjes së rreshterit Muhamet Lika në Kaçanik.
Materiali shqyrton nga afër sfondin e ngjarjes dhe sjellë dëshmi që kundërshtojnë versionin zyrtar të autoriteteve.
Një ndër zërat kryesorë në kronikë është babai i të dyshuarit kryesor, Rejan Bela, një i ri i arrestuar për dyshime në përfshirje me ekstremizëm fetar.
Ai deklaron se djali i tij ka qenë në shtëpi në momentin e ngjarjes: “Djalin e kam pasur në shtëpi,” shprehet ai për “Piranjat”, duke vënë në dyshim akuzat ndaj të birit.
I dashur lexues, a kemi mësuar të kërkojmë të vërtetën përtej titujve?
***
Për të 14-tën herë, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar votim të fshehtë për Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit dhe themelimin e një komisioni mbikëqyrës. Por opozita refuzoi të jap emra apo të marrë pjesë në votim.
PDK, LDK dhe AAK e kanë cilësuar këtë insistim për votim të fshehtë si shkelje të Kushtetutës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje akuzon opozitën për bllokim të procesit.
Albulena Haxhiu u shpreh se për të dhe për Vetëvendosjen është shqetësues mosrespektimi i një aktvendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Cili aktvendim, oj zonjë?
A ka një vendim të qartë që urdhëron votim të fshehtë për postin e kryetarit të Kuvendit? Apo po keqpërdoret autoriteti i Kushtetueses për të legjitimuar një manovër politike?
Sepse në një klimë ku të gjithë pretendojnë të jenë më të drejtët, më kushtetuesit dhe më parimorët, e vërteta shpesh mbetet peng i interpretimit të radhës.
***
Takimin e djeshëm me deputetë, AAK-ja e ka shfrytëzuar për të vazhduar mbledhjen e nënshkrimeve, që do t’i bashkëngjiten një kërkese për Gjykatën Kushtetuese. Qëllimi është të sqarohet nëse kryesuesi i Kuvendit ka shkelur Kushtetutën duke kërkuar votim të fshehtë për kryeparlamentarin.
***
Dje u konfirmua zyrtarisht se këngëtarja Dua Lipa do të jetë performuese në edicionin e këtij viti të Sunny Hill Festival në Prishtinë.
Këtë e konfirmoi edhe faqja zyrtare e festivalit, pas publikimit nga vetë Lipa të datave të turneut të saj. Nuk është bërë e ditur ende dita e saktë e performancës së saj, por ajo pritet të jetë në njërën nga datat 1 deri më 3 gusht, kur edhe mbahet festivali.
***
Për të ndryshuar jetën, për të realizuar një ëndërr apo për të arritur një qëllim, nuk duhet të presim momentin “e përkryer”, duhet të fillojmë. Shpesh mbingarkohemi nga ideja e perfeksionit, frika e dështimit apo pesha e rrugës përpara. Por heqja dorë nga vonesat është hapi i parë. Fillimi mund të jetë i vogël, i pasigurt, i ngadaltë, por është gjithmonë më i fuqishëm se të qëndrosh në vend.