Live Stories from Prishtina

LIVE

10 Gusht, 2026

“Ne jemi ajo që bëjmë vazhdimisht. Përsosmëria, pra, nuk është një akt, por një zakon”

Aristotle

Nuk e di a ka ndonjë fjali tjetër që e përshkruan më mirë mënyrën se si, pa e kuptuar e ndërtojmë jetën tonë. Me njerëzit që ndaj shumicën e kohës e kam vënë re se të gjithë kemi një zakon që e përserisim mendojmë se jeta ndryshon në momentet e mëdha.

Kur të gjejmë punën e ëndrrave, kur të kemi më shumë para, kur të shpërngulemi, kur të fillojmë palestrën, kur të kemi më shumë kohë, kur të vijë ajo e hëna që gjithmonë e presim.

Sikur ekziston një version tjetër i jetës, që na pret diku pas një date të caktuar.

Por ndoshta jeta nuk po na pret askund, ndoshta jeta është ajo që bëjmë sot, për herë të njëqindtë.

Mënyra si e fillon mëngjesin, mënyra si i flet një njeriu kur je i lodhur, mënyra si sillesh kur askush nuk të sheh. A e mban fjalën që ia ke dhënë vetes? A e shtyn edhe një herë atë gjënë që e di se duhet ta bësh? A i telefonon dikujt që e ke dashur shumë, apo thjesht e sheh online dhe mendon “do ta marr një ditë”?

Këto duken si gjëra të vogla por jeta në fakt, është aq e vogël sa që është e përbërë prej tyre.

Ne kemi filluar të mendojmë se duhet të bëjmë diçka madhështore me jetën tonë, ndërkohë që pjesën më të madhe të saj e kalojmë duke bërë gjëra krejt të zakonshme.

Zgjohemi, pijmë kafe, shkojmë në punë, kthehemi në shtëpi, hapim telefonin, shikojmë çfarë po bëjnë të tjerët, hamë diçka, flasim me dikë, mendojmë për paratë, bëjmë plane, lodhemi, flejmë dhe të nesërmen, përsëri.

Është pak frikshme kur e mendon kështu, sepse nëse e përsërisim një ditë mjaftueshëm herë, ajo nuk mbetet më thjesht një ditë, bëhet vetë jeta.

Mbase kjo është arsyeja pse zakonet tona janë më të fuqishme sesa qëllimet tona. Qëllim të bën të ëndërrosh për atë që do të bëhesh e një zakon të tregon se kush je.

Mund të thuash çdo të diel se këtë javë do të lexosh më shumë, do të kujdesesh për veten, do të jesh më i qetë, do të punosh për atë projektin tënd, do të largohesh nga njerëzit që të bëjnë keq. Ama kur vjen e hëna edhe nuk je tek ajo që ke planifikuar por te ajo që e përsërit.

Definitivisht ditët kur ndihemi të motivuar janë shumë më të lehta dhe karakteri i njeriut nuk ndërtohet në këto ditë kur ndihesh i tillë. Karakteri ndërtohet të martën në ora 17:40, kur je lodhur nga puna, nuk ke nerva për asgjë dhe megjithatë zgjedh të mos e kthesh një fjalë të keqe me një fjalë edhe më të keqe.

Ndërtohet kur askush nuk të kontrollon dhe ti prapë e bën punën siç duhet, kur ke mundësi të gënjesh dhe zgjedh të thuash të vërtetën, kur ke arsye të dorëzohesh dhe vendos të bësh edhe një hap.

Një jetë e mirë nuk është domosdoshmërisht një jetë që duket mirë nga jashtë, ndonjëherë është vetëm një jetë ku ti e di pse po bën atë që po bën.

E as nuk kërkon ndonjë filozofi të madhe, mund të jetë aq e thjeshtë sa të zgjohesh nesër dhe të mos e prekësh telefonin për pesëmbëdhjetë minuta.