Dje n’Kosovë / foto: Nita Meqa
2 Shtator, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës së djeshme me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues, a e di një këngë që quhet “Stairway to Heaven” që në refren thot kështu: Po, janë dy shtigje nga të cilat mund të shkosh, por në një plan afatgjatë ke ende kohë të ndryshosh rrugën ku je nisur. (yes there are two paths you can go by, but in the long run there is still time to change the road you are on). Lexo edhe njëherë… <3
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Dështon mbledhja e parë e kryesisë së Kuvendit, PDK e LDK, nuk marrin pjesë, akuzojnë Bashën se po shkelë Kushtetutën, Vetëvendosje vlerëson se kryesia ka legjitimitet.
Duke pohuar se të gjithë deputetët e Listës Serbe i janë nënshtruar zgjedhjes nga tri herë për nënkryetar, Basha ka konsideruar se kandidimi për ta është konsumuar, duke u lidhur me aktgjykimin që lëshoi më 8 gusht, Gjykata Kushtetuese tha që brenda 30 ditësh duhet të zgjidhet kryeparlamentari i ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.
A e ka mirë a s’e ka? Po më duket që prap duhet të hyjë në lojë Kushtetuesja!
***
Presidenca po kryen analizë lidhur me konstituimin e Kuvendit, e Vetëvendosja ka paralajmëruar se së shpejti do ta dërgoj emrin për kryeministër.
Tash, rrjedha e afatit fillon kur vihet në veprim presidentja e vendit, e cila në konsultim me partinë fituese, në këtë rast Lëvizjen Vetëvendosje, kjo e fundit e dërgon propozimin për të marrë mandatin për të formuar qeverinë.
Nga momenti i marrjes së mandatit, ka afat 15 ditë ta formoj Qeverinë dhe konsiderohet i zgjedhur nëse i merr 61 vota. Në rast që jo, vjen në konsideratë diskrecioni i presidentit. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit mund të mandatojë këdo që arrinë të bindë presidenten që ka arritur të sigurojë 61 vota. Nëse pas tentativës së dytë nuk arrihet, vendi realisht duhet të shkojë në zgjedhje.
Nëse veç shkohet në zgjedhje, mundësia që ato lokale dhe parlamentare të mbahen përnjëherë ka kaluar, kjo pasi lokalet do të mbahen me 12 tetor, e ato parlamentare mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes nga Presidentja.
***
Edhe nëse LVV mbërrin ta formoj qeverinë e re, pa një shumicë më të gjerë se ajo e thjeshta, proceset që kërkojnë më shumë se 61 vota do të mbesin të bllokuara.
Një sfidë e madhe pritet të jetë edhe zgjedhja e presidentit të ri në prill, kur përfundon mandati i presidentes Osmani. Për këtë nevojiten 80 deputetë të pranishëm, numër që duket vështirë i arritshëm për LVV-në pa një kompromis të gjerë politik.
Përvoja nga e kaluara, që nga shpallja e pavarësisë, ka treguar se ky moment shpesh është shndërruar në burim krizash të thella politike.
Në mungesë të një marrëveshjeje më të gjerë ndërmjet partive, edhe kësaj radhe procesi mund të paraqes një sfidë serioze për stabilitetin institucional.
***
Lista Serbe dhe Demokracia Serbe, janë çertifikuar për zgjedhje, anëtari i LVV-së në KQZ, Alban Krasniqi, akuzon diplomatët e huaj në Kosovë për ndërhyrje.
Gjatë mbledhjes së djeshme të KQZ-së, gjatë të cilës u kumtua se do të merret vendimi për certifikimin e Listës Serbe, Krasniqi ka sulmuar me fjalë gjyqtarin e Gjykatës Supreme, Zenel Lekun duke pretenduar se gjykatësi Leku “ka interesa bashkë me ata tjerët”, duke iu referuar lidhjeve me Listën Serbe.
“Unë kam dërguar e-mail zyrtar te ai personi që e ka emrin gati si Zlatan Eleku, qashtu dul edhe me mënyrën se si ka dirigju me këtë proces. Zenel Lepa, kush është ky kryesuesi”, tha ai.
Pse s’ishte ky interesim edhe ma herët për largim të Listës Serbe?
***
Pianistja kosovare Melisa Ibrahimi shpallet laureate në Itali
Në një garë kur zakonisht vetëm emra me karriera të gjata arrijnë ta fitojnë, pianistja 23-vjeçare, Melisa Ibrahimi ka thyer rregullin në “Mimas Festival” në Itali, duke u shpallur laureate. Ky çmim, që për shumë muzikantë vjen pas dekadash përvoje, për Melisën është bërë një përmbledhje e arritjeve të saj të deritanishme.
***
Në mesin e gjithë këtyre zhvillimeve politike që shpesh na duken të ndërlikuara, lajme si suksesi i Melisa Ibrahimit sjellin një ndjenjë krenarie dhe gëzimi. Ajo na kujton se, pavarësisht sfidave, Kosova ka gjithmonë njerëz të rinj që me talentin dhe punën e tyre na bëjnë të shohim përpara me optimizëm. Si në këngën “Stairway to Heaven”, gjithmonë ka kohë për ta ndryshuar rrugën dhe gjithmonë ka arsye për të besuar se ajo rrugë mund të na çojë drejt një të ardhmeje më të mirë. <3