The sun came up today
22 Dhjetor, 2025
Të jesh i pasionuar pas leximit ndihmon në zgjerimin e horizontit tuaj, në zbulimin e vetes tuaj, si dhe hap rrugët për të gjetur të vërtetën brenda jush.
Nëse shtëpia juaj e ka librin shtyllë kryesore, nëse ju e gjeni veten pas mesnatës duke u ushqyer me kapitujt e fundit të një libri që e keni nisur tash e sa ditë, e po ashtu nëse e ke lënë festën më herët sepse jeni zhytur në historinë e karakterit tuaj të preferuar, atëherë ju jeni të familjarizuar me gëzimin kur dëgjoni për një libër të ri në librarinë e qytetit.
Librat janë dyer të hapura në një dhomë përtej. Histori që vazhdojnë, fundi i cili është vetëm një fillim i ri, tiparet e një karakteri që të bëjnë të biesh kokë e këmbë në dashuri, fjalët e pathëna dhe jetët e pajetuara, të gjitha këto copëza që mund t’i hasësh në histori të ndryshme në libra. Librat kërkojnë vëmendjen dhe përkushtimin tuaj, që ta gjeni edhe shtegun drejt një mendje që mendon ndryshe nga dje, një mendje e cila ka marrë këndvështrime të reja dhe e cila të ka njoftuar me një destinacion tjetër të jetës.
Për të gjithë admiruesit e librave, unë ju propozoj tri libra të cilat ja vlen t’i lexoni, pasi secili ofron një mësim të veçantë dhe për secilin do ta ndajë situatën e cila më ndihmoi ta kuptoja më mirë dhe ta merrja si të mirëqenë.
Trust Life, shkruar nga Louise Hay
Ajo çfarë autorja Hay na prezanton me “Trust Life”, është një formë e të jetuarit. Libri bazohet në konceptin se “atë që japim, e marrim mbrapsht”. Ne të gjithë kontribuojmë dhe jemi përgjegjës për ngjarjet që ndodhin në jetën tonë, si të mirat ashtu edhe të ashtuquajturat të këqijat.
Në 2023-ën po kaloja ato ditët e shpeshta të qenit e pakënaqur me gjithçka që kisha dhe që më rrethonte… Pas një kohe humba edhe punën time dhe mungesa e saj më bëri të kuptoja që humba diçka që në fakt që e doja shumë.
Nejse… pas një kohe të shkurtër patjetër më është dashtë me gjetë një punë. Gjatë kësaj periudhe nuk e kam fajësu askënd, jam mundu me e vendos në baraspeshë gjithçka që ndodh dhe kjo më ka leju me u fokusu në punën aktuale që po e bëja.
Kam gjetë dashni në gjithçka që kam punuar, e njëjta më është kthy mbrapa kur m’u kërkua të kthehesha në punën të cilën e humba. Pjesa tjetër mbetet histori.
Kur krijojmë paqe dhe harmoni në mendjen tonë dhe mendojmë pozitivisht, ne do të tërheqim përvoja pozitive dhe njerëz me mendësi të njëjtë tek ne. Në thelb, ajo që ne besojmë për veten dhe për jetën bëhet e vërtetë për ne.
Loving what is, shkruar nga Byron Katie
“Loving what is”, do t’u tregoj hap pas hapi, përmes shembujve të qartë dhe të gjallë, saktësisht se si ta përdorni procesin për të kërkuar në thelb problemin kur gjërat nuk funksionojnë.
Në këtë libër mund të zhyteni në historinë e një gruaje që ishte e gatshme të lë pas shumë gjëra duke zbuluar fuqinë për të punuar me veten. Nëse vazhdoni të punoni me veten tuaj ju mund të zbuloni ashtu siç kanë zbuluar shumë njerëz, se pyetja rrjedhë në çdo aspekt të jetës suaj, duke zhbërë pa mundim mendimet stresuese që ju pengojnë të përjetoni dashurinë dhe jetën.
Atomic Habits, shkruar nga James Clear
Një libër jashtëzakonisht praktik dhe i dobishëm, në të cilin James Clear na informon për detajet kryesore rreth formimit të zakonit, kështu që ju mund të arrini më shumë duke u fokusuar në gjëra të vogla.
Njerëzit thonë se kur doni të ndryshoni jetën tuaj, duhet të vendosni synime të mëdha, mirëpo ky rregull sipas autorit është gabim. James Clear ka zbuluar një sistem më të thjeshtë për të ndryshuar rutinën. Ai e beson se ndryshimi i qëndrueshëm vjen nga efekti kompleks i qindra vendimeve të vogla duke bërë dy shtytje në ditë, duke u zgjuar pesë minuta më herët ose duke mbajtur një telefonatë të shkurtër të vetme, e kështu duke i portretizuar si zakone atomike.
Të njëjtën e vendosa në praktikë edhe unë. Gjithmonë e kam ditë që të shkruaja më sjellte diçka… nuk e di se çfarë saktë, ndoshta çlirim, shpërthim i nevojshëm, fjalë të papërpunuara por të zgjidhura vetëm në të shkruar, se di saktë, por shumë emocione përnjëherë, definitivisht po. Por nuk ishte dhe nuk është gjithmonë e lehtë, dikur ndoshta në ditë mezi shkruaja diçka, e ndonjëherë disa shkrime përnjëherë, por në punë gjithsesi më nevojitej një rutinë të cilën do ta përsërisja dhe ta mësoja.
Pika e vështirë ishte ta gjeja një temë, momentin që tema ekzistonte gjithçka ishte më e lehtë. E vërejta se çka rezononte mbi mua ishin rrëfimet, andaj fillova të gërmoja thellë në vete dhe eksperiencat e mija t’i vendosja në shkrim, gjithmonë duke e paralajmëruar lexuesin për “no hard feelings”. Gjithçka e thënë nga shpirti ishte e thënë siç duhet.
Pak rregull, pak pushim, pak lexim mbi diçka krejt jashtë asaj mbi çka po shkruaja dhe ja, ja, ja ku jammm!
Këto ishin propozimet e mija të librave për këtë fund vit, të gjitha ishin të natyrës self-help dhe reflektuese pasi kështu ishte edhe viti im, 2025.
Por i dashur lexues, nuk është e thënë që çdo libër të ketë një ndikim direkt në sjelljet tona apo të lidhet me jetët tona. Një libër i mirë mund të jetë edhe diçka e shkruar mirë dhe bukur. Thjeshtë këto tri të propozuarat nga unë (të cilat ju edhe mund t’i keni lexuar tashmë), ishin ndihmues për gjërat e pa procesuara të Erletës.
Deri në artikullin tonë të radhës… let’s see!
