Kur më thonë “hyj direkt në temë” më duket sikur më shajnë! Sikur nuk ju pëlqen që i bie rreth e rrotull muhabetit. Sikur kurrë nuk kanë dëgjuar për filozof, që dëshirojnë të tregojnë diçka që në të njëjtën kohë shërben, në të njëjtën kohë ka relevancë por nuk e dinë të gjithë, që në të njëjtën kohë shfaq mllefin e mbajtur brenda… e arsyetoj sjelljen sepse e kuptoj prej cilit vend vjen… ahhh sa shumë, sikur të më dëgjoje me zë se si e them (prej intonacionit do m’kuptoje çysh po e mendoj). Ti, ndoshta e komenton “fillimin/hyrje” sikur s’ka të bëjë shumë me zhvillimin e përditshërisë në vendin tonë, mua mu dha si ide (I.G) që ta nisë kështu për të treguar se pavarësisht çka t’bën nervoz me këtë vend, gjithçka kalon dhe bëhet mirë. Ironike tingëllon në fillim… pastaj fillon dhe më kupton kur del në fund.
Këto janë pesë ngjarjet e vendit gjatë kësaj jave që kur i lexove prej rrjetit social “Facebook”, gazetave online, sekuencave informuese në “TikTok”, citateve në “Instagram” ose ndonjë tweet-i në “X”, ndjeve ato që përshkrova ose më shumë.
Katër komandantë policie janë ndërruar në një javë në Kosovë. Në Pejë, Klinë, Suharekë dhe Lipjan. Policia e Kosovës thotë se vendimet janë marrë për “nevoja organizative” dhe për shkak të “kërkesave për lirim nga detyra”. Por ajo që nuk thuhet drejtpërdrejt është ajo që duhet të na shqetësojë më shumë.
Në Suharekë, vetëm pak ditë më parë, një qytetar, Nazif Kololli, vdiq brenda në stacionin policor, gjatë ndalimit 48-orësh, nën dyshimin se i ndjeri është “vetëngulfatur”. Prokuroria ka nisur hetimet. Në Klinë, tre policë u arrestuan sepse kishin keqtrajtuar fizikisht një person të prangosur. Në këtë kontekst, ndryshimet në komanda duken më pak si reformë dhe më shumë si tentativë për të “qetësuar” situatën, pa marrë përgjegjësi publike.
A është kjo mënyra se si struktura e rendit i përballon skandalet? Duke zhvendosur drejtuesit dhe shmangur fjalën “shkarkim”? Sepse edhe kur përdoret fjala “shkarkim” në raportime, Policia refuzon ta pranojë drejtpërdrejt. Madje njëri prej tyre, komandanti i Suharekës, Afrim Sylaj, është “caktuar” në një pozitë tjetër në Qendrën Rajonale Operative në Prizren.
Edhe në Lipjan, kapiten Argjent Gashi ka dhënë dorëheqje morale pas rastit që dyshohet si “vdekje nga pakujdesia” e Agon Zejnullahut që ndodhi mëngjesin e së hënës, më 7 korrik dhe është zëvendësuar. Por për publikun nuk ka asnjë sqarim pse, në çfarë rrethanash dhe çfarë vlerësimi u bë për punën e tij.
***
Kuvendi i Kosovës ka hyrë në një fazë absurde: për herë të 45-të me radhë, nuk arriti të konstituohet. Jo për shkak të mungesës së deputetëve, por për shkak të mospajtimeve politike për mënyrën se si duhet zgjedhur kryeparlamentari – me votim të fshehtë apo të hapur.
Palët nuk po lëvizin nga pozicionet e tyre dhe po e akuzojnë njëra-tjetrën për bllokadë. Në këtë përballje, përfiton vetëm status quo-ja dhe humb vetëm qytetari.
Edhe pse koha ligjore për ta konstituuar Kuvendin është në gjysmë (sipas afatit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese), nuk ka reflektim, nuk ka marrëveshje, nuk ka zgjidhje – vetëm akuza, ndërprerje mikrofonësh dhe sharje mes deputetëve.
Çfarë pritet?
Seanca e 46-të është caktuar për sot, 13 korrik, në ora 11:00. Nëse vazhdon me të njëjtin skenar, ajo do të jetë thjeshtë një përsëritje e një dështimi tashmë të parashikueshëm.
***
16 korriku, dita që mund ta ndryshojë drejtimin e gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Gjykata Speciale në Hagë ka njoftuar se më 16 korrik do të shpallë vendimin lidhur me kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për rrëzimin e akuzave.
Ky vendim do të jepet gojarisht dhe në të njëjtën ditë, nëse mocioni i mbrojtjes hidhet poshtë, do të nisë paraqitja e dëshmive të përfaqësuesve të viktimave.
Nëse gjykata e pranon kërkesën e mbrojtjes plotësisht, atëherë disa ose të gjitha akuzat bien. Nëse e pranon pjesërisht, disa akuza mund të mbeten në fuqi, ndërsa të tjerat mund të rrëzohen. Por nëse mocioni refuzohet, atëherë procesi hyn në fazën tjetër – mbrojtja e ka radhën për të paraqitur provat e saj.
Çfarë ndodh nëse gjykata refuzon kërkesën për rrëzim të akuzave?
Atëherë, procesi hyn në fazën më të gjatë dhe më të rëndë për mbrojtjen: prezantimi i dëshmive të tyre. Deri tani, Thaçi dhe të tjerët janë në paraburgim që nga viti 2020 dhe nuk ka afat të përcaktuar për përfundimin e këtij procesi.
***
Dy shqiptaro-amerikanë hyjnë në garë për Kongresin amerikan
Njëri me prejardhje nga Mali i Zi tjetri nga Kosova kanë shpallur kandidaturën për të hyrë në Kongresin amerikan, si pjesë e Partisë Republikane:
Robert Lulgjuraj, një prokuror nga Michigan me prejardhje nga Malësia, pritet të garojë për nominimin republikan në Distriktin e 10-të të Michigan-it. Lulgjuraj ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë amerikane dhe ka qenë aktiv edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan.
Diamant Hysenaj, një biznesmen i lindur në Kosovë, ka njoftuar kandidaturën për Distriktin e 14-të të New York-ut, duke sfiduar përfaqësuesen aktuale Alexandria Ocasio-Cortez (AOC). Në një intervistë për “New York Post”, Hysenaj u shpreh se përfaqësuesit aktualë kanë dështuar të sjellin përmirësime konkrete në jetën e qytetarëve të distriktit.
Ai shton se përvoja e tij si emigrant dhe biznesmen i suksesshëm do të sjellë një perspektivë të re në Kongres.
“Jam rritur në një regjim ku nuk kishte liri dhe e çmoj shumë demokracinë që SHBA-ja ofron. Dua të shërbej dhe t’ia kthej vendit tim,” tha Hysenaj.
***
Pas një jave të ngjeshur me PriDox, ku dokumentarët sollën zëra të guximshëm dhe histori që sfidojnë realitetin, Festivali PriFest kalon në kapitullin tjetër: PriGlobal, segmenti që sjellë filma artistikë nga mbarë bota.
Këtë javë, kinemaja nën qiell të hapur kishte tituj t’mrekullueshëm.
Një krizë besimi në zemër të një kishe pentekostale në Holandë.
Shpërthimi i skenës punk në Poloninë e viteve ’70, me energjinë e një brezi që kërkonte më shumë.
Një zhytje estetike dhe e rrezikshme në shoqëritë e fshehta erotike të Berlinit të sotëm, me ndikime të qarta nga Eyes Wide Shut i Kubrick-ut.
Restorani e.d.h.e., i kthyer në një qendër të vërtetë kulturore, po mirëpret disa nga netët më të veçanta të festivalit me mbrëmje muzikore të kuruara me dashni, ku performojnë grupet që na frymëzojnë më shumë.
Sa janë të inkuadruar personat tjera që jetojnë jashtë kryeqytetin në jetën kulturore? Sa dojnë me qenë pjesë e saj? Sa u jepet mundësia?