Live Stories from Prishtina

LIVE

14 Shtator, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!

Uji i ftohtë të ofron nxehtësi kur je duke ngrirë! Në mungesë të ngrohtësisë ne marrim gjithçka që na vjen në dorë dhe e quajmë dashuri.

***

Shumë informata alarmuese, shqetësuese, të njëjta, pa rezultate përfundimtare.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka alarmuar se Serbia, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatisin kërcënime dhe ultimatume të reja në drejtim të Kosovës. Meqenëse një deklaratë të tillë e ka shënuar në faqen e tij në facebook, a po tenton të marrë vëmendje duke alarmuar ndërkombëtarët apo po alarmon qytetarët?

***
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka prezantuar të premten pesë masa që shteti i tij do t’i ndërmarrë ndaj Kosovës. Në mesin e kërkesave, Vuçiqi ka numëruar mbajtjen e zgjedhjeve lokale “të lira dhe demokratike” në veri, kthimin e policëve dhe zyrtarëve të sistemit të drejtësisë në vendet e punës, formimin e Asociacionit, tërheqjen e njesive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, lirimin e menjëhershëm të të gjithë të “burgosurve politik” të arrestuar nga Policia e Kosovës dhe kryerjen e pagesave në veri me valutën serbe, dinar. Ai ka paralajmëruar se brenda 45 ditësh, Parlamenti i Serbisë do të miratojë një ligj për ta shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, duke garantuar kështu të drejtën për mbështetje financiare për të papunët. Ndaj kujt more këto masa? Çka është ky guxim? A po shfaqet si i tillë vetëm para zgjedhjeve në Serbi? A po ka mbështetjen e dikujt që flet në këtë mënyrë?

***

Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare i janë rikthyer ngjyrat e kryeveprave të repertorit të muzikës klasike. Kësaj radhe prej Beethovenit, me kompozitorin Sarasate dhe Bachun në përmbyllje si rrugëtim nëpër frymën e barokut e të romantizmit. Në koncertin që e ka hapur edicionin e 23-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest”, figura kryesore ka qenë violinisti Vadim Tchijik.

***

Kur të mbarosh leximin e këtij artikulli, i dashur lexues, kujto momentet kur njohe njerëzit që i do më së shumti. Janë momentet më qetësuese!