N’Kosovë / Photo: Driton Paçarada / koha.net
1 Prill, 2026
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Ka humbje… edhe pastaj ka si kjo humbje. Ajo që kah minuta e 53-të gjithçka çka kemi pas në stomak e ka lëvizë. Populli e ka një fjalë thojnë “s’la asnjë guri në vend”, çka po du me thanë është që çdo qelizë na e ka shkund.
Një prekje e lehtë e Kerim Akturkoglut doli të jetë goditje e rëndë për Kosovën. Goditje që i dha fund ëndrrës së miliona shqiptarëve për paraqitje në Kampionatin Botëror që pas pak javësh fillon në SHBA, Meksikë e Kanada.
Po natyra e njeriut është interesante, edhe pse e sheh me syrin e vetë çka ështu duke ndodhë, apet brenda tij ekziston diçka, qoftë edhe me madhësin e një pike të bone me laps, qajo është shpresa. E sidomos kur e don shumë fitoren.
Po bre para syve e patëm një histori që po shkruhej, një ëndërr kolektive, një ëndërr brezash por realiteti është që për pak sekonda mori një kthesë tjetër.
Fantazia e njeriut gjithkun shkon, dikush e ka më të zhvilluar. Dikush tamam në kohën e ndeshjes Kosovë-Turqi, me mendje veç se patë shku në Amerikë, bile, bile i patë mund edhe ato ekipet që i kanë ra në botëror.
Patëm fillu edhe me fantazu, qysh dikush prej Nevadës, e ka mësu flamurin e Kosovës (ka mundësi e dinë edhe po të mos ishte botërori hiç), apo që ka fillu me mësu edhe për flin si ushqim tradicional. Mirëpo realiteti është që dje Kosova ka humb.
Edhe s’ka kurgjo të keqe! (mos shaj more, se edhe une qaq sa ti e du Kosovën, edhe qaq sa ti kisha pas qejf me shku në botëror) Po nuk shkum.
Si çdo tifoz serioz (që sot pretendon se “jam okej”), duhet gjetur një mënyrë për me e marrë veten edhe duke e ditë që nuk ka temë tjetër sot në krejt platformat, ku gjithqysh ka emocione të përfshine, le të folim pak cilat ishin kon mënyrat për me pranu humbjen ma lehtë.
1. Bëje analizën si selektor… për rreth 10 minuta
Sigurisht që ti e kishe zgjidh ndeshjen ndryshe. Ndoshta do ta kishe fut dikë më herët, ndoshta nuk do të kishe lënë atë hapësirë… ose ndoshta thjesht do të kishe bërtit më shumë para televizorit. Jepja vetes këto 10 minuta “ekspertize” është pjesë e procesit. Pastaj ndalu. Sepse, realisht, djemtë në fushë dhanë maksimumin.
2. Kujto rrugëtimin (jo vetëm rezultatin)
Është e lehtë me u fiksu te ai një gol. Por kjo skuadër ka ardhur deri këtu duke mundur ekipe që në letër ishin më të forta, duke kthyer një kampanjë që nisi keq në një histori shprese. Ky nuk është fundi i diçkaje, është dëshmi që jemi shumë më afër se sa kemi qenë ndonjëherë.
3. Lejoje veten me u mërzit “mos t’vjen marre”
Po, dhemb a? Dhem valla pak edhe jo qaq pak. Sepse nuk po flasim vetëm për sport, por për përfaqësim, për identitet, për një moment që do të kishte qenë historik. Nuk ka nevojë me u bë “i fortë” menjëherë po mos harro që edhe lojtarët dje nuk ishin robotë e panë sa shumë do të thoshte kjo për gjithë vendin.
4. Mos u bë armik i ekipit tënd për 24 orë
Është tundim i madh me fillu: “pse nuk shënuan”, “pse kështu”, “pse ashtu”… Por kjo është skuadra që të ka bërë me besu. E njëjta skuadër që dje ishte një hap larg Botërorit. Kritika është ok por me harru mundin është padrejtësi.
5. Mbaje shpresën (po, edhe kjo tingëllon klishe)
Sepse është e vërtetë. Kjo nuk ishte një humbje e zbrazët. Ishte një humbje me përmbajtje. Me raste, me dominim në momente, me një ndjenjë që “mundej me ndodh”. Dhe kur arrin në atë pikë, zakonisht nuk je larg herës tjetër.

