N’Kosovë
7 Tetor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
Mendoj që realiteti më i hidhur me të cilin ndeshemi është përshtatja që vjen me të qenurit i rritur. Kur duhet patjetër vetëm të vazhdosh, pavarësisht disponimit që ke, pavarësisht gjërave të vështira që po kalon. Duhet të vazhdosh, sepse jeta ashtu ecën.
Sa keq është kur shkruaj për diçka tragjike, e edhe më keq kur, i dashur lexues, duhet të informohesh me lajme të hidhura. E diela ishte ndryshe për tri familje të cilat humbën fëmijët e tyre tragjikisht pasi një veturë ra në Liqenin e Badocit. Shkaktari i këtij aksidenti dyshohet të ishte mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, dhe dy trupat e viktimave u gjetën në ujë, ndërsa tjetri u gjet i mbyllur në veturë.
Megjithëse fatkeqësia ishte në fatin e të ndjerëve, ndoshta rastet si ky do të zvogëloheshin nëse do të mbaheshin premtimet për infrastrukturën e mirëfilltë. Ku është ndërtimi i një ure të premtuar në këtë anë?
***
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke folur në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) të dielën, ka thënë se Lista Serbe ka kërkuar që, në këmbim të votimit të ndryshimeve kushtetuese për t’i hapur rrugë vetting-ut në sistemin e drejtësisë, duhet që së pari të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve e gjyqtarëve dhe synon rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar dhe politikës, apo elementeve të tjera. E për ndryshimet kushtetuese nevojiten dy të tretat e votave të 20 deputetëve të komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës.
A ka detektuar ministrja një gjë të tillë tani, kur, sa e di unë, ne të gjithë e kemi paraparë një kërkesë të tillë?
Kur ministrja Haxhiu akuzonte ish-pozitën për raporte të mira me Listën Serbe dikur, a po e “mbyll njërin sy e njërin vesh” kur po i vjen puna tek njerëzit e vetë? Po Mimoza Kusarin a e harruam?
Sikurse fjala e Haxhiut, pazare…pazare, këtë herë për ish-pozitën, nuk po pazaron më?!
***
Fillimi i “Prishtina Music Conference” me edicionin e saj të katërt ka përgatitur një super agjendë për adhurues të zhanreve të ndryshme. E meqenëse për vete më ka hyrë në qejf jazz-i kohëve të fundit, më 11 nëntor në Kino Armata (PMC collab Peja Jazz), mundeni të përcillni një performancë të tillë. Por për adhurues të zhanreve të tjera, mund të hyni në faqen zyrtare ku do të gjeni alternativat tuaja të preferuara (prishtinamusicweek.com).
***
Kthimi në dyert e vjetra nuk hap dyer të reja. Beso në procesin e rrugëtimit që ke zgjedhur!