Mirëmengjesi i dashur lexues i hershëm, një gja mos e harro, me kenë mirë në shpirt është pasuni e madhe. Dashnia ndaj njerëzve tregohet përmes respektit, uroj që të kesh besim edhe kur sytë nuk shohin rrugën, e me ecë përpara edhe kur toka të dridhet nën këmbë.
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Në një intervistë në televizionin shtetëror, e cila më shumë tingëlloi sikur të ishte monolog sesa bashkëbisedim me një gazetar, kryetari i LVV-së, Albin Kurti dha aq shumë material me përgjigjen e tij, sa diku kur tregoi që i ka 61 numra për qeveri, fliste sikur “demek i ka për Qeveri, ama nuk po don me i harxhu për kryetar të Kuvendit”.
Pse more nuk po i shfrytëzojnë këta numra sot, në përpjekjen për konstituimin e 19-të?
“Kosova ka qeveri, por nuk ka Kuvend. Sepse Kuvendi është thelbësor për të kontrolluar qeverinë dhe për të mbikëqyrur ndërmarrjet publike. Paradoksalisht, opozita po e lë Kosovën pa mbikëqyrje të ekzekutivit dhe pa shtëpinë e saj Kuvendin”, ka thënë Kurti.
Madje dha edhe lajme që kurrë nuk i kemi vënë re, përshembull fakti që Komandat Çeliku, është bërë pjesë e kuvendit prap dhe koalicioni me AAK-në, e paska shpëtuar edhe vetë AAK-në, duke ja mundësuar kalimin e pragut.
Përkundër dëshirës për koalicion me LDK-në dhe pakicat joserbe do të ishte stabil sepse numri i deputetëve do të ishte 77, por jo edhe me PDK-në.
“PDK-së i duhet edhe një mandat në opozitë. Mezi pas 20 vjetëve e nxorëm në opozitë dhe nuk e kuptoj pse ka zell për ta rikthyer në pushtet nga ata që janë në opozitë e nuk janë pjesë e PDK-së”, u shpreh Kurti.
***
Policia e Kosovës ka nisur hetime penale pas një kërcënimi me jetë të adresuar ndaj presidentes, Vjosa Osmani përmes një e-maili anonim. Sipas deklaratës zyrtare, rasti i është referuar Prokurorisë së Shtetit dhe është hapur një procedurë. Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, ka thënë se ky nuk është një incident i izoluar, duke akuzuar se institucionet e drejtësisë kanë dështuar të veprojnë ndaj kërcënimeve të mëparshme.
***
Festivali i Filmit, “Nightflix” po nisë më 21 maj. Katër ditë kinematografi nga regjisorë të rinj nga Shqipnia dhe Kosova.
“Nightflix” po synon me qenë e vetmja hapësirë e dedikume për zërat e rinj vendorë Eneos Çarka, Erblin Nushi, Keti Stamo Ermal Teli dhe regjisorët e Kosovës, Kaltrina Krasniqi dhe Fatos Berisha. Ky edicion i parë osht përndryshe gratis për krejt publikun.
Sipas organizatorëve, “Misioni ynë ka qenë gjithmonë ta afrojmë kinemanë me publikun e saj të vërtetë, dhe ndihemi me fat që kemi kaq shumë miq dhe bashkëpunëtorë të gatshëm të bashkohen dhe ta mbështesin këtë vizion.”
***
Ky fund shkon për zemrat e mëdha në shtëpi të vogla, ka njerëz që s’kanë shumë, por japin gjithçka. Jo prej pasunisë por prej shpirtit që s’kurse kurrë dashuni. Për ata që luftojnë me vetën në heshtje; e di që se thua por po e përballon. Kjo t’bënë më të fortë se sa mendon vet.