Live Stories from Prishtina

LIVE

5 Korrik, 2025

Nuk po them që tash direkt Edi Rama i lexon definitivisht gjithë këta libra, po, mund ta gjej veten në emocionet e personazheve por është sigurt që Era Istrefit dhe Ledri Vules diçka mund t’i pëlqente. Apo mund të jetë e kundërta?

Jemi ende në shenjën e gaforres dhe personat që përmenda më lartë i takojnë kësaj shenje. Madje ata mund të jenë shumë më emocional sesa një gaforre që ka lindur në qershor, pasi të tre kanë lindur në korrik.

Më poshtë po vendos disa libra që padyshim janë për gaforret.

A ishte si i ri Edi Rama një romantik i pa shpresë si personazhi i Florentinos tek libri “Love in the Time of Cholera”? A po si Khaled dhe Mustafa tek “My friends”, që përjetojnë shenja krize në miqësi shkaku i ekzilit politik.

Vendoseni vetë, ndoshta ty të pëlqen ndonjëri prej tyre më shumë se një gaforreje:

All The Lovers in the Night – Mieko Kawakami

Çfarë ndodh në libër?
Fuyuko është një grua e vetmuar, që punon në Tokio si redaktore tekstesh. Jeton e tërhequr nga rrethi dhe nuk ka lidhje të ngushta me njerëzit. Por kur fillon të shoqërohet me një mësues, fillon të pyes veten për vetminë e saj, për mundësinë për t’u lidhur me dikë dhe për të qenë e dashur.

Pse i flet ky libër një gaforreje?
Sepse ky është libri i një shpirti të ndrojtur që kërkon lidhje të vërteta, por e ka frikë hapjen emocionale. Gaforret shpesh kanë këtë dualitet, duan afërsi, por edhe izolim për t’u mbrojtur. Ky libër është një reflektim i thellë mbi ndjenjat që nuk thuhen me fjalë.

Milk Teeth – Jessica Andrews

Çfarë ndodh në libër?
Një vajzë e re, në fillimet e të njëzetave, kalon një verë me një djalë në Barcelonë. Është në një gjendje emocionale të paqartë, midis dëshirës për të dashuruar dhe nevojës për të ndërtuar një identitet të vetin. Ndërsa vendet, trupat dhe ndjesitë ndërlidhen, ajo pyet: çfarë do të thotë të jesh vërtetë e dashuruar dhe e lirë?

Pse i flet ky libër një gaforreje?

Sepse është një histori e ndërtuar mbi nostalgjinë, dashurinë fizike dhe shpirtërore, por mbi të gjitha mbi kërkimin e një shtëpie jo domosdoshmërisht fizike, por emocionale, dhe për gaforret, shtëpia është gjithmonë më shumë një gjendje e brendshme sesa një vend.

Love in the Time of Cholera – Gabriel García Márquez

Çfarë ndodh në libër?
Florentino është i dashuruar me Ferminën që në rini, por ajo martohet me një tjetër. Ai e pret për dekada të tëra, përmes shumë lidhjeve të tjera, derisa ata të mund të jenë sërish bashkë në pleqëri. Është një rrëfim për një dashuri të pathënë, të pambaruar dhe ndjenja që nuk shuhen kurrë.

Pse i flet ky libër një gaforreje?

Sepse është mali emocional i pafund që një gaforre njeh mirë. Ato nuk harrojnë dashuritë e mëdha. I mbajnë gjallë brenda, i ushqejnë me kujtime dhe besojnë se një ditë gjithçka kthehet aty ku ka nisur. Ky libër është fiks kjo ndjesi.

My Friends – Hisham Matar

Çfarë ndodh në libër?

Khaled dhe Mustafa, dy miq që jetojnë jashtë vendit të tyre (Libisë), janë të zhytur në ekzil politik dhe emocional. Të shkëputur nga familja dhe vendi i tyre, ata përballen me trauma të thella, mungesë stabiliteti dhe miqësi që shpesh është e vetmja strehë.

Pse i flet një gaforreje?

Sepse është një libër mbi mërgimin shpirtëror dhe fuqinë e lidhjeve që na mbajnë gjallë kur gjithçka tjetër bie. Gaforret ndihen të tërhequra nga tema si familja, humbja, shtëpia dhe miqësia që shpëton, sepse ato janë bërthama e natyrës së tyre.
Pachinko – Min Jin Lee

Pachinko – Min Jin Lee

Çfarë ndodh në libër?
Sunja, një vajzë koreane, mbetet shtatzënë nga një burrë i martuar dhe migron në Japoni për të ndërtuar një jetë të re për veten dhe familjen e saj. Libri ndjek breza të tërë që jetojnë nën diskriminim dhe përpiqen të mbijetojnë dhe të ruajnë identitetin e tyre.

Pse i flet një gaforreje?

Sepse është një sagë familjare e pashlyeshme, një gaforre do ta dojë këtë libër sepse çdo personazh është i lidhur me të kaluarën, me familjen dhe me sakrificat që bëhen për dashurinë. Aty ku ka përkushtim dhe ndjenjë, gaforrja gjen veten.