Live Stories from Prishtina

LIVE

7 Korrik, 2025

Janë disa kujtime që nuk kanë orë, aroma që nuk kanë kohë, ndjenja që nuk vjetrohen. Janë disa mëngjese kur zgjohesh dhe gjithçka në botë duket në vendin e vet pa zhurmë, pa ngut, me një ndjesi të brendshme gëzimi që nuk kërkon arsye. Janë pesë mëngjeset që askush nuk i harron në jetë, në të cilat as ti si lexues nuk i harron.

Mëngjesi i parë i pushimeve

Zgjohesh dhe për një moment mendja përpiqet të të kujtoj se duhet të ngrihesh për në shkollë, në punë, në obligim. Por pastaj… kujtohesh, sot nuk ka obligime. Trupi shtrihet më gjatë mbi çarçafët e freskët, drita e diellit të jep leje të jesh përtac dhe çdo frymëmarrje është një dhuratë e lirë. Është mëngjesi i parë kur koha punon për ty, jo kundër teje. Nuk ka alarme, vetëm aroma deti, mali, apo thjeshtë heshtje. Pushimet kanë nisur.

Mëngjesi i festës së fundvitit, për disa Krishtlindjet e për disa dita e Vitit të Ri.

Pavarësisht fesë apo vendit, mëngjesi i ditës së fundit të vitit ka diçka magjike. Fëmijët zgjojnë prindërit herët, me sytë që u shkëlqejnë para dhuratave nën pemë. Shtëpia është mbushur me aroma biskotash, kanellë, kakao dhe zëra që qeshin më ndryshe se ditëve të zakonshme. Është një mëngjes kur dashuria është në ajër dhe njerëzit e afërt bëhen edhe më të afërt. Është mëngjesi kur nuk pret gjë më shumë përveç se kohë me të dashurit.

Mëngjesi i ditëlindjes

Ndoshta nuk është dita më e qetë, por është një nga mëngjeset ku ndihesh më i përkëdhelur. Qoftë një mesazh i parë, një urim i papritur, apo një filxhan kafeje i përgatitur me dashuri, ditëlindja nis me një vetëdije të thjeshtë “sot është dita jote”, edhe nëse nuk ke plane madhështore, ke një ndjesi që universi të njeh dhe ndoshta, ke një arsye më shumë për të buzëqeshur që je ende këtu, në këtë mëngjes të ri, me një vit më shumë jetë.

Mëngjesi i parë i shtatorit me erë vjeshte

Ka mëngjese që nuk i ndjenë në trup, por në lëkurë. Era flladit gjethet, aroma e tokës freskohet dhe ajri mbartë një premtim të ri. Shtatori është fillimi i një cikli të ri. Pas verës së zhurmshme, ky mëngjes të fton në reflektim, në ritëm të ri. E nëse është e shtunë apo e diel, ndjenja është edhe më e ëmbël, ke kohë për ta shijuar pa ngut. Është mëngjesi i kthimit të ritmit, por jo ende i ngutjes. Një mesnatë e ëmbël mes pushimit dhe përkushtimit.

Mëngjesi i parë i verës si fëmijë

Të gjithë e mbajmë mend një mëngjes kur je zgjuar jo nga ora por nga drita që mbushë dhomën. Nuk ka libra për t’u mbajtur në çantë, as detyra për nesër. Ka biçikleta që presin, shokë që nuk kanë orar, pluhur rruge, top futbolli, tinguj zogu dhe aroma byreku nga dritaret e fqinjëve. Është liria e fëmijërisë në maksimumin e saj, në një kohë kur jeta ishte e thjeshtë dhe çdo mëngjes ishte një aventurë e re, pa asnjë barrë.

Po ti, lexues…

… cilin mëngjes do të doje ta rizbuloje? Apo ndoshta e ke përpara, nesër në agim, pa e ditur ende. Sepse ndonjëherë, një mëngjes i mirë nuk është datë në kalendar, por një ndjesi e papritur që vjen kur ti je gati për ta ndjerë.