N’Kosovë
10 Korrik, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje javore me lajme që kryesuan javë dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Kur beson vërtet në diçka, përpiqu me gjithë zemër. Kur ndjenë se një ide, një ëndërr apo një qëllim është pjesë e thelbit tënd, mos e trajto si një mundësi të zakonshme, por si një detyrim ndaj vetes. Jetoje me pasion, investo kohë, përkushtim dhe guxim. Mos e lër frikën ose vonesat t’i zbehin dritën.
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Askush nuk ka përgjigje të qartë se çfarë do të bëhet në Kosovë pas 26 korrikut, data kur skadon afati prej 30 ditësh që Gjykata Kushtetuese u ka dhënë deputetëve të zgjedhur për të konstituuar Kuvendin.
Deri tani, përpjekjet për formimin e këtij institucioni ligjvënës kanë dështuar 44 herë.
Partitë politike vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për ngërçin dhe të mos lëvizin nga qëndrimet e tyre.
Ministri në detyrë, Hekuran Murati ka bërë të ditur se Banka Botërore ka larguar Kosovën nga lista e shteteve fragjile dhe në situatë konflikti.
E këtë Murati e ka quajtur një super lajm.
“Pas mëse 15 vitesh si shtet anëtar në Bankën Botërore, këtë javë kemi pranuar njoftimin që Kosova është larguar nga kjo listë. Ky ndryshim përbën avancim të jashtëzakonshëm dhe i vulos arritjet tona si shtet duke dëshmuar stabilitet institucional dhe qëndrueshmëri ekonomike”.
***
Mostrat për analizë të 27-vjeçarit, Agon Zejnullahut, janë dërguar në Maqedoninë e Veriut.
Media të ndryshme duke cituar burimet e veta, kanë raportuar se mostrat janë dërguar jashtë shtetit si shkak i mosfunksionimit të laboratorit të Toksikologjisë në IML, për shkak se i njëjti është i dëmtuar që prej kohës kur është kapluar nga zjarri.
Nga mostrat pritet të përcaktohet nëse Zejnullahu ka qenë nën ndikimin e alkoolit apo substancave narkotike në mbrëmjen e 7 korrikut.
***
Qeveria e Kosovës në detyrë, ka ndarë të mërkurën 580 mijë euro për ndërtimin e shkollës së muzikës dhe muzeut në Preshevë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se qeveria është zotuar që nga fillimi për angazhim të vazhdueshëm në rritjen e mirëqenies së qytetarëve në Luginën e Preshevës.
“Qeveria jonë është zotuar që nga fillimi për angazhim të vazhdueshëm në rritjen e mirëqenies së qytetarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc… Këtë mbështetje financiare institucionale e politike për Luginën po e vazhdojmë edhe sot me ndarjen e 580 mijë eurove të shkollës së muzikës dhe muzeut të Preshevës”, tha Kurti.
***
Koha është më e rrëshqitshme se sa duket. Një ditë je plot fuqi e ëndrra dhe një ditë tjetër shikon pas me pyetjen: “Ku shkoi gjithë ajo kohë?” Trupi yt do të lodhet, mendja do të kërkoj pushim dhe forca e sotme s’do të jetë gjithmonë aty. Prandaj mos e vono asgjë që zemra e kërkon. Mos prit momentin e përkryer sepse ai s’vjen kurrë. Vepro tani, përndryshe koha do të veproj për ty dhe jo gjithmonë në favorin tënd.