Live Stories from Prishtina

LIVE

11 Korrik, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje javore me lajme që kryesuan javë  dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

I dashur lexues, a ju ka ndodhur t’i besoni qëllimisht një gënjeshtre, a ju ka ndodhur të hyni në një rrugë edhe pse e keni ditur që keni hyrë në rrugë pa kthim, a keni zgjedhur t’i besoni një ëndrre edhe kur e keni ditur që duhet të zgjoheni. A ndjehemi më rehat në një gënjeshtër sepse na frikëson realiteti?

***

Diçka po na tregon që SHBA-ja është prap aktivisht në lojë për stabilitetin në rajon sado që ndoshta s’po e bëjnë me zhurmë.

Roli aktual i Trumpit në sigurinë në Ballkan, që për disa mund të jetë befasi, për disa shpresë, për disa shqetësim u tregu edhe dje nga pohimi i vetë presidentes, Vjosa Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani, gjatë një ligjërate në Washington, deklaroi se presidenti amerikan Donald Trump ka parandaluar së fundmi një përshkallëzim të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë. Ajo tha se Trump ka vepruar në javët e fundit, jo në zhvillime të kaluara si në 2023 apo 2020. Osmani theksoi se kërcënimet nga Serbia vazhdojnë dhe lavdëroi KFOR-in për rolin e tij në ruajtjen e sigurisë.

Nëse parandalimi i një konflikti ndodhi pa u bërë publik, sa herë të tjera mund të kenë ndodhur gjëra të mëdha që ne nuk i dimë ende?

A e dimë vërtet kush i mbron kufijtë tanë dhe me çfarë çmimi?

***

Dosja e Prokurorisë për vdekjen e Agon Zejnullahut përmbanë dëshmi të pesë zyrtarëve policorë dhe të disa dëshmitarëve civilë. Të gjithë pajtohen se Zejnullahu ishte në gjendje të rënduar fizike dhe mendore dhe kishte shenja të qarta çorientimi, frike dhe agresiviteti. Policia e përshkruan përpjekjen për arrestim si të vështirë për shkak të rezistencës së tij dhe nevojës për përdorim force “duarthatë”. Dëshmitarët thonë se ai kërkonte ndihmë dhe kishte shkumë në gojë. Gjatë ndërhyrjes, ai humbi vetëdijen dhe më pas ndërroi jetë. Pesë policët e përfshirë janë dërguar në paraburgim për 30 ditë nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”.

A është policia jonë e trajnuar mjaftueshëm për të dalluar kur dikush ka nevojë për ndihmë dhe jo për pranga?

***

Në vazhdën e publikimit të kandidatëve për kryetarë komunash, LDK-ja s’është që pati aq shumë ndryshime. E habitshme ke kandidatura e Dritan Selmanajt për Prizren dhe tërheqja pothuajse 20 vjeçare e Burim Berishës të Fushë Kosovës.

A ka mbetur LDK-ja peng i emrave të njëjtë, edhe kur rrethanat kërkojnë frymë të re?

***

Kur “Bitcoin” ka arritur një nivel historik të ri këtë të enjte, duke kapur vlerën rekord prej 112,743.49 dollarësh. Kjo rritje është ndikuar nga dy faktorë kryesorë: kërkesa në rritje nga investitorët dhe politikat miqësore ndaj kriptomonedhave të administratës së Donald Trump. Një rritje e ngjashme ishte shënuar edhe më 22 maj, kur “Bitcoin” kaloi shifrën prej 111 mijë dollarësh.

A është kjo rritje tregues i një epoke të re të financave globale apo vetëm një tjetër flluskë që pritet të shpërthej?

A është Kosova e gatshme të përfitoj nga rritja globale e kriptovalutave apo do të mbetet vetëm spektatore në margjinat e këtij revolucioni financiar?

***

Ministria e Kulturës në Kosovë ka ndarë mbi 4.6 milionë euro për 265 organizata kulturore për vitin 2024, në kuadër të thirrjes për mbështetje njëvjeçare, dyvjeçare dhe trevjeçare për projektet në art, kulturë dhe trashëgimi kulturore. Disa organizata kanë marrë deri në 50 mijë euro në vit për tre vjet rresht, ndërsa shumë të tjera, përfshirë ngjarje të mirëfillta kulturore kanë mbetur jashtë përkrahjes.

Reagimet kanë qenë të menjëhershme: Organizata me traditë si Galeria “Qahili” dhe Klubi letrar “De Rada” janë shprehur të zhgënjyera me mungesën e përkrahjes, ndërsa janë përkrahur edhe projekte pa ndikim të qartë në skenën kulturore. A po e orienton ministria buxhetin drejt organizatave që nuk përfaqësojnë vlera të qëndrueshme kulturore, ndërkohë që dështojnë të investojnë në infrastrukturë publike dhe projekte kapitale.

Nëse institucionet publike e mbështesin kulturën sipas listave të përpiluesve anonim, a rrezikojmë ta humbim kulturën si vlerë kolektive dhe ta kthejmë në favor personal?

***

Lexues, thjeshtë dua të ta kujtoj se edhe pse ka 7.9 miliardë njerëz në këtë botë, ti je ende unik. Ti ke rëndësi. Dhe ekzistenca jote është e rëndësishme. Zërat në kokën tënde mund të thonë gjithçka, por nuk janë të gjithë të vërtetë. Ti je kaq i veçantë. Ka ardhur koha ta njohësh më në fund vlerën tënde.