Bota
18 Korrik, 2025
Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Coca-Cola ka rënë dakord të përdorë sheqer të vërtetë kallami në pijet që shet në Shtetet e Bashkuara.
Aktualisht, Coca-Cola përdorë shurup misri me përqendrim të lartë fruktoze në produktet që shet në SHBA, por Sekretari i Shëndetësisë i Trump-it, Robert F. Kennedy Jr., ka shprehur shqetësime për ndikimet e këtij përbërësi në shëndet.
“Kam qenë në kontakt me Coca-Cola për të përdorur sheqer të vërtetë kallami në pijet e tyre në SHBA dhe ata kanë pranuar,” shkroi Trump në rrjete sociale.
“Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë autoritet në Coca-Cola.”
Pa e konfirmuar drejtpërdrejt ndryshimin në recetë, një zëdhënës i Coca-Cola tha se ata “e vlerësojnë entuziazmin e Presidentit Trump” dhe se së shpejti do të ndajnë më shumë detaje mbi produktet e reja inovatore.
Trump shtoi të mërkurën në rrjetin Truth Social:
“Ky do të jetë një veprim shumë i mirë nga ana e tyre, do ta shihni. Thjeshtë është më mirë!”
Ndërsa Coca-Cola në SHBA përdorë formulën për ëmbëlsim zakonisht me shurup misri, në shumë vende të tjera ajo përdorë forma të tjera, për shembull në Meksikë përdoret sheqer kallami.
Në prill, CEO i Coca-Cola, James Quincey, u tha investitorëve se “ne po vazhdojmë të bëjmë përparim në reduktimin e sheqerit në pijet tona.”
Ai shtoi se kompania me qendër në Atlanta e ka arritur këtë “duke ndryshuar recetat, si dhe duke përdorur burimet tona globale të marketingut dhe rrjetin e shpërndarjes për të rritur ndërgjegjësimin dhe interesin për portofolin tonë gjithnjë në zgjerim.”
Megjithatë, çdo vendim për të përdorur sheqer kallami në vend të shurupit të misrit mund të ketë pasoja negative për fermerët amerikanë të misrit.
Presidenti dhe CEO i shoqatës së rafinatorëve të misrit, John Bode, tha në një deklaratë:
“Zëvendësimi i shurupit me fruktozë të lartë me sheqer kallami do të kushtonte mijëra vende pune në industrinë amerikane të përpunimit ushqimor, do të ulte të ardhurat e fermerëve dhe do të rriste importet e sheqerit të huaj – të gjitha këto pa asnjë përfitim ushqyes.”
Sekretari i Shëndetësisë dhe lëvizja e tij “Make America Healthy Again” kanë bërë thirrje për heqjen e përbërësve si shurupi i misrit, vajrat e farave dhe ngjyruesit artificialë nga produktet ushqimore, duke i lidhur ato me një sërë problemesh shëndetësore.
Kennedy ka qenë gjithashtu kritik ndaj sasisë së sheqerit që konsumojnë amerikanët dhe thuhet se planifikon të përditësoj udhëzimet dietike kombëtare gjatë kësaj vere.
Ndërkohë, Trump është një konsumues i rregullt i Diet Coke që përdorë ëmbëlsuesin artificial aspartam dhe kishte vendosur një buton në tryezën Resolute të Zyrës Ovale për të shërbyer këtë pije në çdo kohë.
Georgina Rannard e BBC-së ka hedhur një vështrim mbi atë që ndryshimi i përbërësve mund të nënkuptoj për pijen dhe për SHBA-në.
Ky veprim mund të jetë pjesë e një strategjie për të ripozicionuar Coca-Cola si më e shëndetshme ose më e natyrshme, sidomos në një kohë kur konsumatorët janë më të ndjeshëm ndaj përbërësve artificial ose të përpunuar.
Ajo nxjerr në pah faktin që Trump po përdor ndikimin e tij publik dhe politik për të ndikuar në përbërësit e produkteve të njohura, si Coca-Cola, duke promovuar përdorimin e përbërësve më natyralë në këtë rast, sheqerin e kallamit në vend të shurupit të misrit.