N’Kosovë
24 Korrik, 2025
Nëse një burrë dhe një grua janë shumë të afërt, në Kosovë zakonisht ka vetëm tri reagime: 1) po dalin; 2) kanë dalë dikur; ose 3) do të dalin, veç s’dinë ende.
Miqësia e pastër mes gjinive? Një ide pak ekzotike për shijen tonë. Pothuajse si sushi në dasma: e kemi dëgjuar që ekziston, por nuk jemi plotësisht të bindur që ja vlen.
E megjithatë, diku mes Hollywood-it, buzë seteve filmike dhe larg rrotullimeve tona të syve, ekziston një shembull që e sfidon këtë mentalitet: Julia Roberts dhe George Clooney.
“Ne u bëmë shokë të çastit”. Janë disa njerëz që kur i takon thua me vete: Në rregull unë do ta njoh këtë person deri në fund të jetës, ky po që është ai. Këto janë fjalët që Julia Roberts tha për George Clooney.
Roberts dhe Clooney janë dyshja, e cila gëzojnë një nga miqësitë më të veçanta në botën e artit. Ajo që filloi si një marrëdhënie profesionale, lulëzoi menjëherë në një miqësi që ka zgjatur 22 vjet.
Nga momenti kur u takuan për herë të parë e deri te filmi i tyre më i fundit së bashku, duam t’u prezantojmë një vështrim të filmave më të mirë të Clooney dhe Roberts ndër vite, të cilët mund t’i shikoni gjatë pushimeve nëse nuk i keni parë.
2001: Filmi i parë i George Clooney dhe Julia Roberts
“Ocean’s Eleven” u shfaq premierë më 7 dhjetor 2001, duke shënuar filmin e parë në të cilin Clooney dhe Roberts luajtën përballë njëri-tjetrit.
Filmi i takon zhanrit aksion dhe aventurë, teksa historia zhvillohet si në vazhdim.
Veteranët e Luftës së Dytë Botërore, Danny Ocean dhe Jimmy Foster rekrutojnë nëntë shokë nga njësia e tyre në Divizionin e 82-të Ajror për të grabitur njëkohësisht pesë kazino në Las Vegas: Sahara, Riviera, Desert Inn, Sands dhe Flamingo.
Banda planifikon grabitjen e përpunuar të Vitit të Ri me saktësinë e një operacioni ushtarak.
2002: George Clooney drejton dhe luan në filmin me Julia Roberts – “Confessions of a Dangerous Mind”
Filmi bazohet në “autobiografinë e paautorizuar” të prezantuesit Chuck Barris të vitit 1984 me të njëjtin emër, në të cilën ai pretendonte se kishte qenë një vrasës për CIA-n, përveç karrierës së tij të biznesit të shfaqjes. Këto akuza janë mohuar nga CIA, ndërsa Barris gjatë gjithë jetës së tij në përgjithësi refuzoi të thoshte nëse pretendimi ishte i vërtetë apo jo. Sam Rockwell luan rolin e Chuck Barris dhe Julia Roberts luan si Patrica Watson, e cila dashurohet më vonë në Barris.
2016: George Clooney dhe Julia Roberts luajnë krah njëri-tjetrit në “Money Monster”
Money Monster është një film thriller amerikan i vitit 2016, i cili e pasqyron rutinën e prezantuesit të televizionit financiar, Lee Gates dhe producenten e tij Patty Fenn, teksa vendosen në një situatë ekstreme kur një investitor merr ekuipazhin e televizionit si peng.
2022: George Clooney dhe Julia Roberts angazhohen për filmin “Tickets to Paradise”
David dhe Georgia Cotton janë një çift, që martesa e tyre përfundoi para 20 viteve por që e urrejnë njëri-tjetrin. Vajza e tyre Lily mbaron shkollën juridike dhe shkon me pushime në Bali me mikun e saj dhe befasisht gjendet në një varkë, e cila përfundon duke u fundosur dhe të cilët i shpëton një fermer i quajtur Gede. Lily u dërgon një e-mail prindërve David dhe Georgia për t’i bërë të ditur se ajo dhe Gede po martohen dhe ajo do të qëndrojë përgjithmonë në Bali, duke hequr dorë nga karriera e saj si avokate përpara se të fillojë. David dhe Georgia krijojnë një armëpushim për të bindur Lilyn se ajo po nxiton në gjërat dhe po bën të njëjtin gabim që ata kishin bërë. Piloti i tyre në fluturimin për në Bali rezulton të jetë Paul, i dashuri i Georgias.
Deklaratat që Roberts dhe Clooney bëjnë për njëri-tjetrin janë jashtëzakonisht të bukura.
Clooney për Roberts: “Që nga momenti kur u takuam, gjithmonë jemi argëtuar”.
Roberts për Clooney: “Mendova me veten, ai do të jetë një shok”, kujton ajo ndërveprimin e parë me Clooney.
E tani, po të ndodhte kjo miqësi në Kosovë? Le ta pranojmë – shumë prej nesh do t’i kishin dhënë veç tre ditë përpara se “shokët” të shndërroheshin në “a bon me të kallxu diçka po mos i thuj kujt” ose minimumi, ndonjë selfie me përshkrimin “jo gjithçka që duket si çift është çift 😉”. Shoqëria jonë e dashur, e ndërtuar mbi parime të forta si: ‘pse po qeshin kaq shumë bashkë’, ‘qysh ka mundësi që nuk ka ndodhë kurrgjë’, dhe ai klasiku: ‘kur burri edhe gruaja janë shumë shokë, diçka s’është në rregull’, ende e ka të vështirë ta përfytyrojë një afërsi të sinqertë, pa klishe romantike apo dyshime të panevojshme.
Në thelb, miqësia ndërmjet gjinive mbetet një mister në vëzhgimin kolektiv: ose është “fillim i një romance”, ose “fshehje e një romance”, ose në rastet më të rralla, thjeshtë një shoqëri që nuk ja vlen të merremi me të. Por historia e Clooney dhe Roberts na sfidon t’i rimendojmë këto korniza: ajo që fillon me një shikim të parë në setin e një filmi, mund të vazhdojë për dekada si një nga miqësitë më të pastra dhe konstante në jetën e një personi.
Dhe ndoshta është koha që edhe ne të heqim dorë nga ideja se çdo lidhje burrë-grua është si pasthirrma “eheee, ata diçka kanë pas” dhe të fillojmë të besojmë se ndonjëherë njerëzit thjeshtë përshtaten si shokë. Pa tension, pa fshehtësi, pa fund romcom-i. Vetëm me humor, ndihmë reciproke dhe me shumë kujtime që nuk i bën “seen”.
Në fund të fundit, jo çdo afërsi ka nevojë për një kapitull dashurie. Disa thjeshtë kanë nevojë për një filxhan kafe, një bashkëbisedim të mirë dhe një mik që nuk pyet çdo javë: “e kur do martoheni pra?”