Fakte abstrakte
25 Korrik, 2025
Nuk pajtohem me mendimin që “nuk duhet të kthehemi mbrapa në kohë”!
Në kohët kur gjithçka duket sikur po shkon keq lajmet, qeveria, trafiku, komentet në rrjete sociale, rikthimi te momentet që na kanë bërë të qeshim nuk është regres, është mbijetesë. Të kujtosh skenat qesharake të një filmi si “White Chicks” nuk është thjeshtë nostalgji për vitet 2000, është si të marrësh frymë pas një dite ku çdo gjë në këtë vend ndjehet sikur është shkruar nga ndonjë skenarist i një komedie të zezë që ka humbur kontrollin.
Personalisht, kur ndjejë sikur gjithçka rreth meje po më bombardon me absurditet, më bën mirë të kthehem në absurditetin e zgjedhur vetë si për shembull “White Chicks”. Për të disatën herë, e kam parë nga fillimi deri në fund dhe për të disatën herë, kam qeshur fort, sepse ndonjëherë është më mirë të qeshësh nga budallallëku i një filmi sesa nga absurdi i realitetit.
Filmi i zhanrit komedi/krim i vitit 2004, me minutazhën prej 109 minutash, është arsyeja pse unë jam e varur nga filmat e fillim-viteve të 2000-ta.
Këto janë 10 mendimet që kisha kur e rishikova, e të cilat ndoshta bëhen arsyeja që edhe ju ta shikoni nëse nuk e keni parë deri sot ose nëse e keni harruar:
1- Sinqerisht është një film të cilin nuk e marr seriozisht, thjeshtë çdo gjë më bën të qesh. Skena hyrëse e cila tregon misionin dështues të vëllezërve Copeland (Wayans në jetën reale), më lë të mësoj shumë se çfarë mund të shkaktojë euforia e momentit (se si entuziazmi ynë për të rregulluar diçka shumë shpejtë dhe pa analizë për rezultatin përfundimtar mund të shkatërrojë atë).
2- Shndërrimi i vëllezërve për shkak të misionit kërkues në vajza. Definitivisht nuk është as shndërrim si duhet, kamuflimi i tyre është i tmerrshëm por shumë qesharak. Në zhvillimin e ngjarjes është vendosur një balanc i situatave, përshembull i atyre që e pëlqejnë shndërrimin e tyre dhe atyre që nuk e kuptojnë.
3- Ky film ekziston vetëm që t’u bëhet e ditur atyre që kanë nevojë dëshpërimisht për një pushim nga gjithë kaosi i botës dhe duan vetëm të qeshin shumë.
4- Skena kur vëllezërit Copeland të kamufluar si vajza, kërcejnë në klub me këngën “It’s tricky” nga Run Dmc, definitivisht më ndërlidhë me muzikën që vendoset sot në klubet e natës tek ne dhe që nuk është e mirë aspak sa kjo këngë në vitin 2004. Vallëzimi i tyre është për t’u mbajtur mend.
5- Skena kur aktori Terry Crews në rolin e Lartell këndon këngën “A Thousand Miles” – arsyeja pse e njoh këtë këngë.
6- Ka edhe skena me përmbajtje raciste, si fakti që u ipet leja për hyrje në hotel dy motrave të bardha pa mjete të identifikimit vetëm se ishin të bardha dhe të pasura. Skena të shumta nga “White Chicks” u konsideruan skena raciste në kohën kur u shfaq por që një dekadë më vonë filloi të cilësohet si një prej filmave me skenat më të mira të zhanrit komedi.
7- Sa herë i përcjellë intervistat e kastit të aktorëve në këtë film, detajet që më mbesin në kokë janë: roli i Latrell, sjelljet e tij ishin të bazuara në person real/ekzistues, apo edhe gjykimi që audienca i dhuroi në fillim aktores Busy Philipps, me rolin e Karen, teksa vite më vonë ajo mori lavdatat që kishte pritur t’i ndodhnin në fillim.
8- Fillim vitet e 2000-ta ishin të njohura me epokën e “vajzave thatanike”. Të njëjtën gjë e pasqyron edhe filmi në skenat e blerjes së rrobave.
9- Thellë në vete e shoh kështu: A ka ndonjë përceptim në lidhje me racat këtu? Jo. A ka ndonjë përceptim mbi diferencën gjinore? Jo. Si burra ose gra, persona me ngjyrë ose të bardhë, vëllezërit Wayans luajtën saktësisht të njëjtin personazh.
10- Këtu bën më shumë përshtypje filmi: kur Marcus tenton të shpjegoj veten dhe punën e tij karshi gruas së tij dhe në anën tjetër merr përballë përkeqësimin e raportit me Kevin, pasi këtij të fundit ju verbuan sytë nga dëshira për të treguar sukses në punë.
E krejt në fund sa i përket përgjigjes së pyetjes në titull; Pse më bën më mirë një film i vitit 2004 se gjithë rrjetet sociale sot?
Sepse “White Chicks” nuk më bën të krahasoj jetën time me askënd. Më jep vetëm një gjë të thjeshtë: të qeshur pa filtra dhe ndonjëherë, në këtë botë ku çdo gjë po filtrohet, përpunohet, dekorohet dhe deformohet – një budallallëk i pastër dhe i sinqertë vlen më shumë se gjithë “kontenti” i javës në TikTok.
Kjo është arsyeja pse i rikthehem. Sepse nuk më kërkon asgjë. Vetëm të qesh, dhe kaq.