Live Stories from Prishtina

LIVE

27 Korrik, 2025

Maroku është si një libër me shumë kopertina, një faqe është me rërë të artë në shkretëtirën e Saharasë, një tjetër me erë menteje në tregjet e ngjeshura të Marrakeshit. Në një cep bluja magjike e Chefchaouenit, në tjetrin heshtja solemne e minareve që prekin qiellin e Rabatit.

Rabat, kryeqyteti i Marokut, është vend i njohur për labirintet me mozaikë në Fes dhe detin e Atlantikut që puth brigjet e Essaouiras.

Është një vend ku thjeshtësia bashkëjeton me pasurinë, ku trashëgimia andaluziane, berbere dhe arabe shkrihen në një identitet të rrallë, e ku artizanati është mënyrë për të treguar botën.

Në këtë mozaik të pasur kulturor, diku pranë një rruge të zakonshme në Rabat, gjendet një burrë që është bërë vetë pjesë e peizazhit për përkushtimin e rrallë ndaj dijes. Ai quhet Mohamed Aziz, 72 vjeç, dhe është librashitësi më i fotografuar në botë.

Në një vend ku 26% e popullsisë ende nuk dinë të lexojnë, ky burrë shet mundësinë për të jetuar më shumë se një jetë.

Azizi mbeti jetim në moshën 6-vjeçare. Nuk e mbaroi as shkollën e mesme, sepse librat e shkollës kushtonin shumë. Por nuk u dorëzua. Në vitin 1963, 15-vjeçari filloi të shiste libra me aq sa kishte: një qilim nën një pemë dhe vetëm 9 libra. Sot, pas më shumë se katër dekadash në të njëjtin vend, ai ka një librari të vogël, por të mbushur me mijëra botime. Kalon 6 deri në 8 orë në ditë duke lexuar, ndalet vetëm për të ngrënë, për të falur, për të pirë një cigare dhe për të ndihmuar ndonjë klient. Pastaj ecën nëpër lagje në kërkim të librave të tjerë që mund t’i shes më vonë.

“Kjo është hakmarrja ime ndaj fëmijërisë sime dhe varfërisë,” thotë ai. “Kam lexuar më shumë se 4,000 libra në arabisht, frëngjisht, anglisht dhe spanjisht. Kjo do të thotë se kam jetuar më shumë se 4,000 jetë. Secili duhet ta ketë atë mundësi. Mua më duhen vetëm dy jastëkë dhe një libër për të shijuar ditën.”

Dhe nëse pyetni pse i lë librat jashtë gjatë ditës, pa mbikëqyrje, përgjigjja është një poezi më vete:
“Ata që nuk dinë të lexojnë, nuk vjedhin libra. Ata që dinë të lexojnë, nuk janë hajdutë.”

I dashur lexues nuk ka jetë të vogël kur ndjek dashurinë e madhe çkado qoftë ajo!

Gëzuar të dielën!