Bota
4 Gusht, 2025
A ta tregoj një truk se çka bëj kur mërzitem prej thithjes së informatave nga rrjetet sociale: shikoj filma të metrazhit të shkurtër, nëse janë me tekst sigurohem që të kenë përkthim anglisht.
Zakonisht filmat e metrazhit të shkurtër janë të bazuar në ngjarje të vërtetë dhe siç e kemi theksuar disa herë, ne i duam historitë e bazuara në ngjarje reale. Kjo e sotmja është pak e vjetër, por në formë për të dhënë një mësim përherë.
Argjentina në periudhën 2001-2002 përjetoi një krizë të thellë ekonomiko-sociale ku dhe shpalli falimentimin e vendit nga mospagesa e madhe e borxhit sovran. Vendi përjetoi trazira, protesta masive, brenda pak javësh u ndërruan pesë president, nisi një periudhë rimëkëmbjeje nën drejtimin e Eduardo Duhalde dhe më pas Néstor Kirchner.
Ndryshe periudha u njoh si kapitalizëm i egër, ndësa vendi përjetoi depresionin e madh. Në termet e të hyrave, vendi përjetoi 50 për qind rënje ekonomike, ndërsa 20 për qind e tyre ishin në varfëri.
Pesoja (valuta e Argjentinës) u zhvlerësua, shteti rifilloi të ndërhynte në ekonomi, u mbështet prodhimi vendas dhe u subvencionuan nevojat bazike. Politikat neoliberale u braktisën, FMN-ja u refuzua dhe ekonomia u rrit me ritme të larta për disa vite, duke ulur papunësinë dhe varfërinë. Megjithatë, më vonë, inflacioni dhe tensionet me kreditorët vazhduan të jenë sfida të mëdha.
Për situatën e njëjtë u krijua filmi i metrazhit të shkurtër që është një prej filmave më të mirë që kam shikuar ndonjëherë të kësaj kategorie, El Empleo (“The Employment”).
Me asnjë fjalë, për vetëm pak minuta, ky film i animuar na tronditë më shumë se shumë filma të gjatë me monologje dhe muzikë dramatike.
Realizuar në vitin 2008 nga regjisori Santiago “Bou” Grasso dhe shkrimtari Patricio Plaza, “El Empleo” portretizon një shoqëri ku njerëzit nuk janë më njerëz por mobilje. Karrige, llamba, dyer, tavolina… të gjitha mbahen dhe kryejnë funksionin e tyre nga njerëzit. Njerëz që kanë pranuar vetë të jenë pjesë e këtij absurditeti.
Çdo gjë fillon nga mëngjesi, kur protagonisti kryesor zgjohet dhe përgatitet për punë. Hapë llambën e cila portretizohet nga njeriu, ha mëngjesin ku tavolinë janë njerëzit, pret për taksi dhe taksi është njeriu, i cili bartë njeriun në shpinë.
Shikuesi fillimisht mund të buzëqeshë nga absurdi, por shumë shpejtë e kupton që ky absurditet është një pasqyrë metaforike e një shoqërie ku funksioni ka zëvendësuar vlerën njerëzore.
Ndërrimi i tregimit të shkurtër ndodhë në fund, kur vetë protagonisti që dukej se po shfytëzon njerëzit si taksi, si tavolina, si karrige, si llamba, është në vakt një “tepih” ku njerëzit tjerë i fshijnë këpucët mbi rrobat e tij për të hyrë në zyrë.
Pra një zinxhirë që nuk ka fund, secili punon për dikë, secili i nënshtrohet dikujt, secili bën gjithçka për punën e tij.
Pse ky film na prekë kaq shumë?
Për shkak se nuk është thjeshtë një trill artistik. Pas krizës ekonomike të Argjentinës në 2001–2002, krijuesit e filmit përjetuan nga afër efektet shkatërruese të papunësisë, humbjes së dinjitetit dhe përpjekjes për mbijetesë.
Sa larg mund të shkoj një njeri për të mbajtur një punë?
“El Empleo” është një kritikë e heshtur, por e fuqishme ndaj kapitalizmit të egër dhe ndaj një kulture që i mat njerëzit sipas dobisë së tyre. Ai na kujton që, në shumë raste, puna që na siguron jetesën mund të na heqë pjesë nga vetvetja.
Filmi i animuar u punua me teknikë 2D tradicionale, është shfaqur në dhjetëra festivale ndërkombëtare dhe ka fituar mbi 100 çmime, duke përfshirë: Çmimin për filmin më të mirë të shkurtër të animuar në Sapporo International Short Film Festival (Japoni),
Çmimin e publikut në AFI Fest (SHBA),
Çmimin e jurisë në animafest Zagreb (Kroaci).
Sot, “El Empleo” shërben si material edukativ dhe reflektues, përdoret nëpër shkolla dhe universitete në të gjithë botën dhe diskutimi që ngjallë nuk ka humbur asgjë nga aktualiteti i tij, përkundrazi, është bërë më i mprehtë.
A jam duke jetuar me dinjitet apo vetëm duke funksionuar? A i shoh të tjerët si njerëz, apo si mjete për të arritur qëllimet e mia?
Në një kohë ku shumë prej nesh ndihen të zënë në kurthin e punës, të paguar mirë apo jo, ky film tenton të tregoj se njeriu nuk është paisje, nuk është as tavolinë, as llambë, as karrige, është qenie që meriton respekt, hapësirë dhe vetëvendosje.