Live Stories from Prishtina

LIVE

9 Gusht, 2025

Prej një video me përmbajtje krejt “jashtë” (e përdorim si fjalë me shoqëri, me nënkuptimin kinse “asgjë relevante me atë që po mendoja dhe kaloja në moment”), nga përdoruesi me emrin “insidehistory” tek pjesa e “reels” në “instagram”, që janë shkaktar i qëndrimit me orë të tëra në shtrat, në një t’shtunë, e pash vizualizimin e PI-së (që është e barabartë me 3.14), më dha një ndjenjë sikur po e shihja botën të ecte përgjjithmonë pa u takuar me të ardhme të mëparshme, gjithçka e re, pa kufij.

Nëse ju kujtohet PI-ja, π shfaqet në gjeometrinë rrethore kur llogarisim raportin midis perimetrit të një rrethi dhe diametrit të tij.

Për ta gjetur PI-në, që matematicientë të ndryshëm me shekuj e vite provuan, viaztonin fillimisht një rreth dhe brenda e jashtë tij vendosi shumëkëndësha me shumë anë (fillimisht gjashtëkëndësh, pastaj 12-anësh, 24-anësh, etj).

Shifrat e PI-së pas presjes dhjetore vazhdojnë pafund, pa u përsëritur kurrë në ndonjë model të parashikueshëm. Fillon me 3.14159… dhe vazhdon përgjithmonë.

I tërë ky proces që dikur solli një shifër që nuk ndalet asnjëherë, më duket sikur u tentua t’i bëhej vend diçkaje që nuk përkiste aty (këndet në një rreth!!).

Është si dashuria e paparashikueshme, e pafundme, pa dëshirën në mes për t’u reduktuar në një formulë ku i mendon pasojat.

Sikur kjo PI-ja, po ta tregon një rrugë, e cila po “bërtet” duke thanë: çkado që vendosë ti të bësh unë prap ka me ecë para, pa u ndalë, gjete ose nuk e gjete veten në këtë jetë.

A e dini ky filmi që doli në fillim të vitit, “Materialists”, me Dakota Johnson, Pedro Pascal dhe Chris Evans, që si ide ka ardhur kur regjisorja edhe skenaristja ka punuar para 10 viteve në një agjension për të gjetur partnerët ideal, ishte saktë paralele për ta shpejgua PI-në.

“Sa i gjatë?”, “Nuk e dua dikë që i do macet”, “Dua dikë që njeh muzikë të mirë”, “Dua dikë që është edhe më i gjatë kur unë jam në take”, t’gjitha këto dhe prap duke bërë vend.

Kur i themi dikujt “po sillesh irracionalisht”, nënkuptojmë që po vepron me emocione ose instinkt, pa menduar me arsye ose duke injoruar faktet.

Në fund, Lucy (Dakota) zgjedh John-in duke refuzuar marrëveshjet tranzitore dhe duke përqafuar dashurinë autentike. Filmi është një kritikë e sistemit kapitalist që ka transformuar dashurinë në një treg grafik sistematik.

Celine Song, si një “msite shqiptare” për gjashtë muaj, e përshkruan këtë eksperiencë si tejet edukative dhe tregon se dashuria si fenomen nuk është asgjë që mund të kontrollosh plotësisht. Në një intervistë të fundit, ajo shprehet se dashuria është “një mister i lashtë, një mrekulli e shenjtë” që kapitalizmi nuk mund ta kolonizojë.

Në kulturën tonë shqiptare, msiti që tradicionalisht ndërmjetëson martesat është po aq intuitiv dhe emocional sa π-ja.

Ai ka pasur rolin e një negociatori delikat, ndonjëherë edhe të një strategu social që i njeh të gjitha nyjet e komunitetit. Por, në të njëjtën kohë, msiti ka qenë edhe menaxher i pritshmërive dhe kushteve shpesh duke i parë martesat si marrëveshje ekonomike e sociale, jo thjesht si lidhje të zemrave.

Këtu lind pyetja: a është msiti një “matchmaker” në kuptimin romantik të fjalës, apo një lloj brokeri që vlerëson “fitimet” e një bashkimi? A është ai një figurë që mbronë dashurinë, apo e kornizon atë brenda kufijve të interesit dhe pragmatizmit?

Ashtu si Lucy në Materialists, msiti ecën mbi një vijë të hollë mes ndjenjës dhe kalkulimit. Dallimi i vetëm është se, në kohën tonë, “matchmaker-i” modern të shitet si shërbim luksi në Manhattan, ndërsa msiti shqiptar ka qenë një institucion i heshtur, pjesë e strukturës së një fshati, lagjeje apo qyteti.

Në këtë kohë ku dashuria shpesh matet me “tabela vlerash sociale”, π-ja dhe figura e msitit na rikujtojnë esencën emocionale të marrëdhënieve. Materialists sjellë këtë kontrast me stil: fiaskoja e përpjekjeve llogaritëse në ndjenjë dhe triumfi i brendshëm i autentikësisë. Në një botë që pret të blejë dashuri, filmi thërret: dashuria nuk blihet. Ajo thjeshtë ndodhë.

Ashtu si π-ja, që vazhdon pafund pa u kthyer kurrë në një shifër të njohur, edhe dashuria ecën në rrugë të saj, shpesh pa modele që mund t’i parashikojmë. Materialists na kujton se mund të provojmë ta përkufizojmë, ta masim, ta kthejmë në listë kontrolli, por ajo gjithmonë ka një pjesë që nuk hynë në formulë. Dhe msiti shqiptar i lashtë, i diskutueshëm, ndonjëherë i dashur, ndonjëherë i frikshëm e di këtë prej kohësh: zemrat nuk lidhen kurrë thjeshtë nga një plan, por nga ato linja të padukshme që nuk ndalen kurrë, si shifrat pas presjes së π-së.