Fakte abstrakte
13 Gusht, 2025
Të gjithë e kemi një vend të preferuar në shtëpinë tonë që na bën të ndihemi më mirë dhe shpesh ky vend lidhet me atë që ne pëlqejmë të bëjmë. Për shumë prej nesh, ai vend është kuzhina.
Ajo është cilësuar për dekada si “zemra e shtëpisë” sepse nuk është vetëm një hapësirë gatimi, por vendi ku familja bashkohet, ku ndahen biseda, kujtime dhe ngrohtësi. Sipas studimeve të ndryshme mbi jetën familjare, ky ambient ka rol shoqëror e emocional, duke kaluar nga një hapësirë thjeshtë funksionale në një qendër të përditshmërisë që reflekton stilin e jetesës dhe shijet estetike.
Shpesh kemi dëgjuar të thuhet se gatimi është si lojë për fëmijët dhe gëzim për të rriturit. Është një akt dashurie, i cili për të qenë perfekt, kërkon një ambient të këndshëm dhe praktik. Edhe pse mund ta shohim kuzhinën si thjeshtë vendin ku përgatitet ushqimi, ndjenjat që ajo zgjon janë nostalgjike, të paharrueshme dhe shpesh frymëzuese për të krijuar një “vepër arti” kulinare.
Por sa ka ndryshuar kjo hapësirë ndër vite? Në fakt, ka ndryshuar jo vetëm dizajni, por edhe vetë koncepti i saj. Nga një ambient i kufizuar për gatim, kuzhina është kthyer në një hapësirë të hapur, të bukur për syrin dhe vend takimi për familjen e miqtë.
Në 1950-at dominonin ngjyrat pastel të ndritshme, dyshemetë linoleum shumëngjyrëshe, furra me tulla dhe paisje me gaz. Druri përdorej për kuzhinat e vilave, ndërsa në ato moderne mbizotëronin dollapët e bardhë. Dizajni gjeometrik dhe dyshemetë me kuadrate ishin tipike.

Në 1960-at, stili “mid-century modern” solli linja të pastra, mobilje prej druri dhe ngjyra të forta si portokallia dhe jeshile – lime.
Në 1970-at u përhapën tonet natyrore si ngjyra e arit të korrjes dhe jeshilja avokado, me panele druri e stil fshati. 1980-at sollën maksimalizmin me ngjyra të guximshme, dekorime të bollshme dhe kabinete pa doreza në stilin “euro-style”.
Në vitet ‘90 u rikthye eleganca klasike me ndikime evropiane, ndërsa fillimi i viteve 2000 solli hapësira të hapura, ngjyra neutrale dhe ishuj gatimi që shërbenin si qendër sociale. Në dekadën e fundit, minimalizmi modern me tonalitete gri e të bardha, dritare të mëdha dhe ndriçim të bollshëm ka qenë trendi kryesor. Sot, elemente retro e vintage po rikthehen fuqishëm: gur mermeri, ishuj guri, dysheme checkerboard, kabinetë të lirshëm dhe enë të ekspozuara, duke ndërthurur nostalgjinë me funksionalitetin bashkëkohor.
Ky udhëtim nga vitet e ‘50-ta deri sot, tregon se kuzhina është gjithmonë një pasqyrë e kohës dhe kulturës: nga optimizmi i pasluftës te ngrohtësia e viteve ’70, luksi i viteve ’80, minimalizmi i viteve 2000 dhe rikthimi i sotëm te klasiket. Për këtë arsye, nëse jeni në dilemë për përzgjedhjen e stilit të kuzhinës, klasiku mbetet zgjedhja që i reziston kohës duke ruajtur zemrën e shtëpisë gjithmonë të gjallë.