Live Stories from Prishtina

LIVE

16 Gusht, 2025

Plazhi në Shqipëri është kthyer prej vitesh në temë të përditshme. Thuajse çdo ditë lexojmë për çmimet e shezlongëve, për oktapodët e skarës apo për ndonjë frut që shitet me çmime të pabesueshme.

Obsesionin që së fundmi është krijuar në Shqipëri me turizmin bregdetar, sikur plazhi do ta shpëtojë ekonominë e kur i gjithë diskursi është reduktuar tek çmimet duket sikur nuk ka as vizion, as thellësi.

Kur flasim për çmime si në çdo situatë që janë dy anët e medaljes edhe këtu janë dy anë: ke vende ku ushqimi dhe shërbimi është shtrenjtë, por ka edhe vende ku është lirë dhe mirë.

Por përtej këtyre lajmeve, qëllimi i vërtetë i pushimeve është një tjetër: të gjesh qetësi, të shkëputesh nga rutina, të marrësh frymë ndryshe.

Edhe unë shpesh shkoj drejt bregdetit me këtë motiv jo sepse kam një arsye të madhe, por sepse më duhet të ik përkohësisht nga bota e zakonshme, shumë shpesh pa motiv, por e gjej rrugës, sikur çdo gjë që po më duket së fundi.

Dikur kishte kënaqësi në atë moment që po jetoje dhe kujtimi më pas ishte edhe më i fuqishëm, të bënte të kesh mall, e ta duash prap një verë e moment të tillë, sa më shpejtë. Sot, nuk ka hijeshinë e njëjtë dhe kur e kujton, përshembull verën e kaluar, nuk është kujtim i fuqishëm aq sa ai i vitit 2016.

Në këtë arrati, më duket se jam njëkohësisht edhe e pavendosur, edhe me fat që kam këtë mundësi, t’i rikthehem qenies time kur vizitoj Jonin. Burim i pashterrshëm për emocione kur sheh diçka aq të bukur, që çdo mëngjes, bëhet vetëm më i bukur.

Çfarë më bën përshtypje çdo herë, janë turistët që takoj. Nuk janë nga ata që zgjedhin resortet luksoze, por as nuk e përqafojnë realitetin tonë.

Duken sikur kërkojnë një alternativë ndaj turizmit komercial, por kur përballen me jetën e thjeshtë shqiptare, stepen.

Më shumë duken si të mbetur në mes, të zhgënjyer nga industria e madhe e pushimeve, por jo gati të hapen ndaj një vendi që shpesh i pret pa shumë dekor.

Ata që sheh në plazh nuk janë të njëjtë me grupet energjike që takon në Tiranë.

Nga ana tjetër, vetë plazhi ka humbur një pjesë të haresë që ndoshta dikur e kishte më natyrshëm.

Sot, gjithçka duket e mbushur me frikën e diellit, me krema mbrojtës, me muzikë të lartë nga beach-baret, me tensionin e çmimeve.

Kjo ndodhë kur eksperiencën e plazhit e përjeton për ta shitur në Instagram. Kur prej një hapësire të lirë pushimi, plazhi shndërrohet në një vitrinë ku çdo shezlong, çdo pjatë me oktapod apo çdo trup i rreshkur shihet si “produkt”.

Në këtë panair storiesh, nuk pushon më askush, thjeshtë pozon. Konsumizmi e ka gëlltitur kuptimin e plazhit, duke e kthyer në një treg të pafund imazhesh të filtruar.