Live Stories from Prishtina

LIVE

18 Gusht, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje javore me lajme që kryesuan javë  dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

 

Mirëmengjesi ty që po ndalesh këtu! Sot është e hënë dhe uroj që të kesh një fillim të mbarë të javës në çkado që je duke bërë; pushime të këndshme nëse je në pushim, punë të lehtë nëse je në punë dhe nëse je duke kaluar nëpër vështirësi… më beso që edhe ajo kalon, vetëm duhet durim.

Bëhu ti i pari që dërgon energji të mirë dhe që përhap pozitivitet. Mos prit që bota të ndryshojë para se ti të ofrosh buzëqeshjen tënde dhe fjalë të mira. Universi është një pasqyrë e asaj që japim: nëse ofron zemërim, do marrësh zemërim, por nëse udhëheq me butësi dhe dashamirësi, ajo do të kthehet tek ti në mënyra të shumëfishta e të papritura. Çelësi është të jesh i qëndrueshëm në këtë gjë.

E di që ngarkesat personale dinë të na mbajnë shpesh edhe larg informatave se çka ndodhë në vendin tonë. Këtu ke një përmbledhje të shkurtër se çka ka pasur këto ditë.

***

Gjykata e publikoi më 8 gusht njoftimin lidhur me aktgjykimin, i cili u kërkon deputetëve që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh. Kushtetuesja e vazhdoi masën e përkohshme që ua ndalon deputetëve vazhdimin e seancës deri në publikimin e plotë të aktgjykimit.

Aktgjykim ky, i cili u tha se do publikohej javën e kaluar, ndërsa ende nuk ka dalë.

Sipas aktgjykimit, që ende nuk është bërë publik i plotë në gazetën zyrtare, kryekuvendari duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe i njëjti kandidat për këtë post mund të votohet vetëm deri në tri herë.

E çka mund të ndodhë pas publikimit të aktgjykimit?

Skenarët potencial prej atyre që lexova në mediat tona, prej opinioneve ishin që: partitë politike do të detyrohen të lëshojnë pe dhe më në fund do t’i rikthehen atij vullneti të munguar politik dhe do t’i konstituojnë organet, fillimisht Kuvendin e pastaj edhe Qeverinë. Poashtu nëse partitë nuk veprojnë, një shpejtësi drejt veprimit mund të imponohet nga, thënë “agjentët e jashtëm” pra shkurt nga “mos na lashtë zoti pa disa ndërkombëtarë” por ka edhe një dobësi, sepse arrin që të delegojë shumë më ashpër imponimin e vet, duke e përdorur kërcënimin e që mund të pasojnë pastaj edhe sanksione të ndryshme, të cilat ne nuk i dimë.

Por natyrisht nuk është “larg mendësh” që thojnë pleqtë, që partitë e mëdha këtë situatë ta shfrytëzojnë për zgjedhje në interesa elektorale.

Sido që të jetë “hajër ishalla”, me pasë këso politikan që nuk ua ndinë pse vendi i tyre qe gjysmë viti është pa institucione… veç deri tek ne.

***

50 autoblinda ka pranuar Forca e Sigurisë së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka thënë se FSK-ja do t’i përdorë në kapacitet të plotë operacional këta autoblinda.

****

Janë kategoria e punonjësve prej më të harruar të kësaj shoqërie, na kujtohet t’i përmendim vetëm kur verës ka vatra aktive të zjarrit, zjarrfikësat janë të harruar!

Përderisa në Kosovë 87 vatra të zjarrit kanë qenë të regjistruara e 8 janë ende aktive, në Suharekë zemërmirësve ju është kujtuar ndërtimi i të paktën një objekti të ri që ua lehtëson kushtet e punës në krahasim me rrogat që marrin, prap në krahasim me rrezikun që u kanoset.

Bali Muharremaj, kryetari i Suharekës tha se bashkë me shoqatën “Jetimat e Ballkanit” do ta bashkëfinancojnë ndërtimin e këtij objekti.

“Ka 8 vite që jam në teren me ta dhe e njoh mirë nevojën e tyre. Pritëm shumë që t’na ndihmojnë institucionet qendrore përgjegjëse, të cilat e kanë detyrë dhe përgjegjësi, por nuk ndodhi. Falë humanistëve dhe donatorëve zemërmirë, në këto vite zjarrfikësit tanë kanë automjete moderne. E tash do ta kenë edhe objektin e ri me të gjitha kushtet që ju nevojiten”, shkroi Muharremaj.

Një lajm i mirë mbetet me pa edhe duke u realizu, që nuk kam mëdyshje se do finalizohet siç duhet.

***
Festivalet e verës shumica mbaruan, zhurma nëpër kryeqytet nuk është si në mes të korrikut e fillim të gushtit, por aktivitet nuk ndalen.

E nisi me Berlin, Danimarkë e tash në Tajlandë, edhe një herë korit “Siparantum” do t’i duhet ta dëshmojë veten para audiencës botërore, por këtë nuk e ka të vështirë, duke pasur parasysh sukseset e deritashme. Pjesëmarrja e radhës është në Bangkok të Tajlandës, ku kori do të marrë pjesë në “Thailand International Choral Festival”. Krahas saj, më 1 shtator edhe drejtuesi dhe dirigjenti i “Siparantumit”, Memli Kelmendi, do të drejtoj një punëtori atje. Ky festival që njihet si një prej më prestigjiozëve, organizohet nga “Thailand Choral Association” në bashkëpunim me “Bandung Choral Society”!

Suksese të mëtutjeshme korit, e ne me ty kalimtar/e e dashur e mbyllim këtë artikull kështu:

Nuk është detyra jote të kesh një mendim për çdo gjë që ndodhë rreth teje. Zgjedhja për të mos marrë pjesë në çdo debat apo bisedë është një formë e sjelljes që quhet “injorancë selektive”. Kjo nuk të bën më pak të ditur, por të mbronë nga lodhja mentale, ruan energjinë tënde dhe të jep qartësi për gjërat që me të vërtetë kanë rëndësi për ty.