Dje n’Kosovë / foto: Nita Meqa
19 Gusht, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje javore me lajme që kryesuan javë dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
19 gusht. Edhe mbrëmë gjumi nuk erdhi. Orët rrëshqitën ngadalë dhe trupin e mbajta shtrirë, por mendja mbeti zgjuar, e lodhur. Pasdite kalova disa orë entuziaste, një gjallëri e heshtur që më ndjekë edhe në mbrëmje. Por mbrëmë e lejova të më mposhtë, më mori përpara qetësia, “vlerë” që më është shtuar viteve të fundit. Ka ditë të tilla, kur nata të merr qetësinë, por ajo nuk duhet të të marrë edhe qëllimin. Duhet të ngrihesh përsëri, edhe nga pagjumësia, edhe nga apatia, edhe nga lodhja që nuk shihet.
***
Dje në Kosovë, Kushtetuesja sqaroi pse kufizoi votimin në tri herë për një kandidat për kryekuvendar.
Duke e marrë shembull votimin për postin e Presidentit/es dhe Avokatit të popullit, gjykata tha se duke u bazuar që seanca konstituive e Kuvendit edhe pas afatit përfundimtar prej 30 ditëve që ishte caktuar me aktgjykimin e kaluar të Kushtetueses nuk përfundoi, e konstaton se votimi i një kandidati apo kandidateje për kryetar të Kuvendit s’mund të realizohet më shumë se tri herë.
Kushtetuesja ka konstatuar se seanca duhet të vazhdojë te pika ku kishte mbetur më 8 prill dhe votimi të bëhet i hapur.
***
Menjëherë ka ardhur reagimi i LVV-së, në një deklaratë të postuar në Facebook, ka thënë se pas 10 ditësh Gjykata pranoi që përmes Aktgjykimit të publikuar sot ka shkruar rregull të ri. Ajo e ka quajtur vendimin arbitrar dhe që cënon demokracinë.
Sipas VV-së, tejkalimi i juridiksionit nuk justifikohet me asgjë. Theksohet se “ditët vonesë për publikimin e vendimit njoftojnë pamundësinë për ta justifikuar vendimin arbitrar që cenon demokracinë”.
“Kufijtë e ngushtë të arsyetimit sot janë rrjedhojë e gjerësisë së tejkalimeve që ja ka lejuar vetes Gjykata. Se votimi i fshehtë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, u konfirmua sërish. Zhurma opozitare u rrëzua përsëri. Por paragjykimi i Gjykatës për mungesën e konsensuesit politik sa kohë që nuk është hedhur asnjëherë në votim është ecje në rrugën e subjekteve bllokuese. Kjo rrugë na kthen pas aty ku nuk pati rezultat”, thuhet në reagim.
***
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku lidhur me aktakuzën ndaj dy zyrtarëve në Prizren për rrënimin e “Sarajit të Vjetër”, ka thënë se është vërtetuar ajo që sipas tij, e kanë thënë nga fillimi.
Sipas tij, rrënimi i paligjshëm i “Sarajit të Vjetër” në Prizren nuk ishte gabim, por shkelje e rëndë me pasoja të pariparueshme për trashëgiminë kulturore.
Ai ka shtuar se pas kallëzimit penal të dorëzuar nga Ministria e Kulturës, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Urbanizmit dhe një bashkëpunëtoreje profesionale të Komunës së Prizrenit, duke shkaktuar një dëm të pariparueshëm kulturor dhe financiar mbi 15 milionë euro.
Çeku ka thënë se pret që standardi që sot vendosi Prokuroria Themelore e Prizrenit të ndiqet edhe nga ajo e Prishtinës.
****
Shpesh harrojmë se nën kushtet e ashpra dhe primitive të këtij planeti, secili njeri që takojmë është një nga të “plagosurit” që ecin. Në fytyrat e tyre mund të mos shihet, por brenda vetes mbajnë gjurmët e ankthit, dhimbjes apo humbjes. Nuk ka njeri që nuk është prekur sadopak nga këto. Çdo burrë e grua ka brenda një plagë të padukshme, një çarje të vogël të shpirtit. Sepse nga njerëzit që takoj dhe shpenzoj kohë me ta, kuptoj që njerëzimi është një udhëtim i përbashkët i të “plagosurve” që vazhdojnë të ecin përpara, duke mbajtur barrën e vet dhe duke u përpjekur të mos dorëzohen. Ju dua🫶🏻