Live Stories from Prishtina

LIVE

20 Gusht, 2025

Kalova nëpë dy-tri postime edhe e pashë fjalën “nonshalancë”, e cila ke e përdorurpër t’i përshkruar njerëzit që qetësisht i arrijnë gjërat. Nëpër botë volumin ma të madh këtij termi ja ka dhënë rrjeti social “instagram” për ta përshkruar ndryshe si fenomenin “play it cool” kur njofton njerëz të rinj, kur je me grupe të reja të njerëzve me idenë që të shfaqen sa më pak emocione në takime të para me njerëz të rinj!

Një fenomen i tillë vazhdon të jetë edhe sot, andaj shumë artikuj si në “daily uw” e quajtën “epidemia e nonshalancës”.

Por le të flasim saktë për termin.

“Nonshalant” vjen nga frëngjishtja dhe ka hyrë kryesisht përmes përdorimit në anglisht, ku ka kuptimin e të pasurit qëndrim të qetë, indiferent, madje edhe të painteresuar ndaj ngjarjeve përreth.

Në rrënjë, kjo fjalë lidhet me “calere” që nga latinishtja do të thotë të jesh i nxehtë, të digjesh. Në latinisht, “të jesh i ngrohtë” nënkuptonte kujdes, pasion ose përkujdesje për diçka. Kur i shtohet parashtesa mohuese non-, krijohet kuptimi i kundërt: të mos digjesh për diçka, të mos shqetësohesh. Prej këtu lindi folja nonchaloir, dhe më vonë mbiemri nonchalant – “i painteresuar, i ftohtë”. Nga ky mbiemër, si formë emërore, u krijua “nonchalance”, që përshkruan gjendjen ose cilësinë e të qenit indiferent, i shkujdesur, por shpesh edhe me një elegancë të fshehtë.

Ky term fillon të përdoret që në shekullin XIII, dhe gjendet shpesh në letërsinë klasike franceze. Shkrimtarët si Pascal, Diderot apo Montaigne e kanë përdorur për të përshkruar një qëndrim të qetë, të painteresuar, por jo gjithmonë në kuptimin negativ. Diderot, për shembull, ka shkruar: “La nonchalance embellit une petite chose, et en gâte toujours une grande” – “Nonshalanca zbukuron një gjë të vogël, por gjithmonë e prish një gjë të madhe”.

Kjo tregon se fjala mbante një kuptim të dyfishtë: mund të jetë elegancë e lehtë por edhe rrezik i papërkushtimit.
Pra, nga latinishtja calere (ngrohtësi, kujdes) tek frëngjishtja nonchaloir (moskujdesje), fjala kaloi në “nonchalant” dhe më pas në nonchalance.

A ekziston në fjalorët e shqipes?

Në fjalorët standard të shqipes, fjala nonshalancë ende nuk figuron si një hyrje zyrtare. Megjithatë, përdorimi i saj është rritur në tekste mediatike, në biseda të përditshme dhe sidomos në diskursin kulturor e artistik, ku shpesh përdoret për të përshkruar një qëndrim “cool”, të painteresuar, por gjithsesi tërheqës.
Si: “Ai foli me një nonshalancë që tregonte vetëbesim të plotë.”

“Në intervistë, këngëtarja e mbajti veten me një nonshalancë tipike të stilit modern.”

Në shqip, kjo fjalë bartë disa kuptime që ndoshta nuk përkthehen plotësisht me një term të vetëm:
Qetësi e ftohtë
Indiferencë
Moskokëçarje

Këto nuanca e bëjnë fjalën tërheqëse për përdoruesit, pasi jep një atmosferë që “qëndron mes” shkujdesjes dhe elegancës.

Ku po përdoret më shumë?
Në media dhe kulturë popullore për përshkrime të figurave publike, yjeve të muzikës, sportistëve apo personazheve televizive.

Në rrjete sociale, përdoruesit shpesh e përdorin për të përshkruar qëndrimin e tyre në situata të caktuara, shpesh me dozë ironie.

Në letërsi dhe publicistikë për të sjellë një nuancë më të sofistikuar në përshkrim.

“Nonshalancë” haset si term edhe tek vepra e Migjen Kelmendit, “Darkën ndër bomba”, për të përshkruar jetën e të rinjve në 1998-1999 në Kosovë.

A duhet të adaptojmë fjalë të huaja?

Debati për huazimet është i hershëm në shqip. Disa argumentojnë se përdorimi i fjalëve të huaja si nonshalancë është i panevojshëm, sepse shqipja ka shprehje si “moskokëçarje”, “qetësi e ftohtë” ose “shkujdesje”. Të tjerë, megjithatë, theksojnë se huazimet pasurojnë gjuhën, sjellin nuanca të reja dhe e bëjnë më të lidhur me botën moderne dhe me kulturën ndërkombëtare.

Në thelb, çdo gjuhë zhvillohet përmes huazimeve. Fjalë si “kompjuter”, “telefon”, “internet” dikur ishin po aq të huaja, por sot janë bërë pjesë e pandarë e shqipes.

Prandaj, pyetja nuk është nëse duhet apo jo të marrim fjalë të huaja, por si t’i përdorim ato në mënyrë që të pasurojnë gjuhën, pa e varfëruar atë.