Bota
27 Gusht, 2025
Në Chamonix, çdo fundgushti, malet heshtin vetëm për një çast. Pastaj shpërthen një muzikë epike “Conquest of Paradise” e Vangelis dhe mbi 2,500 garues nisen drejt një aventure që nuk është thjeshtë garë, por një pelegrinazh në kufijtë e njeriut. Ky është UTMB, epopeja moderne e ultramaratonave.
Ultra-Trail du Mont-Blanc (UTMB) është ngjarja më e madhe dhe më prestigjioze në botën e ultramaratonave malore. Çdo vit, Chamonix në Francë shndërrohet në kryeqendrën e sportit ekstrem, ku mijëra atletë nga e gjithë bota mblidhen për të përballuar sfidën legjendare përreth Mont-Blanc.
Kur mbahet UTMB 2025?
Edicioni i vitit 2025 do të nisë më 29 gusht 2025, në ora 17:45, nga qendra e Chamonix. Këtë vit, itinerari përfshinë një distancë prej 174 kilometrash dhe rreth 9 900 metrash ngjitje kumulative, një provë e vërtetë e kufijve fizikë dhe mendorë të çdo vrapuesi.
Çfarë përfshinë UTMB?
UTMB nuk është vetëm një garë, por një festival i tërë sportesh malore. Krahas garës kryesore, zhvillohen edhe ngjarje të tjera si PTL (300 km), TDS (148 km), CCC (101 km), OCC (57 km), MCC (40 km) dhe YCC (15 km). Çdo garë ka karakterin dhe nivelin e vet të vështirësisë, duke ofruar mundësi për atletët me përvoja të ndryshme.
Si mund ta ndiqni UTMB 2025?
Spektatori nuk mbetet pas. Përmes platformës zyrtare live.utmb.world, ngjarja transmetohet drejtpërdrejt me kamera, dronë dhe komente profesionale. Kjo e kthen UTMB-në në një përvojë interaktive, ku publiku nga çdo cep i botës mund të ndjekë garuesit në kohë reale.
Si kualifikohen garuesit?
Për të marrë pjesë në UTMB, atletët duhet të fitojnë të ashtuquajturat Running Stones, “Gurtë vrapues”, të cilët mblidhen duke marrë pjesë në gara të serisë UTMB World Series ose Majors. Çdo Running Stone u jep atyre një shans shtesë në lotarinë e përzgjedhjes, e cila vendos kush do të ketë privilegjin të nisë nga Chamonix.
Mbajtësit e rekordeve në UTMB
Rekordet e vendosura në këtë garë tregojnë nivelin e jashtëzakonshëm të konkurrencës. Tek meshkujt, rekordi mbahet nga Jim Walmsley, i cili në vitin 2023 përfundoi kursin me 19:37:43 orë. Tek femrat, rekordi është i Katie Schide, e cila në vitin 2024 arriti kohën 22:09:31, duke lënë pas çdo precedent.
Fituesit e UTMB 2024
Edicioni i vitit 2024 solli surpriza të mëdha. Tek meshkujt, fitues u shpall i panjohuri më parë Vincent Bouillard, i cili e përfundoi garën me kohën 19:54:23. Tek femrat, Katie Schide jo vetëm që fitoi, por vendosi edhe rekord të ri të kursit me 22:09:31.
Vendi i UTMB në botën e ultramaratonave
UTMB konsiderohet një nga “katër monumentet” e ultramaratonave botërore, së bashku me Western States 100, Hardrock 100 dhe Grand Raid de la Réunion. Është gara ku përballen atletët më të fortë dhe ku çdo vit shkruhen faqe të reja në historinë e sportit ekstrem.
Historia e UTMB-së
UTMB lindi në vitin 2003, me një distancë fillestare prej rreth 150 kilometrash dhe vetëm 67 “finishues”. Me kalimin e viteve, gara u zgjerua dhe u pasurua me ngjarje të tjera si CCC, TDS dhe OCC. Emra të mëdhenj si Lizzy Hawker (me 5 fitore), François D’Haene, Kilian Jornet, Xavier Thévenard dhe Courtney Dauwalter kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në këtë rrugëtim epik. Çdo edicion ka sjellë momente unike nga moti ekstrem që ndërpreu garën në vitin 2010, tek fitoret me çanta minimale të Kilian Jornet, e deri te surprizat e vitit 2024.
Kënga e famshme e luajtur në garat ultramaratonike Ultra-Trail du Mont-Blanc (UTMB) është “Conquest of Paradise” nga Vangelis. Kjo pistë ikonike përdoret në fillim, në përfundim dhe gjatë ceremonive të ndarjes së çmimeve të garave të ndryshme.
Titulli “Conquest of Paradise” (Pushtimi i Parajsës) përputhet në mënyrë metaforike me sfidën e UTMB-së: garuesit përballen me terren të ashpër malor, me lodhje dhe kufijtë e vetvetes, për të “pushtuar” një përvojë që për shumëkënd është si të arrish në një parajsë personale.
“Conquest of Paradise” është një këngë e njohur për tingullin e saj monumental, që ngre emocionet dhe krijon ndjesinë e një udhëtimi madhështor. Në nisje të UTMB, kur mijëra garues nisen drejt 170+ kilometrave të maleve, kjo muzikë jep ndjesinë e një aventure historike dhe i ngarkon me energji morale.
Gjatë UTMB-së, garuesit përballen me lodhje ekstreme, dhimbje muskulare dhe probleme gastrointestinale që prekin deri në 80% të tyre. Stresi fizik është i madh: muskujt dhe kyçet pësojnë dëmtime, ndërsa organet si mëlçia dhe veshkat tregojnë shenja të lodhjes, megjithëse këto ndryshime zakonisht rikuperohen shpejt. Hormonet e stresit dhe endorfinat rriten ndjeshëm, duke i ndihmuar atletët të përballojnë përpjekjen e jashtëzakonshme, ndërsa psikologjikisht ata kalojnë mes momenteve të euforisë dhe krizave emocionale.
Pas garës, lodhja dhe dhimbja muskulare zakonisht zgjasin disa ditë, por shumica e garuesve rikuperohen brenda një jave. Për shumëkënd, UTMB nuk është vetëm një sfidë sportive, por një provë që i çon trupin dhe mendjen deri në kufijtë e tyre, duke lënë pas një përvojë transformuese.
Me çka ushqehen garuesit? Gjatë garës, baza kryesore e energjisë janë karbohidratet e shpejta, pije izotonike, banane, bukë apo patate të ziera që shpërndahen në stacionet e ushqimit. Shumica e garuesve synojnë 60–90 gram karbohidrate në orë për të ruajtur nivelin e energjisë. Përveç tyre, elektrolitet (natrium, kalium, magnez) janë të domosdoshme për të shmangur dehidratimin dhe ngërçet muskulare, ndërsa në distanca kaq të gjata përdoren shpesh edhe ushqime më të forta si supë e ngrohtë, djath apo oriz, që ndihmojnë stomakun të rikuperohet nga sheqernat e shumta të xhelëve.
Proteinat konsumohen në sasi të vogla gjatë garës, për të mbrojtur muskujt nga lodhja ekstreme.
Pas garës, vrapuesit kanë nevojë për rikuperim të shpejtë: karbohidratet rimbushin rezervat e glikogjenit, ndërsa proteinat (20–30 gram brenda një ore) ndihmojnë në riparimin e muskujve. Elektrolitet zëvendësojnë lëngjet e humbura, ndërsa ushqimet e thjeshta e të pasura me kalori si makarona, pica, çokollata bëhen shpesh pjesë e festës pas finishit.
