Live Stories from Prishtina

LIVE

30 Gusht, 2025

A e ke ditë që fluturat nuk i shohin krahët e tyre, duke i lënë ato të pa informuara për bukurinë që pasqyrojnë dhe atë që shijojnë njerëzit kur i shohin. Shumë njerëz besojnë se vizita e një fluture sjellë fat të mirë dhe harmoni në martesë.

Në disa tradita, besohet se fluturat sjellin praninë shpirtërore të të afërmve të ndjerë, si një mënyrë që ata të marrin pjesë në gëzimin e dasmës.

Por si është jeta e një fluture?

Në një kopsht të zakonshëm, në mes të heshtjes së dimrit, një flutur “Red Admiral” zgjohet ngadalë nga gjumi i gjatë. Krahët të mbuluar me pluhur të ndritshëm hapen për të thithur dritën e parë të pranverës. Ky çast i vogël i rilindjes është vetëm një fije e rrëfimit të gjatë të fluturave, krijesa që i kanë dhuruar njerëzimit mahnitje dhe frymëzim, por që sot po përballen me rreziqe serioze për ekzistencën e tyre.

Nga larva në mrekulli ajri

Jeta e fluturës fillon larg hijeshisë së saj. Larvat, të ngjashme me krimba të uritur, kalojnë ditë të tëra duke përtypur gjethe për të fituar forcë.

Për disa, çdo gjeth është i rëndësishëm, p.sh. flutura “Brimstone”, i vendosë vezët vetëm në Buckthorn, ndërsa “Peacock” dhe “Red Admiral” varen nga hithrat.

Duke ngrënë ushqim me javë pa ndalur, ndodhë mrekullia: larva futet në pupël, ku trupi i saj shpërbëhet në një “supë” qelizore, për t’u rindërtuar në një flutur me krahë plot ngjyra.

Aleancat me bimët

Çdo specie ka lidhje të pazëvendësueshme me një bimë.

“White Admiral” rritet vetëm në Honeysuckle, ndërsa në majat alpine “Small Apollo” gjen strehë te Yellow Saxifrage. Kjo bashkëjetesë e ngushtë e bën mbijetesën e fluturave të varur nga ruajtja e habitatit të tyre.

Strategji të mbrojtjes

Bota e jashtme është plot rreziqe. Grerëzat mbledhin larvat për të ushqyer të vegjlit, merimangat i presin në rrjetat e tyre, ndërsa brumbujt gjuetarë i kafshojnë pa mëshirë. Por fluturat nuk dorëzohen: disa larva grupohen për të hutuar grabitqarët, disa mbajnë qime helmuese, ndërsa të tjera si larva e “Comma Butterfly” imitojnë jashtëqitjet e zogjve për t’u bërë të padukshme.

Edhe fluturat e rritura kanë strategji të veçanta. Fluturat e natës të njohura si “Death’s-head hawk moth”, futen në kosheret e bletëve pa u sulmuar, sepse imitojnë erën kimike të bletëve punëtore, duke i mashtruar që ta pranojnë si “njërën prej tyre”.

Ka një proboscis (tub ushqyes) të fortë, që i lejon të shpojë huallin e mjaltit dhe të pijë nektarin. si dhe kanë lëkurë të trashë, që i mbronë nga thumbimet në rast se zbulohet.

Bukuria e padukshme

Ngjyrat e krahëve nuk janë vetëm për syrin tonë. Shumë flutura komunikojnë përmes dritës ultravjollcë, të padukshme për njerëzit. Për shembull, mashkulli “Brimstone” ka shenja të ndritshme në UV, ndërsa femra qëndron e zbehtë për të shmangur vëmendjen e zogjve.

Rënia alarmante

Por përtej këtij spektakli natyror, fshihet një realitet i hidhur. Në dy dekadat e fundit, popullatat e fluturave të livadheve janë përgjysmuar. Shkaqet janë të njohura: bujqësia intensive, zëvendësimi i livadheve me lule, tharja e kënetave dhe përdorimi i pesticideve. Specie të rralla, si “False Ringlet”, janë në prag të zhdukjes.

Çfarë mund të bëjmë?

Shpresa ekziston. Ekspertët theksojnë se kopshtet dhe livadhet e menaxhuara me kujdes mund të bëhen strehë shpëtimi. Ja disa hapa praktik:

Vendosni një cep hithrash apo barërash të egra pa e kositur.

Mbillni bimë vendase me nektar (si budleia, livando, nenexhik).

Shmangni pesticidet, duke i lënë grabitqarët të balancojnë ekosistemin.

Mos pastroni skajet e kopshtit gjatë dimrit, që fluturat të gjejnë strehë.

Një e ardhme me ngjyra?

Në fund, historia e fluturave është një thirrje për të kujtuar se natyra është e brishtë. Nëse ne i japim hapësirë, ato do të vazhdojnë të fluturojnë mbi livadhet dhe kopshtet tona, duke na dhuruar atë spektakël elegant e plot ngjyra që gjenerata të tëra e kanë përjetuar me habi. Të kujdesemi sot, që nesër të kemi ende flutura mbi lule.

Ky artikulll u bazua në dokumentarin:

Butterflies – A Feast of Life (Children of the Sun 1/2) | Go Wild