N’Kosovë
3 Shtator, 2025
“Puna e mirë shpërblehet”, çka konsideron ti shpërblim?Pagë? Fuqi në vendimmarrje? Pozitë? Por kur zbresim në terren, pamja është më komplekse. Një numër i madh punonjësish që kanë kaluar vite të tëra në të njëjtën kompani shpesh nuk marrin vlerësimin proporcional me përkushtimin dhe kontributin e tyre.
Në vend të një ngritjeje të natyrshme në pozita, apo të një motivimi të vazhdueshëm financiar e profesional, shumë herë ata mbeten në “vendnumëro”, duke u trajtuar thjeshtë si “staf me përvojë”, pa fuqi në vendimmarrje apo autoritet shtesë.
Kjo pasqyron një kulturë menaxhimi ku respekti dhe mirënjohja shpesh mbeten në fjalë, ndërsa praktikat konkrete të avancimit nuk funksionojnë. Në shumë raste, menaxherët dhe drejtorët në Kosovë fokusohen më shumë në besnikërinë ndaj individëve të afërt apo në lidhje politike e miqësore, sesa në meritokraci. Kjo sjellë jo vetëm pakënaqësi tek punonjësit, por edhe një fenomen të heshtur “djegie profesionale” (burnout), ku përvoja shumëvjeçare nuk përkthehet në vlerësim real.
Në kontrast, shumë kompani ndërkombëtare e shohin përvojën e gjatë si aset kryesor dhe shpesh i japin punonjësve besnikë mundësi për të marrë pozita drejtuese.
Satya Nadella (Microsoft) U bashkua me Microsoft në vitin 1992 si inxhinier dhe punoi për më shumë se 20 vjet në kompani përpara se të bëhej CEO në vitin 2014. Gjatë kësaj periudhe, ai udhëhoqi disa divizione kryesore, përfshirë cloud computing.
Mary Barra (General Motors) Filloi punën në GM që kur ishte 18 vjeç, si praktikante, dhe vazhdoi karrierën aty për dekada. Ajo kaloi nëpër disa role drejtuese derisa në vitin 2014 u bë CEO, gruaja e parë që udhëhoqi një kompani të madhe globale të automobilave.
Tim Cook (Apple) U punësua nga Apple në vitin 1998 si zëvendës-president për operacionet dhe pas 13 viteve pune, u bë CEO në vitin 2011, menjëherë pas dorëheqjes së Steve Jobs.
Indra Nooyi (PepsiCo) Filloi në PepsiCo në vitin 1994 si zëvendës-presidente e strategjisë dhe në vitin 2006 u bë CEO, pas 12 vjetësh në kompani. Nën drejtimin e saj, PepsiCo kaloi një transformim të madh global.
Këta shembuj dëshmojnë se besnikëria dhe përkushtimi afatgjatë nuk shihen vetëm si stabilitet, por si kapital strategjik që kompanitë e mençura e përdorin për të siguruar drejtim të qëndrueshëm.
Kosova ka një potencial të madh njerëzor, me punonjës që shpesh sakrifikojnë shumë për vendin e tyre të punës. Por, përderisa kultura e menaxhimit nuk kalon nga “mbajtja në vend” drejt vlerësimit përmes avancimit, kompanitë rrezikojnë të humbin njerëzit më të aftë. Përvoja e gjatë nuk duhet të shihet si “zakon i vjetër”, por si garanci për të ardhmen.
A ka Kosova shumë Chloe Malle? Një grua që hynë në një redaksi në moshën 25-vjeçare, qëndron aty për më shumë se një dekadë dhe një ditë merr drejtimin e një prej revistave më me ndikim në botë. Apo këtu pas 14 vitesh pune shefi i thotë: “Hajde, të kemi një kafe, por paga prapë mbetet e njëjtë.”
Ironia është e hidhur: ndërsa diku përvoja të ngritë në krye të bordit, tek ne shpesh të jep vetëm një karrige më të vjetër dhe një kompjuter që mezi ndizet. Në Britani do të thoshin se meritokracia është si çaji i mëngjesit: e domosdoshme, e përditshme dhe e patjetërsueshme. Në Kosovë, duket më shumë si një tortë e rezervuar për ditëlindjet e fëmijëve të shefit.
Pra, nuk është çudi pse shumë profesionistë tanë të përkushtuar e shohin veten duke kërkuar “daljen emergjente” nga puna, jo “hyrjen e madhe” në drejtim. Dhe kjo është humbje e dyfishtë: për individin që mbetet i nënvlerësuar dhe për kompaninë që humbet një lider të mundshëm.
