Live Stories from Prishtina

LIVE

7 Shtator, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës së djeshme me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

2 milionë e 69 mijë e 98, kaq është numri i qytetarëve të Kosovës që mund të votojnë në zgjedhjet lokale më 12 tetor, miratimi i kësaj çështjeje u bë nga KQZ, në një mbledhje me shumë tensione.

Përfaqësuesja e Listës Serbe, Gordana Lavan, refuzonte ta votonte pamjen e fletëvotimeve pa e parë, ku duhej të sigurohej që në to shkruante edhe shqip.

-zgjedhjet dhe TikTok-u-

E kandidatëve para se t’i dhezin motorat për sigurim të votova, ju ka mbetë që së pari të grumbullojnë shikimet në TikTok, sidomos këta të Prishtinës.

Me kamerë të turbullt e të pafshirë, në njërën prej videove pyet: A i keni kërku burekat te Destani najherë?, e cila ma shumë ngjan me një bloger të ushqimit që sugjeron, se me një kandidat për kryetar që po tenton të fitojë.

E deri te mesazhet me kungja, ku në qendër është një kubëz i kalldrëmit: “kjo e shekullit të 12-të a?” e dikush ia kthen: “mos e përmend shekullin kryetar, se vijnë tani ata na e ndalin punën!”

E me ndjek trende për trend, këmbësh nuk e lëshon Uran Ismaili, megjithatë edhe planet po tregohen.

Kur “Sheshi Xhorxh Bush”, është “safe place” e të gjithë kandidatëve, sigurisht që në fjali vjen edhe kandidati nga radhët e VV-së, Hajrullah Çeku: “Sheshi Xhorxh Bush nuk është problemi kryesor i Prishtinës, është bishti i problemit”, demek qaty ia nis ose kryhet, kjo varet çysh e shihni ju bishtin (fillim apo fund).

Hakun ua jep edhe zërave që thonë se nuk është i Prishtinës.
“Prishtina është shtëpia ime”, thotë në njërën nga videot promovuese ai.

Për problemet e mëdha të Prishtinës, tjera përgatitje mori Bekë Berisha, nga radhët e AAK-së.
Në disa video madje, në formë sarkastike ua luan lojën kandidatëve që në kampanjat e tyre përdorin metoda për të treguar “butësi, urtësi”.

Hovit i bashkohet edhe kandidatja Besa Shahini, e partisë Socialdemokrate, që nuk e la vetëm me takim virtual.

Natyrisht që kjo formë ka synim grupmoshat që janë të reja, që po votojnë për herë të parë, apo nuk janë të orientuara drejt ndonjë partie. Por sa është e suksesshme kjo formë?

A është TikTok, platforma ku ka më shumë dezinformim, apo vetëm një anshmëri të situatave.

-kriza institucionale-

Kosova kurrë më ngushtë nuk i ka pasur punët ekonomikisht e financiarisht, sepse askush nuk po do që të shohë përtej hundës së vet. Të flasësh për prosperitet në një shtet që qe një vit gjendet në fushatë të përhershme zgjedhore, e në të cilin ndërkohë të janë rritur çmimet deri në absurd, përderisa sektori privat është duke u tharë, është ta jetosh një jetë paralele që nuk përkon me realitetin.

Kushtetuesja e tha të vetën të premten (5 shtator) me edhe një masë të përkohshme, me të cilën e shtyu edhe afatin e dytë 30-ditësh për konstituimin e Kuvendit, deri më 30 shtator 2025.

Fakti vazhdon të qëndrojë: Kosova nuk ka Kuvend të konstituuar. Nuk ka trup që do të duhej ta votonte buxhetin, nëse asgjë tjetër.

-ekonomia në hije-

Kësaj krize mund t’i shihet sherri edhe me një bllokadë ekonomike, hartimi i buxhetit shtetëror për vitin 2026, nuk është askund. Pa Kuvend funksional e me qeveri në detyrë, përgatitja e tij duket e pamundur.

Sivjet nuk ka pasur as rishikim të planifikimit financiar të vitit aktual.

Tradicionalisht, projektligji i buxhetit përgatitet nga Ministria e Financave që e harton buxhetin, niset te qeveria për miratim dhe pastaj e dërgon në Kuvend për votim, ky bëhet i plotëfuqishëm pasi kalon dy herë në lexim dhe i kalon për dekretim presidentes në jo më së largu se 31 dhjetor.

-pak kulturë për frymëmarrje-

Rahoveci prej 5 deri më 7 shtator (sot) është shndërru në kryeqendrën e verës me edicionin e radhës të “Hardh Fest”, festival që prej vitit 2001 feston trashëgiminë e rrushit e të vreshtarisë.

Degustimi i verërave e rakisë, punëtoritë për adhuruesit e verës dhe aktivitetet tradicionale bashkohen me skenën ku nesër performon edhe përfaqësuesi i Estonisë në “Eurovision” Tommy Cash. Me këtë miks kulturor e muzikor, Rahoveci po afirmohet si një atraksion i fortë turistik në hartën e korrjeve të Kosovës.

***

Me çka po e mshelim? Nashta me këtë: kush fiton TikTok-un, fiton edhe Prishtinën.