Fakte abstrakte
5 Shtator, 2025
“Dikush, diku, e di mënyrën për të qenë më i lumtur, më i bukur, më i pasur, më i mirë në shtrat dhe ty ta kanë fshehur”.
Kjo qëndron mbrapa paranojës kolektive, kur lexon titullin që brenda përfshinë fjalën “sekret”.
Titulli të shti në kurth nëse nuk klikon, mbetesh jashtë klubit të të diturve. Klikimi është shenja e pranimit: “Edhe unë dua të jem pjesë e elitës së fshehtë që e di si bëhet bureku i përsosur.”
Dhe është pikërisht këtu ku satira “lindi” vetvetiu. Sepse në të njëjtin portal mund të gjesh njëri pas tjetrit:
“Sekreti i shekullit për t’u dukur 10 vjet më i ri”
“Sekreti për ta bërë partnerin të lumtur në 3 hapa”
“Sekreti i gjyshes për kulaçin më të butë”
Dhe pastaj vijnë bombat, që ngjanë më shumë me britma sesa me lajme:
“5 sekretet për seks më të mirë (mjekët nuk ta tregojnë të katërtin!)”
“Sekreti që nuk ta ka thënë kurrë partneri yt”
“Sekreti për seks në makinë që do ta çmendë atë”.
Si ato reklamat e gatshme që vetëm sa nuk thonë “jemi duke gënjy”, ku mendon se do të zbuloj diçka tronditëse dhe përfundon duke lexuar këshilla të tipit “bisedo më shumë me partnerin” ose “mos harro dushin para aktit”.
Në botën e sotme nuk ka gjë më të dukshme sesa “sekretet” që shiten çdo ditë. Nga faqet e mediave online te reklamat në rrjete sociale, fjala “sekret” është kthyer në çelës magjik që hap çdo derë: sekret për bukurinë, sekret për pasurinë, sekret për dashurinë, sekret për jetëgjatësinë. Në fakt, është ironike: sapo e sheh fjalën “sekret” të shtypur në titull, ai pushon së qeni i tillë.
Në të vërtetë, këto sekrete nuk janë asgjë më shumë se formula të paketuara për t’i dhënë konsumatorit ndjesinë e një zbulimi. Sekreti i flokëve të gjatë është një shishe shamponi; sekreti i një trupi të bukur është një kurs palestre me abonim mujor; sekreti i lumturisë martesore shpesh përkthehet në një seri këshillash banale që çdo njeri i di. Pra, fjala “sekret” nuk mbartë mister, por krijon iluzionin e privilegjit: ti do të dish diçka që shumica nuk e dinë.
Ky mekanizëm funksionon mbi frikën dhe mungesën: ndihesh sikur të kanë fshehur diçka. Sikur diku ekziston një elitë që i zotëron çelësat e suksesit, bukurisë apo dashurisë, dhe ti mbetesh jashtë nëse nuk klikon. Kjo është arsyeja pse titujt “sekreti për të humbur peshë pa dietë” apo “sekreti për të qenë gjithmonë tërheqës” bëhen aq magnetikë: të nxisin paranojën se ekziston një rrugë e shpejtë, e cila të është mbajtur fshehur.
Në thelb, asgjë nuk është sekret. Informacioni është i tepërt, gjithçka është e ekspozuar. Por tregu e ka kuptuar se njerëzit nuk duan vetëm të lexojnë, duan të ndihen të veçantë, të ftuar në një klub të mbyllur. Fjala “sekret” shndërrohet kështu në një biletë hyrëse, në një lojë psikologjike që e bën lexuesin të ndiejë se po merr pjesë në një zbulim të madh, ndërkohë që realiteti është shumë më i thjeshtë: nuk po zbulon mister, por po hynë në një tjetër mekanizëm të shitjes.
Në vend që të pyesim pse bie gjithmonë në të njëjtin kurth, klikojmë me bindjen se këtë herë, më në fund, do të zbulojmë të vërtetën. Por ç’është e vërteta? Se “sekreti për seks më të mirë” është të mos lexosh artikuj me tituj të tillë.
