Dje n’Kosovë / foto: Nita Meqa
9 Shtator, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës së djeshme me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Çysh thotë edhe një thënie te seriali “How I Met Your Mother”: Asgjë që bën në jetë nuk është aq legjendare derisa nuk ke njerëzit e afërt që t’i ndash momentet e tua fituese me ta. Në fund të ditës kush nuk ka dëshirë që ta ketë dikë që ta hapë telefonin për gëzim.
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Nuk kam se si ta nis këtë artikull pa përmendur fitoren spektakulare të Kosovës ndaj Suedisë.
Kosova ka reaguar në mënyrën më të mirë pas humbjes së thellë nga Zvicra në Basel.
Të hënën mbrëma në “Fadil Vokrri”, Kosova fitoi 2:0 ndaj Suedisë, përfaqësueses së mbushur me yje të Premier League-s.
Me fitoren e arritur në stadiumin e stërmbushur në Prishtinë, Kosova është kthyer në garë për kualifikim për Kupën e Botës 2026.
Bravo bre djema, sikur t’kishin pas djem si Vedat Muriqi e Elvis Rexhbeqaj, Florent Muslija, Albion Rrahmani e si gjithë dardanët tjerë në atë lojë dhe në fusha tjera në Kosovë.
***
Me një fjalim në xhep, Kurti e gjeti fajtorin ideal për bllokadën politike:
Prej “Kafeve të rakisë”, nuk kishte mundësi ta komentonte gjykatën se ishte duke e shijuar lojën mes Kosovës e Suedisë, por paradite kryeministri në detyrë Albin Kurti, këto ditë gjithmonë i ka pasur intensive, ka gjetur kohë ta sulmojë gjykatën për masën e përkohshme deri më 30 shtator, periudhë kur nuk lejohet asnjë veprim i deputetëve e as nuk lejohet me procedimin për formim të Qeverisë së re, që vendosi ky organ.
Kurti ka thënë se faj për vonesën në formimin e institucioneve ka edhe Kushtetuesja me dinamikën e ngadalshme të punës, sipas tij.
“Sepse 5 nga 7 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur në vitin e largët 2018, kur në pushtet ishte koalicioni i PAN-it me Listën Serbe. E pas vitit 2018, ne i fitojmë zgjedhjet për herë të parë në vitin 2019. Pastaj fitojmë zgjedhjet në herën e dytë në vitin 2021, e i fitojmë edhe sivjet për herë të tretë, por ja që ata ngelën të njëjtit aty në gjykatë, thua se është viti 2018”, ka thënë Kurti të dielën, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ku ky i fundit u nominua për kryeministër.
Demek populli qaq ka fituar prej votimit që e ka bërë për ndryshim, sa që vetëm te gjykata është faji, thuaj ti ke si një aplikacion që bëhet update.
Gjykata kishte reaguar me një rresht ndaj fjalimit të Kurtit:
“Pavarësia e Gjykatës Kushtetuese nuk është privilegj i gjyqtarëve të saj, por është themel i shtetit të së drejtës”.
***
Në historinë e ngjarjeve kulturore të Kosovës, Ferizaj ka një adresë që prej dekadash lidhet me teatrin. Ajo që nisi si një nismë lokale tashmë është shndërruar në një prej festivaleve më jetëgjata në rajon. Asnjë ngjarje tjetër teatrore në vend nuk ka arritur të mbajë gjallë traditën për kaq gjatë, duke i dhënë çdo vit qytetit atmosferën e zakonshme të oborrit e sallës së Teatrit “Adriana”, të mbushura plot me publik.
Kronikat flasin se edhe para se të zyrtarizohej në vitet ’70, ky festival kishte rrënjë më të hershme, duke lëvizur mes qyteteve të ndryshme. Në vitet e ’90-ta, kur jeta kulturore zhvillohej mes rrethanash të jashtëzakonshme, skenat shpesh improvizoheshin në hapësira private ose objekte fetare. Megjithatë, festivalit iu rikthye fryma dhe këtë vit ai përmbylli edicionin e 55-të.
Në mbrëmjen finale, shfaqja “Djali” e autorit Florian Zeller, me regji të Erson Zymberit, u shpall fituese e çmimit kryesor. Përtej suksesit artistik, shfaqja la pas vetes një jehonë të fortë: një thirrje për t’u përballur me sfidat e shëndetit mendor te të rinjtë një temë që tejkalon kufijtë lokalë dhe prek shoqërinë në tërësi.
***
Në pak ditë, Kosova i përjetoi të gjitha: emocionin e një fitoreje historike në futboll, debatet e përhershme politike dhe magjinë e skenës teatrore që i reziston kohës. Në një vend ku shpesh ritmi i ndryshimit dhe ai i pritjes ecin paralelisht, mbetet e qartë se arti, sporti dhe politika nuk janë veç lajme të ditës janë pasqyra e shoqërisë sonë, me gjithë gjallërinë, kundërshtitë dhe shpresat që mbart.