Live Stories from Prishtina

LIVE

9 Shtator, 2025

“Say cheese” – kështu nis një film që nuk flet vetëm për kamerën si objekt, por për mënyrën se si ajo përdoret dhe ndikimin që imazhet kanë në bindjet tona për botën.

Imazhet formësojnë jetën tonë të përditshme, por rrallë pyesim se si janë bërë ose pse.

Një mini-dokumentar nga NYT sjell shembuj të fuqishëm se si një këndvështrim i vetëm mund të ndryshojë narrativën.

Maximilien Van Aertryck dhe Axel Danielson për 15 vjet kanë analizuar historinë e kamerës dhe e kanë shndërruar materialin në një mini dokumentar që tregon:

Një pamje klasike e piramidave të Gizës të kujton misterin dhe madhështinë e lashtësisë, por një zhvendosje e kamerës tregon menjëherë afërsinë me qytetin e Kairos.

Po ashtu, një foto e vitit 1994 e ushtarëve amerikanë në Haiti, me armë gati për betejë, duket si moment lufte.

Por një kënd tjetër zbulon se bëhet fjalë për një skenë të inskenuar përpara dhjetëra fotografëve.

Kamera lindi në vitin 1839, duke ngrirë momentet në pllakë argjendi dhe u konsiderua si dëshmi e fakteve. Ajo u shndërrua në një kapitull të historisë së botës sonë. Në vitin 1895, vëllezërit Lumière shfaqën filmat e parë publikë, duke ofruar imazhe të jetës reale.

Por magjistari Georges Méliès pa mundësi të tjera: truket vizuale dhe madje prodhimin e filmimeve “të lajmeve”. Ai inskenoi në studio kurorëzimin e Mbretit Eduard VII, duke mashtruar deri edhe vetë monarkun, i cili u shpreh i habitur sesi kamera kishte “regjistruar pjesë të ceremonisë që nuk kishin ndodhur fare”.

Televizioni dhe frika nga fuqia e tij

Me ardhjen e televizionit në vitet ’50, imazhet hynë në çdo shtëpi. Media u bë biznes i madh, me reklamat në qendër, ndërsa programet shërbenin për të mbajtur publikun të lidhur. Për të arritur këtë, kompanitë filluan të masin reagimet e shikuesve dhe të krijojnë përmbajtje që i mbante të varur.

Publiku, siç tregohet në film, e përdorte televizionin si arratisje nga realitetet e vështira, ndërsa vetë drejtuesit e mediave e pranonin fuqinë e frikshme të këtij mjeti, të krahasueshme me energjinë atomike: i aftë të sjellë të mira të pallogaritshme, por edhe dëm të pariparueshëm.

Lajmet 24 orëshe dhe pasojat

Në fund të viteve ’70, Ted Turner themeloi CNN, rrjetin më të madh të lajmeve në botë, duke futur formatin e raportimit 24/7. Por, siç paralajmërohet në dokumentar, mbulimi i pandërprerë dhe dramatizimi i ngjarjeve, veçanërisht të masakrave, krijon efekt domino: sa më shumë sensacion të transmetohet, aq më shumë rrezikohet që ngjarje të ngjashme të ndodhin përsëri.

Epoka e ekraneve dhe algoritmeve

Në fillim të viteve 2000, teknologjia solli mundësinë që secili të konsumojë imazhe kudo e në çdo kohë. Sot, mesatarisht njerëzit kalojnë 7 orë në ditë para ekraneve. Çdo minutë, mbi 500 orë video ngarkohen vetëm në YouTube.

Në këtë realitet, kamera nuk është më thjesht një pasqyrë. Ajo është mjeti mbi të cilin ndërtohen identitete, karriera dhe botë të tëra të personalizuara nga algoritmet. Filmi shpjegon se platformat nuk mjaftohen më të studiojnë çfarë shohim, por edhe si funksionon truri ynë jo për të na shërbyer, por për të fituar nga emocionet tona më të forta.

Në fund, dokumentari lë një pyetje thelbësore: kamera vetë është një makinë neutrale që regjistron atë që ka përpara. Por a po e përdorim si pasqyrë të realitetit, apo si mjet për të ndërtuar narrativë dhe për të ushqyer një model biznesi që formëson frikërat, dëshirat dhe bindjet tona?