Dje n’Kosovë / foto: Nita Meqa
11 Shtator, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës së djeshme me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Nëse jetën e shohim si një ekuacion, lumturia lind kur përputhet “ajo që kemi me atë që presim”. Një thënie e popullit thotë: “Shtri këmbët sa të të mbulojë jargani” përndryshe do të kesh ftohtë. Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të synosh një mbulesë më të madhe për të ardhmen. Njeriu, në raport me atë që ka, gjithmonë e rrit standardin e tij.
Çfarë po ndodh në Kosovë?
Në botë, gjërat lëvizin shumë më shpejt se më parë: teknologjia, informacioni dhe marrëdhëniet njerëzore ndryshojnë nga dita në ditë. Inteligjenca artificiale, rrjetet sociale, realiteti virtual dhe kriptovalutat po ndryshojnë mënyrën si punojmë, mësojmë dhe lidhemi me njëri-tjetrin. Por kjo shpejtësi shpesh na bën të ndihemi të humbur dhe të mbingarkuar, megjithatë nuk ndalemi duke u përpjekur të përshtatemi.
Amo veç udhëheqësit nuk po përshtaten gjithmonë me të njëjtin ritëm. Në Kosovë, politika duket se ka hyrë sërish në fazën e “stiff upper lip chaos” – një rrëmujë ku të gjithë bëjnë sikur gjithçka është nën kontroll.
Lista Serbe, me 9 ulëse të rezervuara në Kuvend, pretendon se procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve nuk është kryer si duhet. Ata shkuan në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkuan që procedura të rifillojë nga fillimi.
Nga ana tjetër, Vetëvendosje thotë: “Jo, nuk ka çaj që mbushet dy herë me të njëjtën qese.” Ata paralajmërojnë se nuk do të votojnë kandidatët e Listës Serbe për nënkryetar, edhe po të detyrohen.
LVV kërkon që Kushtetuesja ta hedhë poshtë ankesën dhe e konsideron sjelljen e LS si kërcënim për stabilitetin dhe demokracinë.
Gjykata Kushtetuese vendosi masën e përkohshme: “Nuk do të ketë as qeveri, as lojë të re deri më 30 shtator.” Një situatë që mund të përkufizohet si “tea break” për institucionet.
Presidentja Vjosa Osmani rikujton se nuk mund të mbahet peng i gjithë shteti për shkak të një ulëseje të pambushur: “Institucionet duhet të ecin përpara, pa dramë të tepërt.”
Dialogu Kosovë Serbi në Bruksel
Në Bruksel, tavolina e dialogut Kosovë–Serbi u shtrua sërish, me Peter Sorensen në rolin e nikoqirit, dhe kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në anët e tyre. Për momentin, duket më shumë si një takim për “çaj me biskota” sesa për marrëveshje historike.
Situata e vështirë vjen nga krizat e brendshme në Serbi dhe Kuvendi i Kosovës, që ende nuk është “full option” pas zgjedhjeve. Me këto rrethana, pritja për progres është si të shpresosh që treni britanik do të arrijë gjithmonë në kohë.
Megjithatë, BE-ja vazhdon me thirrjen e saj: “Plotësoni obligimet, përndryshe ëndrra evropiane do të mbetet si fish & chips pa kripë.”
Marrëdhënia Osmani – gazetarët
Në Kosovë, marrëdhënia mes Presidentes Vjosa Osmani dhe gazetarëve duket si një debat i zjarrtë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e quajti gjuhën e Presidentes të papërgjegjshme dhe paralajmëroi se krahasimi i disa gazetarëve me “Radoiçiqat” dhe “grusht-shtetin” rrezikon sigurinë fizike të tyre.
Presidentja këmbëngul: nuk po përmend emra, por dihet kush janë pasi “e kanë mizën pas veshit”. AGK-ja ka kërkuar nga organet e sigurisë të reagojnë dhe i ka bërë thirrje Osmanit të heqë dorë nga sulmet ndaj mediave, duke garantuar lirinë e shprehjes dhe të punës së gazetarëve.