Dje n’Kosovë
19 Shtator, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Në Kosovë trafiku politik funksionon ndryshe, nuk ka rëndësi se çfarë veture ke, motori apo shoferi, sepse gjithçka përfundon në bisht të dikujt që nuk di të manovroj në kolona.
Kuvendi i ngarkuar me Kushtetutën si trekëndësh paralajmërimi, bën aksident në çdo kthesë, e pas tij përplasen buxheti, projektet, bordet e deri edhe RTK-ja, të gjitha duke lëshuar tym. Shteti ka fillu të ngjajë me autostradën ku askush nuk lëvizë, vetëm zinxhir aksidentesh. E çuditshme si ende mbahen patentë shoferët e këtij trafiku.
Dje ka vazhdu me qenë tema kryesore dëshmia mbrojtëse e ish-presidentit Hashim Thaçi, ku ka dëshmuar Paul Williams, i cili ishte këshilltar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë.
Sipas Williams, Thaçi nuk kishte autoritet absolut për të vendosur vetë në Rambuje, pasi duhej të merrte miratimin e komandantëve të zonave.
Këto janë disa prej çështjeve kryesore që mbizotëruan dje në gjyq e që u thanë prej Williams.
Thaçi u vu në krye të delegacionit me dy vota (vota e vetes dhe e Rexhep Qosjes), duke fituar ndaj Rugovës.
Ai ishte nën presion të madh, si nga komandantët lokalë, ashtu edhe nga figura ideologjike si Adem Demaçi.
Thaçi u angazhua edhe në terren për të marrë nënshkrimet e komandantëve, duke humbur një takim me senatorin Bob Dole.
Williams e përshkruan UÇK-në si një strukturë rurale, jo shumë të bazuar në rregulla formale, por më tepër në autoritet tradicional e kulturor.
Ai thekson se pa komandantët e zonave, Thaçi nuk kishte asnjë autoritet real.
Raporti me FARK-un dhe LDK-në
Williams dëshmon se Bujar Bukoshi, si kryeministër në ekzil, përpiqej të krijonte FARK-un (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës), të përbërë nga oficerë shqiptarë dhe ish-oficerë jugosllavë.
Sipas Williams, FARK-u do të kishte qenë më profesional dhe potencialisht më efektiv se UÇK-ja, duke e mënjanuar atë.
Bukoshi hezitonte t’i jepte fonde UÇK-së sepse ato ishin mbledhur nga diaspora për arsimin dhe shëndetësinë.
Procesi i Rambujesë
Brenda kështjellës ku zhvilloheshin negociatat, nuk mund të vendosej statusi final i Kosovës.
Negociatat kërkonin figura me role të ndryshme: Rugova si pacifist, Thaçi si përfaqësues i UÇK-së dhe Qosja si intelektual.
Thaçi u konsiderua i nevojshëm si një figurë e UÇK-së që duhej të shfaqej si partner serioz në bisedime.
***
Organizata joqeveritare “Futja Ngjyrë”, dy ditë më parë përfundoi muralin me portretin e artistit të shquar, Joe Satrianit njëri prej top-kitaristëve botëror, i shquar për teknikat e tij unike. Arsyeja për ta portretizuar lidhet me epitetin e Mitrovicës si qytet i rockut.
Si e ka pa muralin ka reaguar edhe vetë artisti me një shkrim në Facebook:
“WAW! Ndihem shumë i nderuar dhe i përulur nga kjo vepër e mrekullueshme arti! Shumë dashuri dhe falënderime të përzemërta për artistët e ‘Futja Ngjyrë’, Dea Gaxha, Bardhyl Dobroshi dhe Albion Mehmedi, për krijimin e këtij murali mahnitës në Mitrovicën e Veriut, Kosovë. Do të doja të isha atje për ta parë nga afër dhe për t’ju përqafuar të gjithëve. Faleminderit!”, ka shkuar ai të enjten në profilin e tij në “Facebook”.
***
Ndoshta mënyra më e mirë për të mbyllur ditën është: mos beso gjithçka që mendon, nganjëherë armiku më i madh është vet mendja jote.
