Nëse sot do të pyesnim njerëzit ku do ta investonin kohën dhe energjinë e tyre për një të ardhme më të mirë, shumica ndoshta do të përgjigjeshin në pasuri dhe prestigj.
Një prej studimeve më të gjatë që u bë ndonjëherë ku u anketuan të rinjtë e brezit “millennial” tregoi se mbi 80% e tyre e konsiderojnë pasurimin si qëllimin kryesor të jetës, ndërsa gjysma e të anketuarve shohin famën si një tjetër synim madhor.
Shoqëria moderne na mëson shpesh të shtyhemi më shumë në punë, të arrijmë më lart dhe të fokusohemi te suksesi material. Por, a është vërtet kjo rruga drejt një jete të mirë?
Për të gjetur përgjigjen, na tregojnë gjetjet mbi Studimin e Harvardit mbi zhvillimin e të rriturve ndoshta studimi më i gjatë i jetës së të rriturve që është bërë ndonjëherë.
Ky projekt, i nisur që në vitin 1938, ka ndjekur për 75 vjet rresht jetën e 724 burrave, nga adoleshenca deri në pleqëri, duke mbledhur të dhëna për punën, familjen, shëndetin dhe marrëdhëniet e tyre. Sot, pasardhësit e tyre, mbi 2,000 fëmijë, janë pjesë e studimit.
Ky material unik na jep një pasqyrë të plotë se çfarë ndikon më shumë në lumturinë dhe shëndetin tonë.
Çfarë zbuloi studimi?
Mes dhjetëra mijëra faqesh të mbledhura, mesazhi kryesor është i qartë dhe i thjeshtë: marrëdhëniet e mira na mbajnë më të shëndetshëm dhe më të lumtur. Pikë.
Nga ky studim dolën tre mësime madhore:
1. Lidhjet shoqërore janë jetike
Njerëzit që kanë lidhje të forta me familjen, miqtë dhe komunitetin janë më të lumtur, më të shëndetshëm fizikisht dhe jetojnë më gjatë. Përkundrazi, izolimi dhe vetmia janë helm për trupin dhe mendjen. Të qenit vetëm edhe në një turmë apo madje brenda një martese përshpejton përkeqësimin e shëndetit, ul kënaqësinë me jetën dhe shkurton jetëgjatësinë.
2. Cilësia e marrëdhënieve ka më shumë rëndësi se “sasia”
Nuk është numri i miqve që kemi apo fakti nëse jemi të martuar, por cilësia e marrëdhënieve që përcakton mirëqenien tonë. Martesat e mbushura me konflikt pa dashuri janë po aq të dëmshme, madje më shumë se divorci. Nga ana tjetër, marrëdhëniet e ngrohta e mbrojnë shëndetin dhe lumturinë tonë edhe në pleqëri. Në fakt, në moshën 50 vjeçare, treguesi më i mirë i shëndetit në të 80-at nuk ishte kolesteroli apo gjendja fizike, por kënaqësia me marrëdhëniet.
3. Marrëdhëniet e mira mbrojnë edhe trurin
Jo vetëm trupi, por edhe mendja përfiton nga lidhjet e sigurta emocionale. Në të 80-at, ata që ndiheshin se mund të mbështeteshin te partneri i tyre kishin kujtesë më të mprehtë krahasuar me ata që ndiheshin të pambështetur. Edhe çiftet që grindeshin shpesh nuk kishin pasoja të mëdha, për sa kohë që ruanin ndjenjën e mbështetjes reciproke.
Pse e harrojmë këtë të vërtetë?
Në thelb, ky mësim nuk është i ri. Urti të lashtë dhe filozofë prej shekujsh kanë thënë se lumturia ndërtohet mbi marrëdhënie të mira. Por ne shpesh e injorojmë këtë sepse kërkojmë “zgjidhje të shpejta” famë, pasuri, sukses të menjëhershëm. Ndërkohë, marrëdhëniet kërkojnë punë të përditshme, durim dhe përkushtim. Ato janë të rrëmujshme, të ndërlikuara dhe zgjasin gjithë jetën. Por pikërisht këtu qëndron sekreti i një jete të mirë.
Në fakt, njerëzit më të lumtur në pension ishin ata që dinin të zëvendësonin shokët e punës me miq të rinj, që ruajtën lidhjet dhe nuk u mbyllën në vetmi.
Çfarë mund të bëjmë ne?
Pavarësisht nëse jemi 25, 40 apo 60 vjeç, mund të fillojmë sot duke u afruar me të tjerët:
-të zëvendësojmë kohën para ekranit me kohë të kaluar me njerëzit tanë,
-të freskojmë një marrëdhënie të vjetër me aktivitete të reja,
-të bëjmë një telefonatë ose të pajtohemi me atë antarin e familjes me të cilin kemi humbur lidhjet.
Një reflektim i fundit
Shkrimtari Mark Twain, mbi një shekull më parë, e tha thjeshtë:
Në jetë nuk ka kohë për grindje, për inate dhe zemërime. Ka vetëm kohë për të dashur, madje edhe kjo është tepër e shkurtër.