Fakte abstrakte
19 Tetor, 2025
Në vitet ’60, ekonomisti J.K. Galbraith shkroi: Njerëzit më mirë gjejnë arsye për të mos ndryshuar mendje, sesa ta pranojnë që mund të jenë gabim.
Shkrimtari Leo Tolstoy shkoi edhe më thellë: Edhe gjërat më të ndërlikuara mund t’i kuptojë dikush që nuk ka formuar ende një mendim, por gjërat më të thjeshta s’mund t’ia shpjegosh atij që mendon se i di të gjitha.
Të dy thëniet përmbledhin një pyetje të vjetër: Pse edhe kur përballemi me prova të qarta, vazhdojmë të besojmë diçka të pasaktë?
Midis së vërtetës dhe përkatësisë
Njerëzit kanë nevojë për një perceptim të saktë të realitetit për të mbijetuar. Por, përveç së vërtetës, kemi edhe një nevojë tjetër të thellë për t’i përkitur dikujt. James Clear në Atomic Habits thotë: “Njerëzit janë kafshë të tufës. Duam të përkasim, të lidhemi me të tjerët dhe të fitojmë respektin e tyre.” Për pjesën më të madhe të historisë sonë, të mbetesh jashtë fisit nënkuptonte rrezik jetësor.
Ndonjëherë është më e rëndësishme të mos prishësh marrëdhëniet me njerëzit sesa të kërkosh të vërtetën. Siç thotë psikologu Steven Pinker, ne shpesh mbajmë besime që na ndihmojnë të kemi më shumë miq e mbështetje, edhe nëse nuk janë plotësisht të sakta. Në një farë mënyre, mund të jetë më e dobishme të jesh “gabim në fakte, por në harmoni me shoqërinë”.
Miqësia, jo faktet, ndryshon mendjet
Kur dikush ndryshon mendim, shpesh po rrezikon të humbasë komunitetin e tij. Ndryshimi i bindjeve mund të nënkuptojë ndarje, përjashtim, vetmi. Prandaj, nëse duam të ndikojmë te dikush, duhet t’i ofrojmë jo vetëm argumente, por edhe një ndjesi përkatësie.
Ndaj Clear sugjeron: bëhu mik me njerëzit që nuk mendojnë si ti. Ofrimi i afërsisë, ndarjes së një darke apo bisedës së qetë mund të bëjë më shumë për të shuar paragjykimet sesa çdo debat publik. Filozofi Alain de Botton beson se ngrënia me “të tjerët” është një mënyrë e vogël, por e fuqishme për të luftuar urrejtjen: përmes afërsisë zvogëlohet frika.
Si ndryshojnë besimet
Ne zakonisht ndikohemi më shumë nga ata që na ngjajnë sesa nga ata që janë në anën tjetër të spektrit. Nëse je në “pozicionin 7”, thotë Clear, ka pak kuptim të bindësh dikë në “pozicionin 1”. Është më efektive të afrohesh me ata që janë një hap larg teje, aty ndodhë lëvizja e vërtetë e ideve.
Ndaj librat shpesh janë më të fuqishëm se debatet: leximi ndodhë në qetësi, pa kërcënimin e humbjes së fytyrës para të tjerëve. Një ide e re, e lexuar, rritet brenda nesh pa ndjesinë e sulmit.
Pse idetë e këqija nuk zhduken
Ideve të gabuara u japim jetë sa herë që flasim për to. Edhe kur i kundërshtojmë, ne i përsërisim, duke i përhapur më tej. Kjo është ajo që Clear e quan “ligji i përsëritjes” – sa më shumë të përsëritet një ide, aq më shumë njerëz do ta besojnë, qoftë edhe e rreme.
Në vend që të ushqejmë idetë e këqija me vëmendje, është më e mençur t’i lëmë të vdesin nga heshtja dhe të përforcojmë ato të mirat.
Tyler Cowen: “Kalo sa më pak kohë duke folur për mënyrën se si të tjerët gabojnë.”
Në debatet tona, shpesh sillemi si ushtarë që luftojnë për fitore, që kërkojnë të kuptojnë terrenin. Por ndryshimi i vërtetë i mendjes vjen nga kureshtja, jo nga fitorja. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes, siç thotë Tiago Forte, është: “A je i gatshëm të mos fitosh, vetëm që biseda të vazhdoj?”
Bëhu i sjellshëm, pastaj i drejtë
Haruki Murakami ka shkruar: “Të debatosh dhe të fitosh do të thotë të shembësh realitetin e tjetrit. Humbja e realitetit është e dhimbshme, prandaj ji i sjellshëm edhe kur ke të drejtë.”
Fjalën “kind”, i sjellshëm e kemi nga “kin” që do të thotë familje. Për të ndryshuar mendjet e të tjerëve, duhet t’i trajtojmë si të afërm: me durim, respekt e mirësi. Vetëm atëherë faktet mund të kenë shans të dëgjohen.
Bëhu i sjellshëm së pari, pastaj i drejtë
