Live Stories from Prishtina

LIVE

21 Tetor, 2025

Në shikim të parë të duket si një thënie popullore për mirësjellje, si një rregull i pashkruar i mikpritjes. Por nëse e zberthejmë me vëmendje, ajo fshehë mënyrën si njeriu i qaset mungesës dhe tepricës, për dinjitetin që lind nga ofrimi dhe për mënyrën si pushteti formëson çdo shkëmbim njerëzor, edhe më të voglin.

Në shtëpinë e një të varfri, një gotë ujë është më shumë se ujë. Është gjesti i fundit i një bote që ndoshta nuk ka çfarë tjetër të ofroj, përveç vetvetes. Ta pranosh të tërën, ta pish deri në fund, është të nderosh sakrificën e atij që jep nga pakësia e tij. Në kulturat tradicionale, ky akt është i shenjtë jo për shkak të ujit, por për shkak të njeriut që e jep. Ai që nuk ka shumë, por ndanë, po dëshmon një formë të lartë të dinjitetit njerëzor, “aftësinë për të dhënë edhe kur nuk ke”.

Ende bre ke familje, shtëpi ku mysafirit i ofrohet kafeja më e mirë, edhe nëse është filxhani i fundit. Refuzimi i saj do të ishte ofendim, jo për arsye materiale, por sepse refuzon njohjen që tjetri kërkon nga ty, “unë jam dikush që mund të jap.”

Kur thënia bën me dije se në shtëpinë e të pasurit duhet të lësh pak ujë pas, ajo nuk flet për kursim, flet për respekt të ndërsjellë. Ai që ka shumë, nëse ndjenë se dhurimi i tij përvetësohet tërësisht, humbë vetëdijen e kufirit. Lënia e pak ujit pas është një mënyrë për t’i kujtuar se edhe në dhënie ekziston një masë, se bujaria e tij nuk është pronësi mbi tjetrin.

Në shoqëritë moderne, kjo ndodhë në forma më të ndërlikuara. Nëse një korporatë dhuron fonde për bamirësi, por kërkon që logoja e saj të vendoset në çdo mur, ky është versioni bashkëkohor i një “uji” të pirë pa masë. Mirënjohja kthehet në nënshtrim. Nëse një individ pranon ndihmën e një tjetri të pasur pa ruajtur distancën e dinjitetit, marrëdhënia humbë barazinë morale. Pikërisht për këtë arsye, lënia e pak ujit pas është simbol i rezistencës së heshtur ndaj përthithjes nga pushteti.

E gjith jeta shoqërore mund të shihet përmes kësaj metafore të vogël. Politikanët, biznesmenët, aktivistët, të gjithë jemi në një tryezë ku dikush ofron, e dikush pranon.

Pyetja është gjithmonë e njëjtë “a po pimë gjithë ujin e tjetrit, apo po lëmë pak pas?”

Në shoqëritë ku pabarazia është e thellë, shpesh ndodh e kundërta e urtësisë së kësaj thënieje. Të varfrit refuzohen me dyshim “mos po kërkojnë më shumë nga ç’meritojnë”, ndërsa të pasurit kremtohen me adhurim.

Ndodhë që ne edhe e pimë gjithmonë ujin e gabuar, e lëmë gotën bosh tek i varfri, duke mos pranuar bujarinë e tij dhe e zbrazim tërësisht tek i pasuri, duke harruar se edhe respekti ka kufi.

Në një botë që gjithçka matet me vlerë monetare, marrëdhëniet njerëzore nuk mbështeten në atë sa ke, por si e jep. Etika e një ndjeshmërie që e kupton dallimin mes mirënjohjes dhe servilizmit, mes respektit dhe përulësisë.

Ndoshta në këtë ekuilibër delikat mes mungesës dhe tepricës, qëndron vetë morali i shoqërisë sonë.