Bota
22 Tetor, 2025
Drama e re e Netflix-it, “House of Guinness”, përzien të vërtetën dhe trillimin si një gotë të birrës. Ngjarja ndjekë fatet e një prej dinastive më të fuqishme të industrisë së birrës në botë, familjen Guinness në një periudhë trazirash politike, fetare dhe teknologjike në Irlandë.
Frymëzim nga ngjarje të vërteta por jo tërësisht reale (sipas artikullit të BBC-së).
Seriali fillon nga ngjarjet e 27 majit të vitit 1868, në ditën e varrimit të Sir Benjamin Lee Guinness, pasardhës i themeluesit të birrës ikonike. Ndërsa në shfaqje funeralet shndërrohen në skenë protestash e dhune edhe pse historikisht nuk ka dëshmi për trazira të tilla. Siç tregohet në hyrje, seria është “frymëzuar nga histori të vërteta”, por shumë prej ngjarjeve janë të bazuara në spekulime.
Familja Guinness dhe trashëgimia e tyre reale
Arthur Guinness, themeluesi i birrës, nisi punën në 1759-ën duke marrë me qira për 9 mijë vjet fabrikën St James’s Gate në Dublin. Me përhapjen e avullit dhe industrializimit, kompania u zgjerua shpejt dhe nën drejtimin e nipit të tij Benjamin Lee Guinness, u bë punëdhënësi më i madh në Irlandë.
Benjamin ishte një filantrop i njohur, financues i restaurimit të Katedrales së Shën Patrikut dhe një figurë politike e rëndësishme. Në kohën e vdekjes së tij, familja Guinness ishte ndër më të pasurat në vend.
Seriali ndjekë katër fëmijët e tij: Anne Lee Guinness, Lady Plunket, Arthur Edward Guinness, Kapiten Benjamin Guinness.
Në shfaqje, disa prej tyre përjashtohen nga trashëgimia, por në realitet të gjithë morën pasuri dhe prona. Drama i përdorë këto tensione për të eksploruar ambicien, pushtetin dhe tradhëtinë mes vëllezërve.
Në sfond të ngjarjeve qëndron një Irlandë e plagosur nga Uria e Madhe (1845–1851), që vrau mbi 1 milion njerëz dhe detyroi 1.5 milion të tjerë të emigronin. Kjo tragjedi thelloi ndasitë mes katolikëve dhe protestantëve. Familja Guinness si pjesë e Protestant Ascendancy, përfaqësonte klasën sunduese që zotëronte pasuri dhe pushtet nën sundimin britanik.
Tensionet përmes personazheve imagjinarë si Sean Rafferty, një punëtor katolik i fabrikës, që simbolizon kontradiktat e kohës janë ngjarjet kryesore. Ani pse i trilluar, ky personazh përfaqëson realisht përfitimet që punëtorët kishin tek Guinness. Pensione, ushqim falas dhe pushime të paguara, gjë e rrallë për kohën. Një tjetër element real është lëvizja Feniane, që kërkonte pavarësinë e Irlandës.
Në vitin 1868, Arthur Edward Guinness fitoi një vend si deputet konservator në Dublin, por më vonë u akuzua për mashtrime zgjedhore për shkak të ryshfeteve të shpërndara nga agjentët e tij edhe pse u shpall i pafajshëm personalisht, rezultati u anulua. Ai u rikthye në politikë disa vite më vonë dhe u bë filantrop i shquar, duke i dhuruar qytetit parkun St Stephen’s Green, sot një hapësirë publike madhështore në qendër të Dublinit.
Seriali prekë edhe një aspekt të ndjeshëm të jetës së Arthurit, seksualitetin e tij. Historianët e kanë përmendur mundësinë që ai të ketë qenë homoseksual, por pa prova të forta. Netflix e përdorë këtë për të eksploruar jetën e fshehtë të një burri të pasur në një shoqëri që dënonte publikisht orientime të tilla.
Një element i vërtetë është zgjedhja e harpës së Brian Boru si simbol i markës. Ajo u bë logoja zyrtare në vitin 1862, përpara se shteti irlandez ta merrte si emblemë kombëtare dekada më vonë, por me harpën e kthyer në drejtim të kundërt, për të shmangur konfliktin e markës tregtare me Guinness.
“House of Guinness”, seriali sjellë në ekran tensionet e një Irlande që kërkonte identitetin e saj kombëtar mes pushtetit britanik, fesë dhe kapitalizmit në ngritje.
