Fakte abstrakte
28 Tetor, 2025
Dikur marrja e një diplome universitare ishte rruga më e sigurt drejt një pune të qëndrueshme dhe me pagë të mirë.
Sot, megjithatë, shumë të rinj në vendet perëndimore po përballen me një realitet tjetër. Më pak mundësi punësimi dhe pasiguri nëse arsimi i lartë vërtet ja vlenë.
Në Shtetet e Bashkuara, norma e papunësisë tek të diplomuarit e rinj është pothuajse e njëjtë me atë të moshatarëve të tyre pa diplomë, një ndryshim i madh krahasuar me vitin 2010, kur kishte një diferencë prej gjashtë pikësh përqindjeje.
E njëjta prirje shihet edhe në Bashkimin Evropian, ku arsimi i lartë nuk garanton më një fillim të sigurt karriere.
Arsyet për këtë janë të shumta, disa mendojnë se universitetet kanë ulur kriteret e pranimit duke diplomuar studentë më pak të përgatitur, ndërsa të tjerë besojnë se tregu i punës kërkon gjithnjë e më pak punë që kërkojnë diplomë.
Në epokën digjitale, aftësi si përdorimi i kompjuterit janë bërë të zakonshme dhe nuk kërkojnë më arsim universitar. Ndërkohë, sektorët që dikur punësonin shumë të diplomuar si financa, ligji dhe sigurimet janë tkurrur që nga kriza financiare e vitit 2008. Midis viteve 2009 dhe 2024, punësimi i të rinjve në këto fusha ka rënë me 16% në BE, ndërsa në Britani numri i të rinjve që punojnë në ligj dhe financë është ulur me 10% që nga viti 2016.
Shpesh fajësohet inteligjenca artificiale për këtë rënie, por mungesa e vendeve të punës për të diplomuarit ka nisur shumë përpara zhvillimit të ChatGPT.
Ndryshimet ekonomike, automatizimi dhe vështirësitë në industri kanë ndikuar po ashtu. Si pasojë, në SHBA regjistrimet në universitete ranë me 5% mes viteve 2013–2022.
Në vendet e pasura ku arsimi është më i përballueshëm, megjithatë, kërkesa për universitete vazhdon të rritet.
Një arsye tjetër mund të jetë zgjedhja e degëve. Shumë studentë ende zgjedhin arte, shkenca humane dhe shkenca shoqërore, fusha që shpesh ofrojnë më pak mundësi punësimi.
Ndërkohë, fusha si robotika, inxhinieria apo zanatet praktike si hidraulik dhe zdrukthtar pritet të mbeten të kërkuara dhe më rezistente ndaj automatizimit. Këto profesione shpesh nuk kërkojnë diplomë universitare dhe mund të mësohen përmes praktikave apo programeve profesionale.
Me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë, bota e punës po ndryshon gjithnjë e më shumë. Puna e së ardhmes do të kërkojë përshtatshmëri dhe aftësi që mësohen praktikisht, jo vetëm njohuri teknike.
Edhe programimi, dikur një aftësi e sigurt, mund të zëvendësohet nga mjetet e inteligjencës artificiale. Prandaj, aftësitë “të buta” si komunikimi, të qenit empatik, mendimi kritik, kreativiteti dhe puna në grup po bëhen më të rëndësishme se kurrë. Sipas studimeve të OECD, njerëzit që zhvillojnë këto aftësi do të kenë sukses në punë që kërkojnë ndërveprim njerëzor, bindje dhe kujdes, fusha ku AI ende nuk mund të konkurroj.
Studentët që kryejnë praktika pune kanë 23% më shumë gjasa të gjejnë punë me kohë të plotë brenda gjashtë muajve pas diplomimit dhe në disa fusha si nafta apo minierat, kjo diferencë shkon deri në 65%.
Një gjë dihet, ai që kombinon arsimin me përvojën praktike, dëshirën për të mësuar gjatë gjithë jetës do të ketë gjithmonë sukses në epokën e inteligjencës artificiale.
